Në shënim të 8 Marsit, Ministria e Mbrojtjes organizon konferencë për rolin e gruas në institucionet e sigurisë

Në shënim të 8 Marsit, Ministria e Mbrojtjes organizon konferencë për rolin e gruas në institucionet e sigurisë

Me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, sot në ambientet e Kazermës së FSK-së “Adem Jashari” në Prishtinë, organizuar nga Ministria e Mbrojtjes, u mbajtë Konferenca “Roli i gruas në institucionet e sigurisë”.

Të pranishëm në konferencë ishin: Ish-presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, zëvendësministrja e Mbrojtjes, Sadika Kofrc, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Mbrojtjes, Rozafa Ukimeraj, gjeneralmajor Gëzim Hazrolli dhe oficerë dhe zyrtarë të Ekipit Këshillëdhënës të NATO-s (NALT).

Moderuar nga ana e sekretares Ukimeraj, para vajzave dhe grave zyrtare dhe ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, fjalime mbi rolin e gruas në institucionet e sigurisë, konkretisht në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, mbajtën ministri Quni dhe gjeneral Rama.

Në vazhdim, konferenca zhvilloi punimet në formatin interaktiv me komente e pyetje nga ana e të pranishmeve, adresuar ish-presidentes Jahjaga dhe anëtarëve tjerë të panelit përkatës.

Nga ana e saj ish-presidentja Jahjaga, në fjalën e saj kryesore, vlerësoi shumë lart rolin e gruas në prosperitetin e përgjithshëm të shoqërisë njerëzore si dhe atë të gruas kosovare në veçanti në të gjitha etapat historike me theks në periudhën e rezistencës dhe luftës për liri, pavarësi dhe demokraci.

Konferenca përkatëse, nga të gjithë u vlerësua e suksesshme duke u përmbyllur me vendosjen e luleve te memoriali “Heroinat” nga ana e delegacionit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, në përkujtim dhe nderim të rreth 20 mijë grave të dhunuara në luftën e fundit në Kosovë.

Shpërndaje në: