Nëntë persona humbën jetën vjet në vendet e punës, kërkohet angazhimi edhe i 100 inspektorëve

Nëntë persona humbën jetën vjet në vendet e punës, kërkohet angazhimi edhe i 100 inspektorëve

Siguria në punë vazhdon të jetë problem për punëtorët kosovarë. Si rezultat i saj, gjatë vitit të kaluar nëntë persona kanë humbur jetën në vendin e punës e 188 kanë pësuar aksidente, thotë kryeinspektori i punës, Hekuran Nikçi.

Në rastet e aksidenteve në vendpune, kur inspektorët kanë konstatuar se është shkelur ligji nga ana e punëdhënësve, ndaj tyre janë shqiptuar masa ndëshkimore.

Në një intervistë për Ekonomia Online, kryeinspektori i punës, thotë se inspektimet po bëhen në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

“Gjatë vitit 2021, Inspektorati i Punës ka evidentuar 188 aksidente në vendin e punës, nga të cilat 139 kanë rezultuar me lëndime të lehta, 40 prej tyre me lëndime më të rënda dhe nëntë prej tyre kanë rezultuar me fatalitet në vendin e punës. Në fakt kur e kam marrë këtë pozitë institucioni tjetër që kemi pasur bashkëpunim ka qenë vetëm Policia e Kosovës, kështu që me Policinë kam trashëguar një bashkëpunim ku Inspektorati i Punës ka ndërmarrë aksione në biznese të ndryshme, si në gastronomi, ndërtimtari dhe këtu operacione kanë rezultuar shpesh të suksesshme”, thotë Nikçi.

Sfidë tjetër thotë Nikçi është edhe numri i vogël i inspektorëve të punës, ku për momentin janë vetëm 31 të tillë në tërë Kosovën.

Përkundër paralajmërimeve për rritjen e numrit të tyre, numri i inspektorëve të punës në nivel vendi vazhdon të jetë i njëjtë. Nikçi, tregon numrin e inspektorëve që janë aktualisht dhe që planifikohet të shtohen.

“Sfidat që i kam gjetur dhe i kam konstatuar me marrjen e mandatit janë të shumta, fillimisht duke u nisur me numrin e vogël i inspektorëve të punës. Me 1 qershor të këtij viti, Inspektoratin e Punës e kam gjetur me 31 inspektorë, duke u përballur nga ky realitet, unë kam vërejtur se mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve, është tejet i mangët me këtë numër të inspektorëve, dhe si rezultat unë kam shpallur një konkurs të brendshëm në shërbimin civil për 27 pozita për inspektorë dhe nga ky konkurs kemi arritur t’i rekrutojmë vetëm katër inspektorë, dy në regjionin e Prishtinës dhe dy në regjionin e Gjakovës. Sido që të jetë me 35 inspektorë prapë numri është i vogël për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve”, u shpreh ai.

“Për vitin 2023 kemi planifikuar dhe buxhetuar edhe për 100 inspektorë të ri të punës, të cilët përgjatë vitit 2023 në faza të ndryshme do të shpallim konkursin dhe me angazhimin e këtyre 100 inspektorëve të ri, mbikëqyrja e ligjit do të jetë në një nivel më të mirë sesa që është tani. Në fakt Inspektorati i Punës ka nevojë edhe për më shumë se aq, por për vitin e ardhshëm i kemi të buxhetuar edhe 100 inspektorë të ri”, u shpreh tutje ai.

Ai ka thënë se do të mundohet që të ulët numri i aksidenteve në vendin e punës, për çka kërkon edhe bashkëpunimin me qytetarë, të cilët thotë se mund të evidentojnë rastet kur ka shkelje të të drejtave të punëtorëve.

“Prioritet tjetër që ndërlidhet me shtimin e inspektorëve është edhe ulja e lëndimeve në vendin e punës. Sektori i ndërtimtarisë është sektori me një hov të madh në Kosovë dhe prioritet i imi është që ulim lëndimet e punëtorëve në këtë sektor, dhe gjithashtu edhe rastet me fatalitet, veçse sa po shtohen”, u shpreh Nikçi.

Shpërndaje në: