Në dokumentin e nënshkruar nga Kurti dhe shefi i BE-së, Kosova quhet ‘territor’ dhe ka fusnotë

Në dokumentin e nënshkruar nga Kurti dhe shefi i BE-së, Kosova quhet ‘territor’ dhe ka fusnotë

Në dokumentin e Marrëveshjes së Mirëkuptimit të arritur ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, më saktësisht në titull, Kosova shënohet me fusnotë dhe quhet si “territor”.

Një marrëveshje e këtillë u arrit përgjatë ditës së djeshme lidhur me vazhdimin një-vjeçar të shfrytëzimit të ndërtesës , në të cilën janë të vendosura zyrat e BE-së, shkruan lajmi.net.

Në pjesën sqaruese të fusnotës së titullit në dokument, thuhet se referimi është bërë “pa paragjykime, në përputhje me statusin dhe në një linjë me Rezolutën 1244 dhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”.

Megjithatë, në paragrafin e dytë dokumenti përmend termin “Republikë e Kosovës” dhe “territor i Kosovës” njëkohësisht, kur flitet për pëlqimin e Qeverisë së Kosovës për vazhdimin e kontratës së shfrytëzimit të objektit të BE-së edhe për një vit.

Përgjatë mbrëmjes së të enjtes, ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, kanë zhvilluar takim me kryeministrin Albin Kurti.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi dhe këshilltarja ligjore, Tea Blakaj, priti në takim ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë: të ngarkuarin me punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nicholas Giacobbe, ambasadorin e Gjermanisë, Joern Rohde, ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, zëvendësambasadorin e Francës në Kosovë, Francois Cypien, ambasadorin e Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, dhe Përfaqësuesin e Posaçëm e Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog”, është njoftuar nga kryeministria.

Lajmi.net përgjatë së enjtes iu është drejtuar shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, për ta pyetur nëse pjesë e diskutimit ishte edhe çështja e Manastirit të Deçanit, por nga kjo Zyrë kanë thënë t’i referohen komunikatës së Qeverisë.

Shpërndaje në: