Ndodh në restorantin e një pompe në Prishtinë: Kamarieri tentoi ta dhunonte 20 vjeçaren në banjo

Ndodh në restorantin e një pompe në Prishtinë: Kamarieri tentoi ta dhunonte 20 vjeçaren në banjo

Vajzat në Kosovë përballen me sulme seksuale në vende të ndryshme publike, ku pa fije turpi të rinj e të moshuar ia mësyjnë atyre, duke i sulmuar e ngacmuar. Për një rast të tillë, ka nisur së fundmi hetimet Prokuroria Themelore në Prishtinë. Subjekt i hetimit këtë herë është kamerieri i restorantit të pompës së derivateve “HIB”, në Prishtinë.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se rasti ka ndodhur në pikën e pompës, në rrugën “Jusuf Gërvalla”, në Prishtinë, në orët e mëngjesit të së premtes.

Gjithçka dyshohet se ndodhi pasi vajza shkoi në restorantin e kësaj pompe për të ngrënë dhe u përballë me kamerierin që e mori porosinë.

Përveç porosisë së vajzës, i dyshuari 17-vjeçar ia la edhe vet një porosi asaj. Duke e kapur për këmbëve dhe për beli, ai dyshohet se i është drejtuar asaj me fjalët “hajde të shkojmë në banjo, hajde se t’u ulem në gjunjë”.

Kjo situatë e shqetësoi viktimën, e cila në atë moment tentoi të shpëtojë, duke ikur, por që s’ia arriti.

Situata vetëm sa është tensionuar, pasi i dyshuari nuk ishte zmbrapsur. Në dëshminë e saj të dhënë para hetuesve, thuhet se kamerieri e kishte kapur me forcë dhe e ka dërguar në tualet, ku ia kishte mbyllur derën me çelës.

Pavarësisht rezistencës së saj, kamerieri nuk ishte ndalur, duke vazhduar që ta kap vajzën në duar e në qafë, në mënyrë që të mos lëvizë.

Por pas një kohe të shkurtër, ajo ka arritur që të largohet dhe për fatin e saj në atë restorant i ka parë dy zyrtarë policorë, nga të cilët ka kërkuar ndihmë. Policia e ka shoqëruar viktimën në stacion policor, e cila po ashtu ka marrë trajtim mjekësor.

Lidhur me rastin ka njoftuar edhe policia përmes raportit 24 orësh, ku kanë bërë të ditur arrestimin e të dyshuarit.

“Viktima femër kosovare deklaron se është sulmuar seksualisht nga i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, rasti në procedurë hetimore”, njoftoj policia.

Veprimet ndaj të dyshuarit kanë qenë të menjëhershme, pasi i njëjti është shoqëruar në stacion policor, ku është përballur me denoncimin kundër tij.

Përveç të të dyshuarit, hetuesit kanë ftuar në cilësinë e dëshmitarit edhe një punëtor të pompës së derivateve “HIB”, i cili ka dhënë deklaratë lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë, për veprën penale “sulm seksual”.

Shpërndaje në: