Në Serbi thonë se do të reagojnë “ashpër” lidhur me rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë kundër raportit të Dick Marty-it

Në Serbi thonë se do të reagojnë “ashpër” lidhur me rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë kundër raportit të Dick Marty-it

“Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Serbia do të reagojë ashpër ndaj vendimit të Kuvendit të Shqipërisë, që të enjten mbrëma miratoi një projekt-rezolutë që kundërshton akuzat e raportit të Dick Marty-it për trafikim të organeve”.

Kështu ka thënë politikanja, Dubravka Filipovski, nga partia e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, në një prononcim për Telegrafin serb.

“Është turp për Bashkimin Evropian që nuk bëri asgjë pas raportit të Dick Marty-it, përkundrazi po përpiqet të mbulojë krimin që u bë kundër popullit serb në shtëpinë e verdhë”, tha Filipovski.

Ajo ka theksuar se Serbia i ka dorëzuar të gjitha provat në institucionet kompetente të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi raportin dhe rezolutën e Dick Marty-t për trafikimin e organeve njerëzore në Kosovë në vitin 2011, duke kërkuar një hetim ndërkombëtar për këto akuza.

Për rezolutën patën votuar 169 deputetë, tetë ishin kundër dhe 14 abstenuan.

Gjithsesi, kanë kaluar më shumë se 10 vjet nga miratimi i rezolutës, por asnjëherë nuk janë gjetur prova për trafikim të organeve, përkundër se ka pasur hetime të vazhdueshme.

Pikërisht këtu, konsiston edhe rezoluta e Shqipërisë, e votuar në parlament, që kërkon nga Këshilli Evropian ta rishikojë edhe një herë rezolutën e vitit 2011 në dritën e zhvillimeve të reja.

Shpërndaje në: