Në shkurt: Paralajmërohet shtrenjtim i rrymës pas këtij muaji

Në shkurt: Paralajmërohet shtrenjtim i rrymës pas këtij muaji

Shtrenjtimi i energjisë elektrike dhe rikthimi i bllok-tarifave janë vetëm disa kërkesa që Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE) është duke i shqyrtuar për strukturën e re tarifore.

Të dhënat e detajuara rreth kësaj strukture, ZRRE paralajmëron se do t’i bëjë publike në fillim të muajit shkurt.

“Shpresojmë që raportet përfundimtare të publikohen sapo ekspertët e ZRRE-së t’i analizojnë të gjitha të dhënat. Të gjitha palët do të njoftohen në kohën kur raportet do të bëhen publike”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së dërguar Radios Evropa e Lirë.

Në muajin dhjetor, ky institucion – pas kërkesave të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) – ka nisur të bëjë shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike.

Ky shqyrtim është thënë se ka për qëllim të reflektojë mbi çmimet e ngritura të importit të rrymës, si pasojë e krizës globale energjetike.

ZRRE bën të ditur se tarifat që do të përcaktohen në këtë shqyrtim, do të aplikohen për një vit.

Kjo lë të kuptohet se shqyrtimi i rregullt i tarifave, që zakonisht bëhet në prill të çdo viti, eliminohet.

ZRRE nuk jep ndonjë të dhënë se sa mund të shtrenjtohet rryma. Por, Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) ka kërkuar tashmë që rritja të jetë 7 për qind.

Konsumatorët e Kosovës aktualisht paguajnë 6.75 centë për kilovat në orë.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, thotë për Radion Evropa e Lirë se me ftohjen e motit, kërkesat për energji elektrike janë rritur.

Për të përmbushur nivelin e konsumit, i cili më datën 11 janar ishte 1232 megavatë në orë, Buzhala thotë se janë duke importuar energji elektrike mbi 500 megavatë dhe atë me çmime të larta.

“Çmimet e importit kanë qenë në rënie nga data 24 dhjetor, 2021, por në dy ditët e fundit kanë filluar të rriten. Varet nga kontrata që realizohet, por, për momentin, çmimi i energjisë elektrike për megavat shkon deri në 270 euro”, thotë Buzhala.

Importi i energjisë elektrike është i pashmangshëm, pasi që termocentralet në Kosovë aktualisht nuk po arrijnë të prodhojnë më shumë se 500 megavatë energji elektrike në orë.

Një nga arsyet për nënprodhim është vjetërsia me dekada e termocentraleve.

 

Shpërndaje në: