Ndërtesën që nuk ia miratoi Jahjagës, Thaçi e dëshiron për vete
Kërkesën të cilën Hashim Thaçi nuk ia kishte miratuar presidentes Atifete Jahjaga, tani atij do t’ia miratojë kryeministri Isa Mustafa, shkruan sot Koha Ditore.
Bëhet fjalë për zhvendosjen e Zyrës së presidentit nga Kuvendi i Kosovës, ku gjendet aktualisht, në objektin e ish-Komitetit, i cili shfrytëzohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit, si dhe nga Ministria e Bujqësisë.
Në Presidencë kanë konfirmuar ekzistencën e kërkesës e deponuar në Kryeministri në fillim të vitit 2014, por nga e cila pak kohë më vonë presidentja ishte tërhequr pas përllogaritjes së kostos për rinovimin e objektit.
Nga Zyra e kryeministrit kanë heshtur për këtë çështje, megjithëse zëdhënësi Arban Abrashi javën e kaluar ka premtuar se do të ofrojë sqarime të detajuara.
Ministria e Administratës Publike zyrtarisht thotë se nuk ka pranuar ndonjë kërkesë për ndërrimin e lokacionit. /Koha/



