“Nëse dikush duhet të vdes, do të ishte mirë të vdiste si Isa Boletini”

“Nëse dikush duhet të vdes, do të ishte mirë të vdiste si Isa Boletini”

Analisti i njohur, Fitim Salihu ka prezantuar disa fakte nga libri i djalit të vrasësit të Isa Boletinit,

Salihu ka përkthyer një pjesë nga ky libër, në të cilin paraqitet mendimi i autorit për veprimtarinë e Isa Boletinit i cili para disa ditësh ishte 106 vjetori i vrasjes së tij.

Milovan Gjilasit, djali i vrasësit të Isa Boletinit, thotë librin e tij se ‘nëse dikush duhet të vdes, do të ishte mirë të vdiste si Isa Boletini’.

Më poshtë mund të lexoni shkrimin e plotë të Fitim Salihut ku sjellë këto të dhëna:

Disa ditë më parë ishte 106-vjetori i vrasjes së Isa Boletinit. Ai u vra më 23 janar 1916 në Podgoricë nga forcat malazeze. Për kuriozitet, Isa Begu u vra nga njësia që e komandonte Nikola Gjilasi, babai i Milovan Gjilasit, një prej njerëzve më të fuqishëm të Jugosllavisë së Titos në dekadën e parë të saj. Në Kosovë, Gjilasi ishte bërë i njohur pak vite më parë kryesisht falë një komisioni që e kishte udhëhequr më 1946 për demarkimin e kufirit mes republikave jugosllave.

Në kohën kur është vrarë Isa Boletini nga njësia e babait të tij, Gjilasi akoma s’ishte pesë vjeç. Në librin e tij “Tokë pa drejtësi” ai sjell kujtimet nga fëmijëria e tij kur mori vesh lajmin se babai i tij e kishte vrarë Isa Boletinin – ose, siç e quan ai hera-herës, Isa Shaljanin – në kohën kur shteti malazez kish kolapsuar dhe ushtria austriake po e pushtonte atë.

Duke e pasur vazhdimisht parasysh mundësinë e madhe që Gjilasi të ketë qenë i njanshëm në interpretimin e kësaj ngjarjeje, po e përkthej dhe citoj pjesën e librit ku ai flet për të. Përkundër se flet për rivalin e babait të tij në mejdan, as vetë Gjilasi nuk e fsheh dot adhurimin për trimërinë e Isa Boletinit:

“…në atë çast të kolapsit, dëshpërimit dhe kaosit të përgjithshëm,… ky hero emërmadh shqiptar, Isa i Boletinit, ra në Podgoricë. Isa njihej që më parë si rebel, xhonturk dhe i preferuar i Knjaz Nikollës, tek i cili ai gjeti strehim kur revolta dështoi. Ai gëzonte një reputacion të madh ndër shqiptarë, kurse edhe malazezët e trajtonin me respekt prej frike. Gjatë kolapsit, ai e braktisi miqësinë me Knjazin dhe Malin e Zi dhe vendosi ta shfrytëzonte mungesën e rendit për qëllime të tij. Mund t’iu ketë dukur e lehtë sepse Podgorica nuk kishte forca të organizuara për të bërë rezistencë. Nëse asgjë tjetër, ai mund të shpresonte që ta plaçkiste qytetin dhe thesarin shtetëror. Terrori, plaçkitja dhe kaosi mbretëronin kudo. Isa mund mos ta ketë ditur që aty akoma ishte një njësi që nuk ishte shpërbërë – ajo e tim eti. Sapo që ajo [njësi] ia behi, e mori komandën që ta mbante rendin…

…Beteja me njësinë e parregullt të Isës nuk vazhdoi gjatë përkundër heroizmit të egër të shqiptarëve. Goditja i rrëzoi si komandantin ashtu edhe shumicën e ushtarëve të tij. Shpura e Isës u zhbë dhe pjesa tjetër ia mbathi. Vetë Isa Boletini u vra. Por, ai tanimë kishte luftuar ashpër dhe gjatë kur u la i vetëm në udhë të gjerë. I plagosur, ai u ngrit në gjunj dhe – ndonëse i ligështuar për ta mbajtur revolen – gjuajti me revole, ashtu që së paku t’ia merrte jetën ndonjërit si hakmarrje për jetën e tij. Babai vrapoi kah ai dhe shqiptari xanxar e drejtoi revolen në krahun e majtë. Megjithatë, ai s’pati kohë që të shtinte. Një ushtar e kishte në nishan kështu që ai u vra. Babai vrapoi dhe Isa e shikoi me sytë e tij të mëdhenj e me gjak, duke thënë diç në gjuhën e vet, të cilën babai nuk e kuptonte, dhe dha shpirt. Babai e mori mauzerin e tij të madh me këllëfin e argjendtë dhe e ruajti si suvenirin më të çmueshëm të tij.

Ishte pak e çuditshme që ne fëmijët mbajtëm zi për Isa Boletinin. Edhe babai mbajti zi për të, ndonëse ishte krenar që grupi i tij e kishin vrarë. Ishte një pikëllim i veçantë, madje adhurim për një hero sypatrembur të Shqipërisë së egër i cili kishte luftuar gjer në fund në një fushë të zhveshur dhe në një udhë të thatë, pa kërkuar lëmoshë ose falje, ballëhapur dhe pa mbrojtje. Pra, brenda pikëllimit ekzistonte edhe ky adhurim. Nëse dikush duhet të vdes, do të ishte mirë të vdiste si Isa Boletini. Le të kujtohet rënia e tij, së paku prej atyre që e kanë parë ose kanë dëgjuar për të.”

 

Shpërndaje në: