Në vend të një tenderi, MINT realizon dymbëdhjetë të vegjël për punët e njëjta

Në vend të një tenderi, MINT realizon dymbëdhjetë të vegjël për punët e njëjta

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë -MINT, në vend që të realizojë një tender të vetëm për punë të njëjta, këtë e ka bërë duke realizuar 12 tender të vegjël, shkruan Periskopi.

Sipas Ligjit të Prokurimit Publik, autoriteti kontraktues për të planifikuar aktivitetet e prokurimit duhet të mbledhë kërkesat, kur është e mundshme (të njëjta ose të ndërlidhura), për të fituar vlerën për paranë dhe për të reduktuar kostot e prokurimit. Por, Zyra Kombëtare e Auditorit -ZKA, gjatë auditimit të Pasqyrave Financiare për vitin 2021 të MINT, ka identifikuar se në 12 procedura të prokurimit në vlerë prej 14,807 euro, ministria kishte aplikuar ndarje të tenderëve për punë të njëjta, duke përdorur procedurën e kuotimit të çmimit, si dhe vlerën minimale.

Sipas, auditorit, kjo kishte ndodhur si rezultat i kërkesave të shumta nga njësi kërkuese të ndryshme për furnizime të cilat nuk ishin të planifikuara.

“Mos aplikimi i një procedure të vetme të prokurimit për kërkesat e njëjta/ngjashme mund të rezultojë me një kosto më të lartë të shpenzimeve sesa çmimet e konkurrencës”, thuhet në raportin e auditorit për MINT.

Në këtë raste ZKA i ka rekomanduar, ministres, Rozeta Hajdari që të sigurojë që planifikimi i prokurimit bëhet në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet menaxherit të prokurimit me njësitë kërkuese për të diskutuar kërkesat e tyre me kohë për prokurim, në mënyrë që të ketë një planifikim të drejtë dhe të saktë, duke evituar çfarëdo ndarje të aktiviteteve të njëjta të prokurimit. /Periskopi/

Shpërndaje në: