Ndryshojnë masat anti-COVID për gastronominë

Ndryshojnë masat anti-COVID për gastronominë

Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja anti-COVID edhe për sektorin e Gastronomisë.

Sipas masave të reja, shërbimet e gastronomisë do të lejohen deri në ora 23:00, ndërkaq muzika në këto ambiente deri në ora 21:30.

“Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 23:00. Muzika lejohet vetëm deri në orën 21:30”, thuhet në vendimin e qeverisë për masat e reja.

[Gastronomia]

33.   Shërbimet e gastronomisë lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre. Klientët dhe stafi i gastronomisë duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.4 në mënyrë që t’u lejohet hyrja në hapësirat e mbyllura të lokaleve, në përputhje me udhëzuesin përkatës.

34.   Në lokalet e gastronomisë është e obliguar të caktohet një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.

35.   Shfrytëzimi i hapësirave të mbyllura lejohet deri në 50% e kapacitetit të hapësirës. Në hapësirat e hapura lejohet shfrytëzimi deri në 70% e kapacitetit të hapësirës. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet.

36.   Kuptimi i shprehjes ‘hapësirë e hapur’ dhe ‘hapësirë e mbyllur’ ka të njëjtin kuptim me Ligjin Nr. 04/L-156 për Kontrollin e Duhanit.

37.   Klientët duhet të qëndrojnë ulur në çdo kohë në kuadër të lokaleve të shërbimeve të gastronomisë në të cilën lejohet shërbimi i ushqimit apo pijeve, përveç:

37.1.          Gjatë hyrjes apo daljes nga ambienti i lokalit;

37.2.          Ndërsa paguan porosinë;

37.3.          Gjatë shkuarjes apo kthimit nga tualeti;

37.4.          Kur është e nevojshme për qëllime të shëndetit dhe sigurisë.

38.   Në rastet nga pika 37.1 deri 37.4 është e obliguar bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën.

39.   Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 23:00.

40.   Muzika lejohet vetëm deri në orën 21:30.

41.   Përgjegjësit e lokaleve duhet të sigurohen që distanca ndërmjet klientëve në tavolina të ndryshme të jetë së paku një (1) metër.

42.   Pjesa e prapme e një karrigeje, me pjesën e prapme të karriges tjetër duhet jenë në distancë së paku një (1) metërshe.

43.   Në hapësirat e mbyllura lejohen deri në 4 persona në tavolinë. Në rast se tavolinat janë më të mëdha se dy (2) metra, atëherë parakusht është kufizimi prej pesë (5) persona në 10 m2.

44.   Në hapësirat e jashtme lejohen deri në gjashtë (6) persona në tavolinë apo banak.

45.   Çdo tavolinë duhet të jetë e pajisur me dezinfektues që përmbajnë së paku 60% alkool.

46.   Shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 22:30, pas pajisjes me leje të veçantë nga sistemi EDI (ATK).

H. [Qendrat tregtare dhe operatorët e tjerë ekonomikë]

47.   Lejohet veprimtaria e qendrave tregtare sipas udhëzuesit përkatës.

48.   Obligohen të gjithë operatorët, të cilët për veprimtari ekonomike e kanë tregtinë me shumicë dhe pakicë, që të përcaktojnë numrin maksimal të klientëve në lokal në të njëjtën kohë sipas rregullit – 1 person për 8 m2. Këta operatorë obligohen të shënojnë në hyrje numrin maksimal të klientëve të lejuar në të njëjtën kohë. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku lejohen të qëndrojnë klientët.

49.   Klientët dhe stafi në qendra tregtare dhe qendra  të thirrjeve (call center) duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në objekt.

50.   Në qendrat tregtare dhe qendrat e thirrjeve (call center) është e obliguar të caktohet një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.

I. [Puna me palë]

51.   Në institucionet publike/private apo biznese, punonjësit/personeli i cili ka punë me palë/kontakt të drejtpërdrejtë me klientë (duke përfshirë, por duke mos u kufizuar, berberë, vozitësit e taksive, punonjësit në markete dhe banka etj.), duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në objekt. Obligohet  të caktohet një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.

52.   Personi përgjegjës i institucionit publik apo privat dhe i operatoreve ekonomikë, obligohet që të ndalojë rreshtimin apo tubimin brenda dhe jashtë ambientit të punës/biznesit, përveç nëse mbahet distancë fizike prej të paktën 1 metër nga grupet e tjera të personave.

Shpërndaje në: