Na siguron Bekë Berisha: Gjendja e sigurisë në Kosovë është stabile

Na siguron Bekë Berisha: Gjendja e sigurisë në Kosovë është stabile

Kryetari i Komisionit për çështje të sigurisë, Bekë Berisha vlerëson se kërcënimet për alarmet e shpeshta për bomba në Kosovë por edhe në vendet e rajonit bëhen për të tërhequr vëmendjen e popullit. Megjithatë, Berisha thekson se situata e përgjithshme e sigurisë në vend është stabile dhe nuk ka nevojë për panik.

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha thotë se Policia e Kosovës i ka të gjitha kapacitet për t’i zbuluar këto raste.

“Siguria e përgjithshme në Kosovë është stabile, ne i kemi të gjitha institucionet e nevojshme për ta mbajtur sigurinë në vend, jemi kushinetë edhe si komision parlamentar për sigurinë, nuk ka diçka që duhet të shqetësoheni… Gjithmonë ka vend për përmirësime për më mirë, mirëpo deri më tani vetvetiu Kosova është stabile dhe nuk ka diçka që duhet t’a shqetësojë jetën e qytetarëve, përveç që është shqetësim rritja e çmimeve edhe jeta është vështirësuar… nuk ka liberalizim të vizave”, tha Berisha.

Sipas Berishës, në situata të tilla nuk duhet të mungojë vigjilenca.

“Policia e Kosovës i ka këto kapacitete, inteligjenca i këto kapacitete për t’i hulumtuar dhe zbuluar saktë se çfarë po ndodh, gjithmonë duhet të kemi vigjilencën dhe t’i shtojmë këto kapacitetet dhe t’i sofistikojmë”, tha ai.

Kosova u bë vendi i fundit në Ballkan ku u alarmua për mjete shpërthyese në institucione, pas një varg kërcënimesh në të paktën katër vende të tjera të rajonit në muajt e fundit.

Alarmi për vendosjen e një bombe në stacionin e autobusëve, më pas në rektoratin e Universitetit të Prishtinës dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, rezultuan të rreme.

Shpërndaje në: