Ndërprerja e seancës konstituive – flasin nga Presidenca: S’kemi pranuar ende asnjë letër nga Kuvendi

Zyra e Presidencës së Kosovës nuk ka pranuar ende asnjë letër nga Kuvendi i Kosovës.
Kështu të paktën ka bërë të ditur, Bekim Kupina, këshilltari për Media e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
“Deri më tani nuk ka arritur asnjë letër nga Kuvendi. Para përgjigjes duhet të vijë pyetja”, tha ai për Albanian Post, transmeton Periskopi.
Seanca konstituive për legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës u ndërpre pas afër dy orë punime. Deputetët nuk arritën të kalonin pikën e parë të rendit të ditës, atë të miratimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.
Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës argumentuan mosvotën e tyre për këtë raport me faktin se anëtarët e qeverisë në detyrë – që janë zgjedhur deputetë – nuk dorëzuan me kohë dorëheqjet e tyre nga postet ekzekutive.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e ndërpreu seancën dhe tha se do ta njoftojnë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, se si të veprohet më tutje.