Nëse dikush do ndërtonte mur në Prishtinë, njësia speciale do ta tërhiqte zvarrë

Nëse dikush do ndërtonte mur në Prishtinë, njësia speciale do ta tërhiqte zvarrë

Kështu ka thënë njohësi i çështjeve politike, Haki Abazi në një intervistë për Periskopi.com.

Në lidhje me murin mbi lumin “Ibër” në Mitrovicë, Abazi ka thënë se nëse dikush do ndërtonte një në Prishtinë, atëherë njësia speciale do ta tërhiqte zvarrë, duke shtuar se këto standarde të dyfishta janë karakteristikë e vendeve që nuk i’u vije era shtet.

Ai potencon se rrëshqitja e Kosovës në kaosin dhe moçalin politik ka filluar që moti e sidomos pas vdekjes së presidentit Rugova dhe largimit nga PDK e njerëzve që kanë ndërtuar identitetin e PDK-së si parti e dalë nga UÇK.

Sipas Abazit, orientimi i agjendës kosovare është zhvendosur nga shtet-ndërtimi ku ka qenë në vitin 2007 drejt dështimit të këtij procesi me ose pa qëllim por me kontributin e madh të lidershipit të tanishëm të PDK-së dhe LDK-së që në fakt janë ideologjikisht pjese e një brumi, vetëm se njëra ka vepruar në legalitet ndërsa e dyta në ilegalitet.

Duke folur për të akuzuarit e mundshëm nga Gjykata Speciale, konkretisht ish-komandantët e UÇK-së që janë në skenën politike të vendit, Abazi thekson se komandantët e vërtetë të UÇK-së ose janë të vdekur në luftë ose kanë bërë vetëvrasje, ose janë vrarë ose janë dënuar dhe larguar nga skena politike vendimarrese.

Sipas tij, ata që mund t’i akuzojë gjykata special mund të jenë ata që kanë përfituar në kurrizin dhe emrin e UÇK-së dhe ky dallim duhet të bëhet me shumë qartësi, sepse nuk duhet përlloçur luftën e drejtë dhe vetëmbrojtëse të UÇK-së me atë se çfarë individë të caktuar kanë mundur të bëjnë në emër të UÇK-së.

Abazi gjithashtu ka treguar edhe për dy alternativa për zgjedhjet e problemit të demarkacionit me Malin e Zi, ka folur për arsyet që sollën murin në Mitrovicë, për punën e Kuvednit të Kosovës, për liberalizimin e vizave, si dhe për atë se a do të arrijë koalicioni qeverisës ta përfundojë mandatin.

 Intervista e plotë: 

 

Periskopi: Sipas jush çfarë hapash duhet të ndërmarrë Kosova për zgjidhjen e çështjes së demarkacionit me Malin e Zi, kur dihet se Qeveria pati thënë se kjo marrëveshje do të ratifikohet gjatë këtij viti, por si duket kjo nuk do të ndodhë?

Abazi: Çështja problematike e përcaktimit te kufirit me Malin e Zi është edhe një dëshmi për papjekurinë dhe mungesën e formulimit të politikave të jashtme nëpërmjet proceseve dhe procedurave të përcaktuara për të respektuar normat demokratike. Kështu siç është nënshkruar marrëveshja me Malin e Zi rrezikon që të prishë marrëdhëniet me të si pasojë e mungesës së konsensusit të brendshëm politik dhe kundërshtimit të ashpër të  banorëve të afektuar nga marrëveshja. Mali i Zi është një shtet mik i Kosovës dhe struktura politike udhëheqëse e tij ka treguar dhe dërguar porosi shumë pozitive për të zgjidhur këtë çështje pa shkaktuar probleme. Janë dy drejtime nëse duam zgjidhje pa problem dhe afatgjate:

E para: Institucionet e Kosovës duhet të kërkojnë falje për shkak të procesit që shkaktoi dhe gabimet janë normale e ndonjëherë edhe të paqëllimta dhe duhet dërguar letër sqarimi Brukselit, Uashingtonit dhe Podgoricës me përshkrimin e hapave se çfarë do të ndodhë dhe se si do të respektohen të gjitha rregullat. Parlamenti i Kosovës nuk është farsë dhe duke qenë se nuk ka vota të mjaftueshme ndërsa është i domosdoshëm ratifikimi i marrëveshjes çdo lëvizje tjetër në atë drejtim do të ishte thyerje e kushtetutës, gjë që të gjithë edhe në Bruksel, Uashington dhe Podgoricë e kuptojnë çfarë do të thotë mosrespektimi i gjykatës kushtetuese.

Skenari i dytë është i thjeshtë: Çështja dërgohet në arbitrazhe ndërkombëtare sipas modelit Slloven-Kroat për kufijtë e kontestuar.

Periskopi: A mendoni se Kosova duhet të jetë më këmbëngulëse që BE të largojë kriterin e demarkacionit për liberalizim, kur dihet se Ukrainës iu dha liberalizimi edhe pse është në kontest territorial me Rusinë?

 Abazi: Institucionet dhe lidershipi nuk ka asnjë kredibilitet për të kërkuar asgjë. Liderët e Kosovës duhet të ndalojnë blerjen e rrobave, orëve dhe makinave të shtrenjta. Ata duhet të përfundojnë ndërtimin e pishinave para shtëpive të tyre, sepse mbi 20% e popullatës është në varfëri të skajshme dhe mbi 50% e të rinjve janë të papunë. Askush nuk i merr seriozisht këto profile të politikanëve e aq më pak kur duhet të kërkohet tërheqje prej marrëveshjeve. Demarkacioni hiqet nga lista vetëm duke bërë veprime konkrete siç e përshkrova në pyetjen e parë.

 Periskopi: Çka e solli murin mbi lumin “Ibër” në Mitrovicë? 

Abazi: Që nga fillimi i dialogut të kornizuar si dialogu Prishtinë-Beograd unë kam qenë kundër duke rrezikuar për t’u parë sikur jam kundër dialogimit. Nuk është e vërtetë, unë jam pro dialogimit në rajon për çdo gjë dhe për çdo aspekt te mosmarrëveshjes. Por dialogu i kornizuar në nivelin Prishtinë-Beograd nuk ka se si të përfundojë ndryshe përpos se në mure dhe në një konflikt të ridimensionuar ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Një lidership çfarë ka Kosova që nga viti 2008 me bisht nën derë, pa vullnet politik për të lejuar që ligji dhe drejtësia në vend të veprojë dhe analfabet sa i përket trendëve dhe zhvillimeve ndërkombëtare dhe pa kulturë elementare demokratike, çfarëdo dialogu apo çfarëdo marrëveshje është në dëm të qytetarëve gjë që është parë nga CEFTA, marrëveshja për Debëlledenë, demarkacioni me Malin e Zi, privatizimet që kanë varfëruar Kosovën, marrëveshja për asociacionin. Muri është simbol i shuplakës së shtetësisë së Kosovës dhe ekspozim i paaftësisë së intervenimeve ndërkombëtare për të zbatuar ligjin. Nëse dikush do të ndërtojë një mur në mes të rrugës në Prishtinë njësitet speciale do t’i tërhiqnin zvarrë. Këto standarde të dyfishta janë karakteristikë e vendeve që nuk ju vije era shtet.

 Periskopi: Pse Kuvendi i Kosovës është në këtë gjendje bllokade, kur dihet që pothuajse çdo seancë e saj bllokohet?

Abazi: Nuk ka pasur Kuvend të Kosovës që nga dita e parë. Ky është kuvendi i Kadri Veselit dhe klikës së Hashim Thaçit e Isa Mustafës. Per interesat e tyre ata shkatërruan gjykatën kushtetuese dhe shkelen rendin kushtetues. Kjo legjislaturë vuan nga mungesa e legjitimitetit dhe kredibilitetit. Parlamenti është bërë instrument koalicioni qeveritar jofunksional dhe që gjendjes që ka pasur para këtij koalicioni, i mbizotëruar nga struktura kleptokratike dhe nepotike të lidershipit të PDK-së të dominuar e kontrolluar nga SHIK-u, tani i është shtuar edhe paralelja tjetër që është ajo e lidershipit të LDK-së që është duke ndërtuar strukturat e saj përbrenda institucioneve. Kemi dy sisteme paralele që punojnë në vija të interesit klanor politik dhe që kurdo që ju duhet e luftojnë njëra tjetrën dhe kurdo që ju duhet e sabotojnë njëra tjetrën. Ky nuk është koalicion i progresit e zhvillimit ky është koalicion i dështimeve të dyfishta.

 Periskopi: A e keni parë projektligjin për buxhetin e viti të ardhshëm? Nëse po, ku janë mangësitë e tij?

Abazi: Buxheti i vitit të ardhshëm është buxhet i varfërisë dhe interesave partiake, nuk është në asnjë mënyrë buxhet i zhvillimit të qëndrueshëm. Në vend se të investohet në arsim, edukim dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm lokal, buxheti është i orientuar në blerjen e paqes sociale dhe pacifizmit të njerëzve të pakënaqur apo që duhet të jenë në varësi të politikës për shkak të votës. Edhe pse mundësitë janë të limituara buxheti duhet të jetë i orientuar në zëvendësimin e importit dhe përkrahjes së bizneseve lokale që do të ishin punedhenesit e gjeneratave të reja dhe absorbues të njerëzve të rinj që i bashkohen tregut të punës dhe do të zëvendësonin produktet që mund të prodhohen në vend.

Periskopi: A mendoni që politika në Kosovë është në këtë gjendje shkaku i Gjykatës Speciale?

 Abazi: Jo, Gjykata është vetëm një faktor i vonë. Rrëshqitja e Kosovës në kaosin dhe moçalin politik ka filluar që moti e sidomos pas vdekjes së presidentit Rugova dhe largimit nga PDK e njerëzve që kanë ndërtuar identitetin e PDK-së si parti e dalë nga UÇK. Orientimi i agjendës kosovare është zhvendosur nga shtet-ndërtimi ku ka qenë në vitin 2007 drejt dështimit të këtij procesi me ose pa qëllim por me kontributin e madh të lidershipit të tanishëm të PDK-së dhe LDK-së që në fakt janë ideologjikisht pjese e një brumi, vetëm se njëra ka vepruar në legalitet ndërsa e dyta në ilegalitet. Të dy palët vijnë nga shkolla/mendimi ish jugosllav të së majtës dhe për të dy palët demokracia është vetëm retorikë dhe jo kulturë as individuale e as e veprimit institucional. Instrumenti i forcës dhe i përgjimit është veprimi i parë që ndërmerret kundër atyre që cilësohen si kundërshtarë politik. Mendësi e tillë më bën të jem i sigurt që po të mos kishim mbikëqyrje ndërkombëtare dhe të mos ishte viti 2016 këta njerëz do të dërgonin kundërshtarët e tyre në ishullin e Goli Otokut ose në Burrel. Ju kujtoj arrestimin e djalit të ri me njësi speciale për statusin e tij në Facebook dhe mbajtjen në burg të njerëzve me dyshim për terrorizëm, por pa akuzë dhe gjykim me mbi dy muaj apo vdekjen e të burgosurit politik në burgun e Prizrenit.

Periskopi: A mendoni se Specialja do t’i largojë disa nga ish-komandantët e UÇK-së nga skena politike?

Abazi: Komandantët e vërtetë të UÇK-së ose janë të vdekur në luftë ose kanë bërë vetëvrasje, ose janë vrarë ose janë dënuar dhe larguar nga skena politike vendimarrese. Ata që mund t’i akuzojë gjykata special mund të jenë ata që kanë përfituar në kurrizin dhe emrin e UÇK-së dhe ky dallim duhet të bëhet me shumë qartësi, sepse nuk duhet përlloçur luftën e drejtë dhe vetëmbrojtëse të UÇK-së me atë se çfarë individë të caktuar kanë mundur të bëjnë në emër të UÇK-së. Një gjë tjetër që duhet kuptuar se pranimi i gjykates speciale është gabim katastrofal dhe përjashtim i sistemit gjyqësor Kosovar dhe EULX dhe pranim se jemi te paafte qe rrjdheimisht pranon fajin per mospranimin e shtetit dhe pavarësisë.  Gjykata Speciale është pranuar në baza etnike dhe është rasti i parë në botë për një gjë të tillë. Ky është dështim i plotë dhe me pasoja të rënda.

Periskopi: A mendoni që koalicioni qeverisës do ta përfundojë mandatin e tij apo vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme?

 Abazi: Pas dështimit për të marrë shumicën e votave në Drenas dhe para veprimit të mundshëm të Gjykatës Speciale nuk ma merr mendja që do të ishte e logjikshme për udhëheqësit e tanishëm që të rrëzojnë njëri-tjetrin. Edhe pse ka mundësi që Kuqi mund t’i dërgojë një SMS Mustafës nga zanoi bari. Ndërsa nëse analizohen faktorë tjerë përfshirë edhe administratën e re amerikane dhe zhvillimet gjeopolitike zgjedhjet mund të jenë më afër për shkak të vakuumit që mund të shkaktohet për shkakun se kalkulimet e bëra në fillim kur është pranuar gjykata speciale mund të mos jenë më të vlershme dhe kjo gjykatë do të interferojë me jetën politike edhe të atyre që kanë menduar që mund të kenë imunitet politik.

Periskopi: A do të kyqeni në politikë apo do të mbeteni në shoqëri civile?

 Abazi: Unë jam në politikë, shoqëria civile është politike por jo partiake, meqë jeton në sistem të organizuar politikisht dhe i rregulluar nga ligjet dhe politika. Si qytetar jam politikisht aktiv për kohë të gjatë dhe nëse pyetja ka të bëjë me atë se a do t’i futem garës politike për të marrë pozitë përbrenda institucioneve atëherë ju them se ajo gjë do të ndodhë, por jo në formën e transferimeve dhe përdorimit te fytyrave publike për të përmirësuar imazhin e liderëve. Angazhimi im në garë politike do të jetë vetëm atëherë kur unë dhe bashkëpunëtorët e mi nuk do të jenë edhe një zë i kakofonisë politike dhe retorikës shterpe e manipuluese të 15 viteve të fundit. Platformat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe demokracisë së bazuar në zbatimin rigoroz të ligjit janë forma e vetme për të luftuar analfabetizmin politik, krimin dhe korrupsionin dhe këto beteja nuk bëhen duke qenë të përlyer përbrenda por duke qenë konsistent dhe nga pozita që krijon revolucion në kokat e njerëzve për të parë se çfarë po ndodhë dhe cilat janë alternativat. Revolucionet që ndodhin në rrugë nuk janë të padrejta, por gjithmonë janë impulsive dhe shpesh rezultojnë në kaos. Është rasti i Egjiptit dhe Sirisë. Unë mendoj që revolucioni duhet të ndodhë për çdo ditë në kokat e njerëzve për të arritur në nivelin ku llogaridhënia, transparenca, dija dhe vlerat e normat demokratike janë rregulla të lojës.  Kjo hapësirë patjetërsueshëm është duke u krijuar.

Periskopi: Cili është projekti i ardhshëm nga ju ?

 Abazi: Në fakt nuk ka projekt të ardhshëm, por ka vazhdimësi të projekteve të shumta që jam duke punuar në gjithë rajonin dhe në disa vende të botës.

 

 

 

 

 

Shpërndaje në: