Ndryshime në Ligjin zgjedhor dhe Kushtetutën e Bosnjës

Ndryshime në Ligjin zgjedhor dhe Kushtetutën e Bosnjës

Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, mori një vendim për masat që synojnë përmirësimin e funksionalitetit të entiteteve të Federatës së Bosnjë e Hercegovinës dhe sigurimin e zbatimit në kohë të rezultateve të zgjedhjeve të mbajtura të dielën, më 2 tetor.

Paketa e masave përmban ndryshime në Ligjin zgjedhor dhe Kushtetutën e Federatës së Bosnjë e Hercegovinës. Ndryshimet i referohen ekskluzivisht konstituimit paszgjedhor të organeve të zgjedhura në mënyrë indirekte.

“Kërkesa ime urgjente për Parlamentin e zgjedhur të Bosnjë e Hercegovinës sot është që të miratohet me shpejtësi vendimi që është diskutuar për më shumë se dhjetë vjet: zbatoni aktgjykimet Sejdiq-Finci, Zorniq dhe të gjitha vendimet e Gjykatës në Strasburg dhe gjykatave në Sarajevë”, tha Schmidt përmes një deklarate.

Më 22 dhjetor, 2009, Gjykata Evropiane konstatoi se Kushtetuta e Bosnjës i diskriminon drejtpërdrejt pakicat, duke mos lejuar pjesëmarrjen e barabartë të tyre në zgjedhjet demokratike.

Atëbotë, rasti u dërgua në gjykatë nga Dervo Sejdiq, rom, dhe Jakob Finci, boshnjak.

Por, autoritetet e Bosnjës, që nga ajo kohë, nuk e kanë ndryshuar ende Kushtetutën dhe tri palë zgjedhje të përgjithshme janë mbajtur në përputhje me të.

Siç thuhet në njoftimin e Schmidit, vendimet paraqesin mekanizma për zhbllokimin dhe afate të përcaktuara rreptësisht “të cilat do të sigurojnë funksionalitetin e Federatës së Bosnjë e Hercegovinës”.

Vendimi për Dhomën e Popujve të Federatës së Bosnjë e Hercegovinës nënkupton që secili nga kombet konstituive (serb, kroat dhe boshnjak), do të ketë nga 23 delegatë, në vend të 17 siç kishin më herët.

“Kjo shpërndarje e mandateve korrigjon mbipërfaqësimin e theksuar të secilit prej tri kombeve konstituive në kantonet ku jetojnë në një numër më të vogël”, thuhet në vendimin e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë.

Shpërndaje në: