Në mars, Kosova importoi mall në vlerë 7.4 milionë euro nga Rusia – I bleu Vodkë asaj e Ukrainës

Në mars, Kosova importoi mall në vlerë 7.4 milionë euro nga Rusia  – I bleu Vodkë asaj e Ukrainës

 Tregtia për tregtarët si duket nuk po njeh rrezik. Kjo dëshmohet pikërisht në periudhën e agresionit rus ndaj Ukrainës. Në këtë rreth hyjnë edhe tregtarët kosovarë të cilët përgjatë muajit mars kanë importuar  miliona euro mallra nga të dyja shtetet, por shumë më shumë nga Rusia…

Të dhënat e Doganës së Kosovës për muajin mars të cilat i ka parë Periskopi, tregojnë se tregtia me Rusi e me Ukrainë nuk po ndalet, përkundër situatës tensionuese e krizës ekonomike që ka kapluar rajonin e botën.

Gjatë muajit të kaluar, bizneset e Kosovës nuk blenë shumë mall nga Ukraina, megjithatë nuk e ndalën biznesin. Vlera totale e importit  nga atje kapë shifrën e 2 milionë eurove. Në statistika figuron se janë  sjellur gjëra si raki Vodka, çokollata, shampo, çorapë për gra, etj. Ndërsa në vlera pak më të mëdha u ble llamarinë prej çeliku  dhe produkte të saj.

Çka mori Kosova prej Rusisë?

Biznesi nuk u ndal as me Rusinë agresore. 7.4 milionë euro është vlera e importimit të mallit nga shteti i Putinit.

Si për çudi, pija alkoolike Vodka qëndron malli i përbashkët që Kosova e mori edhe nga Ukraina edhe nga Rusia.

Nga Federata Ruse,  del se në masë të madhe është importuar malli që për kod doganor ka “Shufra çeliku të pa lidhur, me përmbajtje 0,25 %,0,75 % karbon, petëzuar në të nxehtë, me diametër”.

Kujtojmë që shumë vende të botës  e kanë bllokuar Rusinë në sektorin e mallrave dhe tregtisë. Një pjesë e madhe e dyqaneve në Amerikë dhe Kanada nuk do të shesin më pije alkoolike ruse, (vodkën ruse), si përgjigje ndaj sulmit që presidenti Putin po bën në Ukrainë.

Më datë 24 Shkurt 2022, menjëherë pas nisjes së invazionit në shtetin ukrainas, Këshilli Europian mbajti një mbledhje speciale me sanksione ekonomik ndaj Rusisë, përfshirë në sektorin financiar; të energjisë dhe transportit; eksporteve etj. Ndërkaq, më  2 mars, Këshilli vendosi edhe për ndalimin e Sistemit SWIFT për transaksione bankare ndërkombëtare të shtatë bankave Ruse.

Këtyre sanksioneve në fusha specifike u ishte bashkuar Kosova e vende të tjera të rajonit, përpos Serbisë.

Ndryshe, kur jemi tek krizat, Ukraina është një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të drithërave, për çka autoritetet vendore kanë paralajmëruar se mes bombardimeve e kanë të pamundur kultivimin.

Për këtë, bota pritet të përballet me një krizë të mundshme ushqimore. Çmimet çdo ditë janë në rritje dhe miliona njerëz janë në rrezik të vuajnë nga uria. Si pasojë e luftës, kriza u ndje edhe në Kosovë me ngritje të çmimeve në produkte esenciale ushqimore./PERISKOPI/

 

 

 

 

Shpërndaje në: