Në fillim e mohoi se e rrahu, por tash Kurteshi thotë se e mori me qitë jashtë viktimën në KQZ

Në fillim e mohoi se e rrahu, por tash Kurteshi thotë se e mori me qitë jashtë viktimën në KQZ

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi ka folur në lidhje me incidentin e djeshëm në objektin e KQZ-së, ku ishte i përfshirë.

Ai ka thënë se e ka nxjerrë jashtë një person pa maskë i cili ishte në korridorin e KQZ-së, ndërkaq tha se nuk ka pasur as sharje e as fyerje, e as ndonjë sulm ndaj tij.

“Rastësisht e kam pa një djalë pa maskë, dhe e kam pyet ku e ka maskën, edhe nuk më ka bë zë. Ai më tha as nuk kam, e as nuk e vendosi? I thashë që duhet me dal jashtë, e kam marr edhe e kam qit jashtë. Nuk ka pas as ofendime, as sharje as fyerje, kam bërtit me qëllim, me dëgju krejt, kanë qenë edhe shtatë a tetë veta. Ai ka dal jashtë”, tha Kurteshi gjatë mbledhjes së KQZ-së.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka dhënë detaje për incidentin e djeshëm në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku dyshohet se një zyrtar i këtij institucioni është sulmuar për shkak të mos mbajtjes së maskës, nga anëtari i KQZ-së nga LVV-ja, Sami Kurteshi.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ishte raportuar rreth orës 12:20.

Viktima siç thuhet në raport është shtyrë dhe larguar nga korridori nga i dyshuari pasi nuk kishte vendosur maskë.

“Rr. Migjeni, Prishtinë 25.08.2021 – 12:20. Viktima mashkull kosovar ka deklaruar se, në korridor të objektit është shtyrë dhe larguar nga korridori nga i dyshuari mashkull kosovar për shkak se viktima nuk e kishte maskën”, thuhet në raport.

Po ashtu, lidhur me rastin janë intervistuar dy dëshmitar rasti.

“Është njoftuar prokurori, ndërsa rasti vazhdon të hetohet”, thuhet tutje në raport.

Ndërkohë Kurteshi dje për Express, ka thënë se raportimet se ai e ka sulmuar dikë në KQZ, janë gënjeshtra.

Kurteshi njihet në publik për debatet e ashpra me anëtarët e tjerë në KQZ.

Kurteshi para se të vihej në pozitën e anëtarit në KQZ, ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës, gjatë viteve 2017-2019.

Shpërndaje në: