Në nëntor nis ndërtimi i shtëpive për serbët në Mushtisht
Në fund të tetorit, ose fillim të nëntorit pritet të nisë ndërtimi i shtëpive të serbëve në Mushtisht të Suharekës.
Kjo periudhë kohore për nisjen e procesit të ndërtimit të shtëpive është caktuar nga komisioni për përgatitje të kthimit të 10 familjeve serbe në Mushtisht.
Mbledhja e komisionit është mbajtur dje, por kryetari i Komunës së Suharekës Sali Asllanaj thotë se para nisjes së ndërtimit duhet të kërkohet leje në Drejtorinë e Urbanizmit.
“Në Drejtorinë e Urbanizimit nuk ka kurrfarë kërkese për leje për ndërtimin e këtyre objekteve. Natyrisht do të duhej që procesin e kthimit ta bëjmë me procedura ligjore, të jepet leja ndërtimore nga urbanizmi,” tha Asllanaj për KALLXO.com.
Ai tregoi se përkrah të drejtën e kthimit në pronën e tyre të banorëve serbë.
“Procesi i kthimit është një proces i cili është përkrahur miratuar nga Qeveria e Kosovës, është Ministria për Kthim që ka për obligim me kryer atë punë dhe unë si kryetar i komunës në asnjë mënyrë nuk jam kundër vullnetit dhe kundër së drejtës ligjore që ka dikush për kthimin në pronën e vet. Kjo është një qasje e komunës shumë pragmatike dhe shumë ligjore,” tha Asllanaj.
Megjithatë, Asllanaj deklaroi se kthimin e vështirëson mosgatishmëria e banorëve shqiptarë të Mushtishtit për të pranuar aty ish-bashkëfshatarët serbë.



