Ndalohen 8 persona lidhur me rastin e vrasjes në Hallaq të Lipjanit

Ndalohen 8 persona lidhur me rastin e vrasjes në Hallaq të Lipjanit

Prokuroria Themelore në Prishtinë me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ndaluar tetë persona të përfshirë sot në rastin e vrasjes në Hallaq të Madh në Lipjan.

Sipas prokurorisë, njëri nga të dyshuarit është ndaluar me dyshimin se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, një person i dyshuar për veprat penale “Vrasja në tentativë”, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, katër persona të dyshuar për veprat penale “Ndihma”, dhe “Pjesëmarrja në rrahje”, si dhe dy persona të dyshuar për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.

Prokuroria sqaron se rasti ka ndodhur sot rreth orës 07:00 të mëngjesit në fshatin Hallaqi i Madh të komunës së Lipjanit, pas një përleshjeje me armë zjarri, si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes dy familjeve, një person ka vdekur duke mos mundur t’i mbijetojë plagëve të mara nga arma e zjarrit, ndërsa pesë persona të tjerë kanë marrë lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda, bashkë me Policinë e Kosovës, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit në fjalë. Po ashtu, Prokurori i Shtetit, ka lëshuar urdhëresë për obduskion për trupin e pajetë”, thuhet në njoftim.

Shpërndaje në: