‘Në nëntor do udhëtoj në SHBA’ – Iku nëntori, Kurti demanton veten

‘Në nëntor do udhëtoj në SHBA’ – Iku nëntori, Kurti demanton veten

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zyrtarisht nuk ka udhëtuar në muajin nëntor për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), kështu ka demantuar edhe vetën kur thoshte se në muajin nëntor të këtij viti do të udhëtojë për në shtetin mik.

Këto deklarata, Kurti i kishte bërë më 20 shtator të këtij viti në Kuvendin e Kosovës, ku kishte thënë se deri atëherë nuk kishte aplikuar për vizë pasi që nuk ka pasur synim të udhëtojë për në SHBA.

“Mirëpo, në SHBA do të udhëtoj në nëntor. Bëhet fjalë për koordinim të brendshëm që unë besoj që është i duhur dhe i mirë për shtetin tonë”, kishte thënë Kurti.
Por, edhe pse tashmë jemi në ditën e fundit të muajit nëntor, kryeministri Kurti nuk ka realizuar ndonjë vizitë në SHBA, përkundër se kishte thënë se kishte në plan një udhëtim të tillë.

Në shtator të këtij viti, Kurti në Kuvend kishte folur edhe për miqësinë me presidentin amerikan, Joe Biden, të cilin Kurti e kishte mbështetur publikisht në kandidaturën e tij për president të SHBA’ve.

“E sa për miqësinë me presidentin Biden, ju e dini që jam kryetari i parë i një subjekti politik që e kam mbështetur paraprakisht e publikisht. Ndërkohë që ju të tjerët keni shikuar kush po fiton”, kishte deklaruar Kurti.

Përveç kësaj, edhe nga qeveria kishin thënë se Kurti është duke planifikuar ta vizitojë së shpejti Amerikën.

“Kryeministri Kurti është i pajisur me vizë amerikane. Ai do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës së shpejti. Vizita e tij është duke u planifikuar”, kishin thënë nga qeveria.
Ndërkaq Gazeta Metro me 3 nëntor kishte raportuar se Kurti e kishte të planifikuar të udhëtonte në nëntor për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konkretisht në shtetin Iowa, siç ishte shprehur edhe vetë Kurti, por ky udhëtim nuk ndodhi pasi që Kurti nuk ka arritur të siguroj asnjë takim me zyrtarë të lartë amerikan, dhe në vend të tij ka udhëtuar zëvendëskryeministrja, Donika Gërvalla-Schwarz.

Shpërndaje në: