“Nana e Boko Haramit”: Misioni i jashtëzakonshëm i një gruaje për të shpëtuar ‘djemtë e saj’ nga terrorizmi

“Nana e Boko Haramit”: Misioni i jashtëzakonshëm i një gruaje për të shpëtuar ‘djemtë e saj’ nga terrorizmi

Artikulli më poshtë është përkthyer nga Periskopi, marrë nga The Guardian.

Ajshe Vakilli (Aisha Wakil) i njihte shumë prej luftëtarëve të Boko Haramit si fëmijë. Tash, ajo po provon t’i përdorë ato njohje për të arritur një marrëveshje të paqes, të ndërmjetësojë në negociatat për pengjet dhe t’i bindë luftëtarët që t’i ulin armët – por ndërsa dhuna përshkallëzohet, detyra e saj po bëhet e pamundur.

Ishte një tjetër pasdite përzhitëse në Maiduguri. Në perëndim të qytetit, në veri-lindje të Nigerisë, 51 vjeçarja Ajshe Vakilli ishte ulur në zyren e saj dhe po fliste me një luftëtar xhihadist me emrin Usman. Ajshja ishte e mbuluar prej shputave të këmbëve e tek deri në krye me një byrynxhyk me xhixha; niqabi ia mbulonte pjesën më të madhe të kokës, duke i lënë të dukeshin vetëm sytë e saj të zi. Ka’aji, një temjan i drunjtë e i ëmbël që Ajshja e djegte në një kënd të zyres, po i jepte aromë atij ambienti.

Ajshja e Usmani po flisnin me zë të ulët. Ata po e pështjellnin një plan sekret për ta liruar një çikë 16 vjeçare që po mbahej peng nga Boko Harami. Ishte maji i 2019-s, 10 vjet pasi grupi islamik kishte nisur terrorizimin e Nigerisë së pjesë të xhihadit që e kishte filluar kundër qeverisë. Dhuna, që u hapërda edhe në shtetet fqinje, i ka lënë më shumë se 30 mijë njerëz të vdekur.

Përgjatë viteve, Boko Harami u bë i njohur për grabitjen e grave dhe çikave të reja. Rasti më famëkeq bëri vaki në 2014-n, kur luftëtarët e këtij grupi i kapën 276 nxënëse të shkollave të mesme në fshatin e largët të Chibokut. Por rrëmbime kishte pasur edhe para Chibokut, dhe dhjetëra të tjera pas Chibokut. Do prej atyre vajzave të kapura ishin detyruar të bëheshin bombarduese vetë-vrasëse, dhe Boko Harami i ka përdorur më shumë se 460 vajza si bombarduese vetëvrasëse, më shumë se çdo grup tjetër në histori. Vajza tinejxhere për të cilën Ajshja dhe Usmani po flisnin ishte një prej viktimave të fundit të grupit. Për muaj me radhë, Ajshja kishte lutur luftëtarët e Boko Haramit që ta lironin.

Anëtarët e këtij grupi terrorist, ose të paktën shumica prej tyre, kishin ikur nga Maiduguri të ndjekur nga ushtarët e shtetit, por jo vetëm nga Maiduguri – qyteti më i madh në shtetin e Bornos – por edhe nga qytetet e tjera të atij rajoni. Ata vendosën kampe në zonat e largëta që shtrihen mes Nigerisë veriore, Kamerunit, Chadit dhe Nigerit. Disa prej luftëtarëve terroristë shkuan për të jetuar në fshehtësi në pyjet e Sambisias, dhe në ishujt që pikëzonin Liqenin Chad, ku i kishin mbajtur mijëra pengje – gra, vajza, burra dhe fëmijë ushtarë të detyruar t’i bashkoheshin xhihadit të tyre.

Pasi asgjësonin fshatra të tëra, luftëtarët do të ktheheshin mbrapsht në këto kampe. Ushtarët nigerianë do t’i ndjeknin, por armatimet e rënda të tyre do të ngecnin në ato terrene të vështira.

Ajshja ishte një prej njerëzve të paktë jashtë Boko Haramit që mund t’i arrinte anëtarët e saj. Ajo ishte në kontakt me luftëtarët terroristë me nam, dhe në zyren e saj atë ditë, po përdorte atë kontakt për të negocuar lirinë e pengjeve. Vajza në fjalë ishte e krishtere, dhe në intervistat me mediat lokale, prindërit e saj i kishin kërkuar qeverisë nigieriane që ta shpëtonin. Ajshja donte ta shpëtonte në mënyrë të sigurt. Ajo besonte që Usmani ishte personi i duhur për ta kryer atë punë. Ai ishte, në fund të fundit, një militant i Boko Haramit – një me nam mesatar, që udhëtonte mes kapmeve nëpër skuta të vendit dhe qytetit për detyra të veçanta.

Për të mbërritur te zyra e Ajshes, Usmanit i duhej të kalonte nëpër qytet pa tërhequr vëmendje. Rrugët po mizëronin nga personeli i sigurimit – ushtarë, zyrtarë policorë, agjentë inteligjence, vullnetarë nga Task Forca e Përbashkët Civile, dhe një grup Vigjilant lokal paramilitar. Në atë kohë, sulmet e Boko Haramit kishin qenë në rritje përsëri dhe banorët lokalë kishin ikur me kujdes. Kështu kishte bërë edhe Usmani. Me teshat e çkyera e të varfra, duart e gërvishura, ai ishte si profili fizik i luftëtarit të Boko Haramit.

Usmani donte të bënte diçka të mirë. Ai kishte vendosur të bashkëpunonte me Ajshen, duke i transmetuar mesazhet e saj te muxhahedinët mbrapsht në kamp. Takimi i tyre përfundoi me tone optimiste. Dukej e mundur që pengu i lartpërmendur të lirohej.

Maiduguri ndodhet brenda asaj që ishte dikur mbretëria më jetëgjatë në historinë afrikane, një shtet para-kolonial i fuqishëm islamik i njohur si perandoria Kanem-Bornu. E themeluar nga paraardhësit e popullit modern Kanuri, perandori zgjati prej shekullit të tetë e deri në të 19-in. Madje, në kulmin e saj, territori i perandorisë shtrihej në lindje nga Nigeria e sotme e në Chad, e tek deri në Sudan dhe në veri tek deri në Libi. Mbretërit e perandorisë – të njohur fillimisht si mai, e më vonë si shehu, një derivat i titullit sheik nga arabishtja – ishin ndër të parët monarkë që kishin praktikur islamin në Afrikën sub-sahariane.

Për kohë të gjatë, Maiduguri merrej si “shtëpia e paqes”. Jeta atje sillej rreth traditave islame: ezani jehonte prej xhamive. Të premteve, rrugët mbusheshin me njerëz që e falnin xhumanë; mijëra djem uleshin nën pemë, duke recituar versa nga Kurani nën vështrimin ngulmues të mësuesve të tyre.

Nga shkretëtira e Saharasë, kaskada rëre binin mbi qytet, duke e mbushur terrenin me shtresa pluhuri. Gjatë mesditës, Maiduguri kaplohet prej një zhegu qorrues. Ka një soj të veçantë të thatësisë që ta shpon lëkurën. Gjatë netëve, zhegu lehtësohet paksa, duke i lëshuar radhën puhizave që vijnë prej të dendurit Lum Ngadda.

Ajshja kishte ardhur në këtë qytet më 1989, për t’u regjistruar në Universitetin e Maidugurit. Për dallim nga shumë kolegë studentë të saj, ajo nuk ishte pjesë e popullit vendali Kanuri – ajo ishte e popullit Igbo, një grup etnik që i ka tokat e të parëve në jug-lindje të Nigerisë. Aty kishte lindur Ajshja, në vitin 1968, dhe mu aty ishte rritur, derisa vendi i saj provonte të pajtohej e rindërtohej pas tmerrit të luftës civile, që përfundoi më 1970.

Ajshja vinte nga një familje e grupit Igbo e besimit katolik dhe ajo, po ashtu, ishte thellësisht e përkushtuar ndaj fesë. E çoi atë te Zoti, thotë ajo, dhe përgjatë rinisë së saj ajo lexonte Biblën dhe lutej për orë të tëra. Deri në fillim të viteve ’90 nuk ishte konvertuar në islam, pasi u takua me burrin me të cilin do të martohej, Alkali Gana Vakill (Alkali Gana Wakil). Ai ishte i popullit Kanuri dhe mysliman. “Sipas traditës, gruaja duhet ta marrë fenë e burrit. E bëra që ta ruaja kulturën, që paqja të mbretëronte në shtëpinë e në martesën tonë,” më tha Ajshja.

Të afërmit e saj në jug kishin qenë tepër të zhgënjyer me konvertimin e saj, dhe për faktin që ajo si një “jugore ishte martuar me një “verior”. Ajo e kishte ndërruar edhe emrin pasi ishte bërë myslimane, Ajshe – pas gruas së preferuar të profetit Muhamed dhe “nënës së besimtarëve”. Ajo dhe i burri i saj në një shtëpi njëkatëshe të çuditshme afër vendit më të shenjtë të Maidugurit – pallatit të Shehut dhe kompleksit të xhamive në afërsi.

Kur e pashë për të parën herë Ajshen në vitin 2018, ajo u gëzua e më përqafoi dhimbshëm kur i tregova se edhe unë isha e popullit Igbo. “Të kam si motër,” më tha, duke nënqeshur, dhe e hoqi niqabin për të më lënë që t’ja shihja fytyrën. Ajshja kishte bërë çka kishte mundur për të adaptuar kulturën e Kanurëve. Ajo ndezte aromën ka’aji. Ajo ndiqte devotshëm pritjet lokale për një grua myslimane, duke e mbuluar kokën e saj kurdo që dilte jashtë shtëpisë. Kur burri i tha që nuk i pëlqente që burrat e tjerë po ia admironin fytyrën, ajo e mbuloi edhe fytyrën me niqab për t’i lënë vetëm sytë jashtë.

Pak pasi u shpërngul në shtëpinë e saj në Maiduguri, ajo kishte vendosur që ta linte derën e hyrjes hapur. Ajo ishte ende e re në qytet, dhe donte të ishte mikpritëse. Shumë shpejt, djemtë e vegjël Kanuri, rreth gjashtë e shtatë vjeç, nisën t’i vinin në shtëpi. Ajo i linte të luanin aty, t’i bënin punët e kopshtit bashkë dhe t’i merrnin frutat nëpër pemë. Edhe pse i kishte pasur dy fëmijë të vetë asokohe, ajo nisi t’i thirrte këta djem të mëhallës si “djemtë e saj”. Por, edhe këta djem e thirrnin atë “nanë”, dhe për t’i treguar se sa shumë e çmonin, filluan ta thirrnin të merrte pjesë në dasmat e synetisë.

Synetia e djemve myslimanë është një rit i shenjtë në Nigerinë veriore. Në Maiduguri, zakonisht ndodh kur djemtë i mbushin shtatë vjet. Ajshja ishte pjesëmarrëse në synetitë e djemve të mëhallës, duke iu mbajtur dorën derisa organi i tyre hynte nën thika. Kur plaku e përfundonte prerjen, Ajshja me gjentilesë do të lante penisët e djemve, duke i hedhur edhe ka’aji për ta dezinfektuar dhe për t’i mbajtur larg shpirtërat e këqinj. Në fund, e vriste e e priste nga një pulë për ta festuar synetinë e secilit prej këtyre djemve të varfër.

Por, Ajshja ende ishte në fillim të mësimeve të saj për adetet e veri-lindjes së Nigerisë. Disa njerëz e shihnin si një të huaj, si jugore. Nganjëherë ajo ndihej edhe vetë ashtu. Dhe derisa provonte të përshtatej me kulturën që ishte tepër e huaj nga ajo në të cilën kishte kaluar rritën, ishin këta djem të mëhallës që i bënin shoqëri. Ata i adhuronin ushqimet e kulturës Igbo që ajo i gatuante, siç ishte ewu-ja, kokë cjapi e përgatitur me vaj të kuq palme. Në atë vakt, Maiduguri ende dukej se ishte qyteti i paqes.

Rreth kohës kur po ndërrohej shekulli, jeta në Maiduguri nisi të ndërronte. Pas 1999-s, kur regjimi ushtarak përfundoi dhe rendi civil u restorua në Nigeri, tensionet sektare u rritën. Mes 1999-s dhe 2001-s, për të siguruar që qeveria e re sekulare dhe demokratike në Abuja nuk do të shkelte parimet islamike, 12 shtete veriore adaptuan ligjin e plotë të sheriatit. Të krishterët që jetonin në veri thanë se ndiheshin të kërcënuar nga sheriati, pavarësisht zotimeve të zyrtarëve që nuk do t’i zbatonin mbi ta.

Tensionet fetare ishin veçanërisht të forta në tokën pjellore të jugut të shtetit të Bornos, e njohur në Nigeri si Rripi i Mesit. Në vitin 2001, në një prej qyteteve të Rripit të Mesit, Jos i quajtur, rreth 1 mijë vetë u vranë në dhunën mes të krishterëve dhe myslimanëve. Në Maiduguri, po atë vit, një eklips hënor bëri që të shpërthente një trazirë, pasi burrat myslimanë e kishin marrë eklipsin si një shenjë që qyteti po sundohej nga imoraliteti. Agjencitë e lajmeve raportuan që këta burra i kishin vënë flakën të paktën 40 hoteleve, bordelove dhe kafeneve. Sulmet terroriste të 11 shtatorit në ShBA, dhe porositë e Osama bin Ladenit për myslimanët e Afrikës për të çuar krye kundër jobesimtarëve, vetëm sa i shtuan këto konflikte ekzistuese.

Që prej viteve ’90, një burrë i quajtur Mohammed Yusuf kishte udhëtuar përreth veri-lindjes së Nigerisë, duke predikuar kundër influencave perëndimore. Yusufi u bë pjesë e një dege radikale e militante të islamit sunit konservativ të njohur si salafizëm. Në këto predikime, ai sulmonte boko-n (që nënkuptonte edukimin sekular) duke e cilësuar si haram (mëkat). Deri në vitin 2001, Yusufi e kishte një grup ndjekësish të devotshëm, të njohur si Yusufiyya, dhe njerëzit nisën t’i referoheshin ideologjisë së tij si Boko Haram.

Yusufi kapi zemërimin e rritur mbi pabarazinë në rritje në shtetin e Bornos, ku shumica e fshatrave nuk kishin pushtet e nuk kishin as ujë të pijshëm, dhe ku shumica e popullit jeton me më pak se 1 euro në ditë. Ai denoncoi korrupsionin qeveritar, e po ashtu edhe influencën në rritje të kulturës judeo-kristiane në veri. Ai dënoi idolizimin e yjeve ndërkombëtare të futbollit, prioritetizimin e kushtetutës sekulare të Nigerisë mbi islamin dhe shtytjen qeveritare për ta bërë arsimin fillor si të detyrueshëm për fëmijët.

Në vitin 2005, Yusufi e themeloi xhaminë e Ibn Taymiyyah-së, afër stacionit të trenit në Maiduguri. Qindra ndjekës të tij u vendosën aty. Retorika e Jusugit u bëmë më ekstreme derisa ai agjitonte që të bëhej guvernator i shtetit të Bornos për ta vënë në zbatim ligjin e sheriatit, përtej adoptimit formal të vitit 2000. Ai denonconte invazionin e ShBA-ve në Irak, torturën e të burgosurve myslimanë në Abu Ghraib dhe në Guantanamo. Ai iu thoshte ndjekësve të tij se Nigeria ishte bërë shtet i pabesimtarëve, dhe se ishte koha të përgatiteshin për xhihad kundër qeverisë. Në ndërkohë, dhuna mes të krishterëve dhe myslimanëve anë e mbanë Nigerisë vazhdonte të eskalonte. Protestat në mbarë botën që pasuan pas botimit të një karikature të profetit Muhamed në një revistë daneze më 2005, çuan në më shumë vdekje në Nigeri se kudo në botë. Shumë protesta u bënë të dhunshme, që nisën një cikël vicioz me sulme dhe kundërsulme mes të krishterëve dhe myslimanëve, duke i lënë dhjetëra njerëz të vdekur.

Ajshja e njihte Yusufin, pasi ishte shoqe me gruan e tij dhe me vjehrrin. Ajo e shihte atë si një djalë tjetër të sajin. Banorët e Maidugurit që e njihnin Yusufin më thanë se ai e respektonte Ajshen. Ajo gatuante për të në shtëpinë e të vjehrrit, dhe i kërkonte që të mos e luftonte qeverinë.

Përgjatë asaj kohe ajo vuri re se djemtë e saj po kalonin gjithnjë e më shumë kohë në xhaminë e Yusufit. “Ata veç kur nisën të zhdukeshin,” më tha ajo. Ajo kujton njërin nga djemtë që kishte ikur për tre muaj. Kur ishte kthyer në qytet, nuk ishte më ai tinejxheri gazmor që kishte qenë. Ai ishte bërë i qetë e i ngrysur. Kur e kishte pyetur se ku kishte qenë, ai i kishte thënë se ishte në një vend për të mësuar se të vriste njerëz.

“Mendova që po bënte shaka!” më tha Ajshja. “Të vriste njerëz?”

Në fillim, ajo nuk kishte pasur idenë as që kampet e trajnimit të xhihadistëve po çilnin si kërpudhat pas shiut në Nigeri, e lëre më një nga djemtë e saj të merrte pjesë në to, me instruksionet e Yusufit. Ajo u konfrontua me të për këtë gjë. “Nuk e mohoi,” tha Ajshja. “Ai më tha se po përgatiteshin për xhihad.” Më vonë, ajo mësoi rreth kampit në Rripin e Mesmë dhe djemtë e saj filluan t’i thoshin që ajo t’i thirrte me emrat e rinj, me emrat e luftës (noms de guerre).

Yusufi me ndjekësit e tij po bëheshin gjithnjë e më luftues, vazhdimisht duke luftuar me agjentët e sigurimit. Popullariteti i tij rritej pas çdo arrestimi. Shkrehësi përfundimtar ishte tashmë incidenti famëkeq që ndodhi në qershorin e 2009-s. Një ditë, kur Jusugi nuk ishte aty, ndjekësit e tij po i grahnin një konvoji me motoçikleta drejt rrugës për në një varrim kur forcat patrolluese qeveritare i konfrontuan ata dhe i pyetën se pse nuk i kishin vënë helmetat. Yusufiyyat u përleshën me forcat patrolluese, dhe shpejt i nxorën edhe armët. Nuk është e qartë se kush qëlloi i pari, por disa zyrtarë u lënduan, dhe disa ndjekës të Yusufit vdiqën. Qeveria kurrë nuk e hetoi atë që ndodhi.

Yusufi ishte më i gjallë se kurrë, dhe u përgjigj me një seri fjalimesh të ashpra që kërcënonin qeverinë nigeriane dhe që urdhëronin myslimanët t’i kapnin armët. Ato mesazhe shkuan përtej Maidugurit, u regjistruan në DVD dhe në kaseta që qarkulluan në mbarë rajonin.

Ajshja e kuptoi se djemtë e saj dhe Jusufi po hynin në telashe të mëdha. Ajo foli me vjehrrin e tij për shqetësimet e saj, dhe doli se edhe ai vetë, ishte i brengosur. Më 21 korrik të 2009-s, policia e bastisi shtëpinë e një anëtari të sektit dhe kapi materiale për krijimin e bombave. Yusufiyyat e kallën stacionin policor më 26 korrik në shtetin e Bauchit, në perëndim të Bornos, ku Yusufi e kishte një farmë. Policia e bastisi farmën, e i vrau dhjetëra militantë. Më vonë gjatë asaj dite, xhihadistët po ashtu sulmuan një stacion policor në Maiduguri dhe për katër ditët që pasuan, e terrorizuan qytetin, vranë policë e ushtarë, dhe i prenë në fyt civilët që u zunë në mes. Si përgjigjje për ato vrasje masive, trupat nigeriane i vranë më shumë se 100 ndjekës të Yusufit. Ushtarët e kapën Yusufin dhe e dërguan në polici, dhe e cila polici e ekzekutoi. Ajshja nuk mund ta harrojë natën e 30 korrikut 2009, kur e pa kufomën e përgjakut të Yusufit në mbrëmje në një transmetim televiziv.

Qeveria mendoi se vdekja e Yusugit do t’i jepte fund Boko Haramit. Por, ajo vetëm sa i përkeqësoi gjërat. Pasi u fsheh për një kohë, grupi më pas u rishfaq me zëvendësin brutal të Yusufit, Abubakar Shekaun, si liderin e ri të Boko Haramit. Prej atëherë, Boko Harami filloi shënjestrimin e shkollave dhe kidnapimin e grave. Qëllimi i grupit ishte ta rrëzonte qeverinë e Nigerisë dhe ta zëvendësonte me një shtet islamik.

Shumë prej djemve të Ajshes ishin tash nën komandën e Shekaut. Por, edhe pse ishte e tronditur me rrugën shkatërrimtare që e kishin zgjedhur djemtë e saj, Ajshja nuk mund t’i braktiste, e as t’i dorëzonte te qeveria. Përgjatë gati dy viteve sa i kalova duke e ndjekur, kurrë nuk e dëgjova ta cilësonte ndonjërin prej tyre si “terrorist”. Ata ishin djemtë për të cilët ishte kujdesur derisa rritej. Tash, ajo vendosi që të lutej për ta, lutej që ata të pendoheshin. Dhe vazhdonte të kujdesej për ta: u jepte rroba, para dhe telefona, besonte që ata mund të reformoheshin me dashuri. Ajo kujdesej për gratë dhe fëmijët ëq ata i linin pas në qytet. Kur agjentët e sigurisë shtetërore erdhën për djemtë e Ajshes, ajo i fshihte brenda shtëpisë: ata flinin në sallon, ndërsa ajo me të bijën e saj, Ummin, flinin në dhomë të gjumit.

Por ajo trembej për atë se sa larg mund të shkonin ata. Maiduguri u bë një zonë urbane e luftës. Netëve, zhurma e armëve mbushte ajrin. Ditëve, banorët ishin të frikësuar që të mblidheshin bashkë madje edhe për dasma e ahengje. Nëse flisje hapur kundër militantëve mund të përfundoje nën dhe, kështu që banorët zgjodhën heshtjen.

Por, Ajshja ishte një përjashtim. Lidhjet e saj me Boko Haramin nuk ishin sekrete. Producentët e një televizioni lokal lajmesh e ftuan atë në studio që të fliste për pasigurinë në rritje. Gjatë transmetimit, Ajshja tha që luftëtarët duhej të ndaleshin, se po u lutej atyre si nëna fëmijëve të saj.

Pas kësaj, banorët dhe gazetarët nisën ta thirrnin si “Nana Boko Haram”. Ajo ishte e vetmja grua që publikisht do të deklarohej se fliste rregullisht me militantët.

Universiteti i Maidugurit është universiteti më prestigjioz në veri-lindje të Nigerisë. Me kampuset e shtrenjta e moderne, me më shumë se 20 mijë studentë dhe staf ndërkombëtarë, është krenaria e qytetit. Dhe si institucion sekular, ishte po ashtu një shënjestër e qartë për Boko Haramin.

Në vitin 2012, grupi i kreu një seri sulmesh të profilit të lartë. Në fill të janarit, Goodluck Jonathan, presidenti i Nigerisë në atë vakt, e pranoi se anëtarët e Boko Haram ishin infeltruar në qeverinë e tij dhe në shërbimet e sigurisë. Më vonë gjatë atij muaji, në Kano, qytetin e dytë më të madh të Nigerisë, Boko Harami i kreu një seri sulmesh me armë dhe bombardime të koordinuara që i lanë më shumë se 178 të vdekur. Në Maiduguri, madje as i dashuri Shehu i Bornos – që publikisht e kishte denoncuar Boko Haramin si jo-islamik – nuk ishte i sigurt. Ai me shumë zor i iku një bombardimi vetëvrasës në xhaminë qendrore ku njerëzit po faleshin.

Po atë vit, Ajshja e pranoi një thirrje telefonike nga njëri prej djemve të saj që i tha të mos e linte çikën e saj, Ummin, e cila ishte studente në universitet, që të shkonte atë ditë. Kampusi do të sulmohej. Ajshja foli po aq me gjentilesë sa mundi. Duke e thirrur atë si “djali im”, ajo e mori me të mirë që të mos e kryente atë sulm. I tha se vrasja e njerëzve të pafajshëm nuk ishte vullneti i zotit. Ai i tha që nuk kishte mundësi ta ndërpriste misionin, sepse gjithçka ishte vënë në zbatim, ama se ajo duhej ta mbronte të bijën.

Kur u ndërpre thirrja telefonike, Ajshja iu kthye Ummit dhe i tha të ngutej për në shkollë. “Ajo më tha, shko në shkollë shpejt,” më tha Ummi. “Nuk e dija pse po më nguste ashtu.” Ajshja e dinte që bijtë e saj nuk do ta bombardonin universitetin nëse vajza e saj do të ishte brenda. Ummi ishte si motër për ta: ajo, po ashtu, ishte kujdesur për ta. Kështu që Ajshja e përdori atë si mburojë njerëzore.

Kur militantët e panë Ummin, Ajshja u thirr sërish në telefon. Pse Nana e kishte lënë vajzën të shkonte në kamp, i kishte thënë. Pas një zënke të shkurtër, me kërkesën e Nanës, ata nuk do ta kryenin atë sulm.

Shumë pak njerëz jashtë Boko Haramit mund të kishin atë lloj influence mbi anëtarët e saj – dhe në fillim, qeveria e konsideronte marrëdhënien e Ajshes me ta si një aset. Ata besuan që ajo do t’ju ndihmonte në çeljen e bisedimeve me grupin.

Ndërsa dhuna përshkallëzohej, në vitin 2013 Ajshja u ftua që t’i bashkohej një komiteti që presidenti Jonathan e kishte vendosur për të hapur bisedimet me militantët për t’ju garantuar atyre amnistinë – si një opsion për këtë gjë. Ajshja pranoi, por bisedimet nuk çuan askund. Boko Harami nuk iu besonte politikanëve, dhe derisa detajet e bisedimeve po rrjedhinin në media, militantët nuk deshën që të bashkëpunonin më.

Por, prej që Shekau ishte bërë lider i Boko Haramit, Ajshja kishte bërë negociatat e saj, duke folur në telefon me anëtarët apo edhe përmes spiunëve, apo edhe duke i takuar personalisht në shtëpi. Ajo iu përgjërohej që ata ta linin grupin, dhe dhjetëra vetë e dëgjuan. Ajo i bindi disa prej tyre që t’i linin armët. Shumë e shumë herë, militantët e ndihmuan Ajshen që t’i çmontonte ekslpozivët. Ajo i fuste në dhe pjesët e tyre në kopshtin e saj. Derisa ecnim në atë kopsht bashkë, ajo më kallëzonte vendet ku i kishte shkatërruar bombat; nëse do të këqyrja me ngulm, më thoshte, do të mund t’i shihja ende pjesët e tyre.

Ajo ndihmoi ish anëtarët e grupit terrorist që të nisnin një jetë të re në rajone të tjera të vendit. Një ditë, ajo iu dha para diku rreth 30 ish-militantëve. Me paratë, njëri përfundoi duke shkuar në kryeqytetin komercial të Lagosit për të punuar në sektorin e tekstilit. Një tjetër shkoi në jug-lindje për t’u bërë kasap. Sipas Ajshes, shumë prej djemve të saj ishin vrarë apo arrestuar sapo kishte dalë fjala se ku ishin.

Jo çdokush e kuptonte se çka po bënte ajo. Dhe nuk u desh shumë që të niste qarkullimi i thashethemeve. Njerëzit thanë që afërsia e saj me militantët ishte diçka e dyshimtë. Aty thanë se pse shtëpia e saj ishte kursyer, ndërsa të tjerat në atë zonë të Maidugurit ishin sulmuar me bomba.

Ishte e vërtetë, tha Ajshja, se ata ishin pajtuar që kurrë të mos e sulmonin. Por arsyeja ishte se shtëpia e saj konsiderohej si një strehë nga të gjitha palët. Kur plumbat fluturonin nëpër qytet, ai ishte vendi ku civilët vinin e strehoheshin. Militantët vinin aty kur ndiqeshin prej sigurimit shtetëror dhe ushtarëve; zyrtarët e sigurimit vinin aty kur iknin prej Boko Haramit.

Në ato momente, agjentët e sigurimit qeveritar dhe luftëtarët e Boko Haramit zateteshin me njëri-tjetrin në shtëpinë e Ajshes, dhe bash atë gjë e donte ajo. Ajshja do t’iu sillte ushqim dhe do t’i bënte që ata të hanin me njëri-tjetrin në paqe. “Ata hanin, dhe ishin shumë të lumtur,” më tha ajo duke qeshur. Në fillim do të ishin shumë të ngurrueshëm, por kur vinte ushqimi nisnin e flisnin me njëri tjetrin.

Ky ishte versioni i Ajshes për ndërtimin e paqes. Por, jobefasisht, disa prej njerëzve ndiheshin jo aq rehat për këto metoda joortodokse. Më 14 gusht të 2016-s, Ajshja u shpall si “e kërkuar” nga ushtria nigeriane pasi militantët e lëshuan një video të vajzave të Chibokut që ishin kapur. Në deklaratë, zëdhënësi i ushtrisë, Sani Usman, tha që Ajshja – dhe dy të tjerë që ishin “të kërkuar”, një gazetar dhe një aktivist i paqes – ishin “në posedim të informacioneve mbi kushtet dhe lokacionin ekzakt” të vajzave të Chibokut. “Ata duhet, prandaj, të vinë e të na kallëzojnë,” tha Usmani.

Ajshja ishte e shqetësuar. Jo vetëm që nuk e dinte se ku ishin vajzat, por për vite me radhë kishte bashkëpunuar me shërbimet e sigurisë. Ajo ishte takuar me shefin e stafit të ushtrisë dhe i mbante të informuar mbi aktivietet e saj. E tash po trajtohej si një bashkëpunëtore. Ajo e vendosi një përgjigjje në Facebook: “Po, unë kam lidhje me Boko Haramin dhe ju e keni ditur gjithnjë atë punë. Unë isha në ballë të luftës për paqe shumë para se vajzat e Chibokut të kidnapoheshin. Sigurimi i Nigerisë më njeh mua shumë mirë, nuk jam e fshehtë. Pse të më deklarojnë se jam e “kërkuar”?… kjo e ka vënë familjen e ngushtë dhe të gjerë timen të ndjej shumë presion, dhe unë nuk e meritoj këtë nga qeveria.”

Ditën tjetër, Ajshja shkoi vetë në zyret e ministrisë së mbrojtjes në Abuja, dhe u mor në pyetje për rreth tetë orë. Personeli i sigurimit e pyeti për storjen e vet jetësore, si përfundoi në Maiduguri, dhe si ia doli t’i njihte militantët. Megjithëse nuk iu ofrua asnjë kërkimfalje, ushtria e pranoi storien dhe e liroi pas 48 orësh. Ajo u kthye në Maiduguri dhe rinisi punën.

Në fillim të shtatorit të 2018-s, dy vjet pas marrjes në pyetje, Ajshja ishte ulur në zyren e saj me dy militantë të Boko Haramit. “A po më dëgjon? Do të dorëzohemi,” tha Ali Garga, një prej militantëve të Boko Haramit, me zë të butë. “Nuk duam që sigurimi të na shqetësojë, si policia.”

Ajshja ishte ulur në karrigen e saj dhe po e dëgjonte në heshtje. Vitin e kaluar, ajo kishte hapur një organizatë jofitimprurëse të quajtur Kujdesi i Plotë dhe Fondacioni i Ndihmës. Pas disa javësh, ajo dhe ekipi i saj do të vizitonin kampet e refugjatëve, ku do të shpërndanin tesha dhe ushqim për gra që kishin humbur burrat nga Boko Harami.

Por puna lehtësuese e ndihmuese nuk ishte prioriteti i saj më i madh. Ajo me urgjencë donte që djemtë e saj të ndalnin dhunën – dhe kjo po i shkaktonte edhe dëme fizike. Ajo vuajti nga dhimbja akute e shpinës dhe nga kokëdhimbjet gjunjëzuese. Megjithatë, e vazhdoi punën.

“Do të lëmë gjithçka, do të lëmë gjithçka, Nanë,” vazhdoi Garga, duke folur në emër të burrave në njësitin e tij. Ai nuk specifikoi se sa burra donin të dorëzoheshin. Një burrë me trup asht e lëkurë por sy të këndshëm, Garga ishte një çoban para se të bëhej muxhahedin. Por ai ishte lodhur nga jeta guerile, dhe po e kuptonte atë që Boko Harami po e bënte si kriminale, e jo islamike. I mungonin loptë e tij, shtëpia e tij, liria e tij. Më vonë, ai mu kthye e më shpjegoi se po dorëzohej sepse Ajshja po ia bënte të mundur këtë gjë.

Si pjesë të dorëzimit, Garga tha që po planifikonte të lironte disa prej vajzave të Chibokut që po mbaheshin si pengje. Prej 276 sosh, rreth 112 ende po mungonin. Garga, që pretendonte se i kishte rreth 40 prej tyre nën kujdesin e tij në një lokacion sekret, i tha Ajshes se do të ikte nga kampi me vajzat dhe me të kidnapuarit e tjerë.

Një orë më vonë, Ajshja më tha se ishte koha që djemtë e saj të hanin bukë. Ajo iu solli oriz dhe shishe me ujë. Burrat u ulët në heshtje, dhe nisën të hanin deri kur një informues nisi ta lavdëronte Ajshen. “Nana Ajshe, nana e Boko Haramit. Zoti të bekoftë. Zoti të ndihmoftë,” – tha ai.

Tri javë më vonë, unë isha në shtëpinë e ajshes një të shtune mbrëma kur ajo mu afrua me telefonin në dorë, duke bërtitur, “Aliu ka vdekur! Aliu ka vdekur!” Një spiun i besueshëm, me të cilin isha takuar disa herë, veç sa e kishte thirrur. Ajshja ishte histerike. Nisi të qante. E pashë derisa po i dridheshin krahët. Ajo më tha që kur Garga ishte kthyer në kamp, disa prej muxhahedinëve ek ishin kuptuar planin e tij për të ikur me vajzat e Chibokut. Më pas e vranë. Më pas, do të merrej vesh se ai ishte tortururar para se të vritej.

Vdekja e Ali Gargës ishte një kthim i madh pas në bisedimet paqësore të Ajshes. Gjërat nuk po i shkonin mirë kohët e fundit. Ajo i kishte shitur shumë prej pronave të saj, përfshirë bizhuteritë dhe tokat, dhe nuk kishte më para për t’u kujdesur për militantët që të iknin prej grupit. Bisedimet vazhdonin të binin në qorrsokaqe. Informatorët e saj po vriteshin dersia udhëtonin prej Maidugurit e nëpër kampe. Ajo kurrë nuk e dinte se kush po i bënte këto vrasje. Vazhdimisht, ajo do të merrte një mesazh se një tjetër kontakt i ishte vrarë.

Në fundin e vitit 2019, fondacioni i saj u padit me pretendimet për mashtrim. Ajo u burgos më pas. Sipas agjencisë anti-korrupsion të vendit, kontraktorët që i kishin dhënë rreth 200 mijë euro të ardhura, nuk ishin paguar mbrapsht.

Në muajin janar, unë udhëtova për në Maiduguri që ta shihja Ajshen në burg ku po mbahej. Mësova që administratorët e burgut e kishin lejuar që të shkonte në spital e të trajtohej për shtypjen e lartë të gjakut. Në spital, Ajshja më tha se ishte e pafajshme, duke fajësuar menaxherin e programit, që ishte marrë me kontratatat (njësoj si Ajshja, edhe menaxheri i programit dhe drejtori ishin deklaruar të pafajshëm. Gjyqi është shtyer deri në një njoftim të aradhshëm, dhe të tre të dyshuarit mbeten në paraburgim.)

Në ndërkohë, Ajshja më tha, se numri i njerëzve që po i bashkoheshin Boko Haramit po rritej, pavarësisht se ushtria nigeriane po pretendonte për të kundërtën. Ata po blinin tashmë armë tepër të sofistifikuara: raketa anti-ajrore ruse dhe mortaja që kishin qarkulluar në Afrikën e Veriut që nga fundi i Muammar Gaddafit të Libisë, por po ashtu edhe drone.

Pavarësisht prezencës së task forcës multinacionale të njësisë së trajnuar speciale, dhe pretendimeve të vazhdueshme të presidentit nigerian se grupi “ishte mposhtur teknikisht”, militantët vazhdojnë sulmet. Në mars, ushtria nigeriane dhe ajo chadiane e bënë një operacion të madh kundër Boko Haramit. Më vonë gjatë atij muaji, 92 ushtarë chadianë u vranë në një betejë që zgjati për shtatë orë. Forcat chadiane pretendojnë se i vranë rreth 1 mijë militantë. Në qershor, militantët kryen sulme të përsëritura në veri-lindje të Nigerisë që lanë shumë të vdekur.

Zor të thuhet kush po e fiton luftën, por djemtë e Ajshes po vdesin para se të munden që të dorëzohen. Disa ditë pasi Ali Garga u vra, Ajshja më thirri në dhomën e spitalit për t’i parë disa video të vjetra të tij. Ishte mbrëmje, dhe unë u ula ndanë Ajshes, dhe po e shikoja tabletin në duart e saj.

Ajshja po buzëqeshte derisa shihte birin e saj derisa vallëzonte. Kujtova diçka që më kishte thënë ajo një mbrëmje në kuzhinën e saj. Krejt çka donte, ishte që djemtë e saj të dorëzoheshin. /The Guardian/Periskopi

Shpërndaje në: