Napoli deklason Rangers në Glasgow të Skocisë

Napoli  deklason Rangers në Glasgow të Skocisë

Napoli i Amir Rrahmanit ka vazhduar me fitore në Ligën e Kampionëve. Ata kanë mposhtur skuadrën e Rangers me rezultat 0-3. Politano (68’ penallti), Raspadori (85’) dhe Ndombele (90+1’) ishin gola shënuesit për Napolin që janë në vendin e parë të Grupit A me 6 pikë

Napoli i Amir Rrahmanit po vazhdon me fitore në të gjitha frontet dhe ende është pa humbje në sezonin e ri, si me ndeshje në Serie A, ashtu edhe në ato në Ligën e Kampionëve.

Në pjesën e parë të kësaj ndeshje pati shumë intensitet, ku Rangers menjëherë filloi sulmet në drejtim të Meret.

Alfredo Morelos do të rrezikonte qysh në minutën e parë të ndeshjes por shpejt edhe Napoli do të rrezikonte. Piotr Zielinski e goditi shtyllën në minutën e 3-të dhe Napoli për pak sa nuk e shënoi golin e parë.

Minuta e 13-të shënoi një rast tjetër për Rangers. Scott Arfield hyri në zonë dhe goditi topin por Alex Meret bëri një pritje të mahnitshme.

Allan McGregor do t’ia mohonte golin Giovanni Simeones të Napolit në minutën e 18-të pasi që bëri një pritje të mahnitshme duke dëbuar topin në korner.

Rasti i fundit në pjesën e parë në këtë ndeshje ishte ai i minutës së parë shtesë nga Khvicha Kvaratskhelia i cili për pak sa nuk shënoi në portën e McGregor.

Pjesa e dytë nisi shumë e ashpër nga ana e skocezëve dhe në minutën e 55-të ata do të mbesin me një lojtarë më pak, pasi që James Sands shkaktoi penallti dhe u ndëshkua me karton të kuq.

Zielinski dështoi për të shënuar nga pika e bardhë në tentimin e parë pasi që kjo penallti u përsërit. Edhe në tentimin e tij të dytë polaku nuk arriti që të shënonte gol pasi që McGregor priti të dyja herët goditjen e tij.

Por, Napoli do ta shtonte presionin dhe do ta fitonte edhe një penallti në minutën 68-të, të cilën në gol e shndërroi kësaj here Politano.

Në minutat e fundit, skuadra e Rrahmanit shënoi edhe dy gola.

Mathias Olivera Miramontes e gjeti shumë mirë në zonë  Giacomo Raspadori  i cili debutoi me gol në Ligën e Kampionëve duke shënuar në minutën e 85-të.

Krejt në fund të ndeshjes, Napoli shënoi edhe një gol për rezultat 0-3. Anguissa pasoi tek Ndombele që shënoi për rezultat 0-3.

Rrahmani luajti në këtë ndeshje për 90 minuta lojë.

Napoli në dy ndeshjet e radhës ka punë me Ajaxin kurse Rangers do të luajë kundër Liverpoolit.

Shpërndaje në: