Nëna ishte arsimtare dhe e bija nxënëse, të dyja në mesin e viktimave të aksidentit, flasin nga shkolla

Nëna ishte arsimtare dhe e bija nxënëse, të dyja në mesin e viktimave të aksidentit, flasin nga shkolla

Fikrije dhe Anisa Hiseni, nënë e bijë, humbën jetën tragjikisht në aksidentin me autobus mëngjesin e sotëm në Bullgari.

Në shkollën “Naim Frashëri” në Shkup, Fikrije Hiseni ishte mësimdhënëse dhe në po këtë shkollë e bija e saj vijonte mësimin.

Për humbjen e tyre tragjike foli sekretari i kësaj shkolle, Burak Aliu, pjesë e së cilës ishin edhe dy viktimat.

“Lajmin e pranuam shumë randë, është shumë e rëndë për ne. Shprehim ngushëllime ne si shkollë për mësimdhënësen tonë si dhe për Anisën, nxënësen e klasës së nantë”, ka thënë Aliu për Klan Kosovën.

Sipas tij viktimat kishin shkuar në Turqi për një ekskursion familjar.

“Mesa e dimë ne arsyeja ishte vetëm një ekskursion i organizuar familjar, shëtitje, pasi që ishte edhe dita e alfabetit ishte vikend i zgjatur për atë ka qenë shëtitje në Turqi”, ka shtuar ai.

Ai foli edhe për takimin e fundit që pati me mësimdhënësen e kësaj shkolle, për të cilën tha se ka qenë një grua e sjellshme dhe komunikatave dhe për Anisën tha se kishte qenë një vajzë e shkëlqyeshme.

“Takimi i fundit ishte ditën e enjte pikërisht në korridorin e shkollës, ku si gjithmonë u përshëndetshim ai ishte takimi i fundit me zonjën Fikrije. Zonjën Fikrije do ta mbajmë mend si arsimtare shumë të sjellshme, shumë komunikatave, shumë të mirë, ndërsa Anisën si nxënëse të shkëlqyeshme”, ka vazhduar ai.

Sot procesi mësimor në këtë shkollë është ndërprerë, se kur do të rifillojë presin informimin  nga drejtori i shkollës, i cili viktimat i kishte mbesa.

“Sot procesi mësimor është pezulluar, pasi që vjehrri i zonjës Fikrije është edhe nikoqir i shkollës, ndërsa Anisa dhe Fikrija janë mbesa të drejtorit të shkollës, informacione për më tej presim nga drejtori i shkollës”, ka përfunduar sekretari i shkollës, Burak Aliu.

Anisa ishte vajza e vetme e familjes Hiseni.

Shpërndaje në: