NATO pritet ta shpallë zyrtarisht armike Rusinë: Rritet rreziku për sulme ndaj vendeve anëtare

NATO pritet ta shpallë zyrtarisht armike Rusinë: Rritet rreziku për sulme ndaj vendeve anëtare

NATO do ta shpallë zyrtarisht Rusinë armike në një dokument të ri strategjik që do të miratohet në Samitin në Madrid, raporton Blick. Me sulmin ndaj Ukrainës, presidenti i Rusisë shkeli normat dhe rendin evropian të sigurisë.

“Nuk mund ta përjashtojmë një sulm ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të aleatëve”, thuhet në analizën e NATO-s.

Kjo është arsyeja pse NATO duhet ta rrisë ndjeshëm aftësinë mbrojtëse dhe parandaluese “kundër dhunës ruse”.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e përshkruan Samitin si historik. Në Samit do të tregohet uniteti dhe aftësia për t’u përshtatur me një ndryshim të ri në botë.

Ai pritet që të bëhet e qartë se Rusia “përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë”.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka njoftuar për rritje të prezencës ushtarake amerikane në Evropë.

Duke folur në Samit në Madrid, ai ka thënë se forcat amerikane do të forcojnë tokën, ajrin dhe detin, pasi presidenti rus Putin e ka “shkatërruar paqen”.

“Së bashku me aleatët tanë do të sigurohemi që NATO të jetë e gatshme për t’iu përgjigjur kërcënimeve nga të gjitha drejtimet. NATO është më e rëndësishme se kurrë më parë”, ka thënë Biden.

Ai ka shtuar se aplikimet e Finlandës dhe Suedisë për t’iu bashkuar aleancës ka qenë saktësisht ajo që Putini nuk ka dashur.

Kancelari gjerman Olaf Scholz ndërkohë ka thënë se NATO do të vazhdojë ta përkrahë Ukrainën me armë sado që të jetë e nevojshme.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka thënë se Rusia do të identifikohet si “kërcënimi kryesor” i NATO-s në konceptin e ri strategjik.

Shpërndaje në: