“Nëse ka ndërprerje të rrymës, bizneset s’mund t’i kryejnë dërgesat te partnerët e jashtëm”

“Nëse ka ndërprerje të rrymës, bizneset s’mund t’i kryejnë dërgesat te partnerët e jashtëm”

Nënkryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Suat Berisha, ka thënë se kriza energjetike me të cilën po përballet vendi po dëmton edhe bizneset.

“Është evidente se Kosova po ballafaqohet me një krizë energjetike e cila përpos që prek ekonomitë familjare fatkeqësisht prek edhe bizneset kosovare. Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) është tepër e brengosur me impaktin që ka kjo krizë energjetike në komunitetin e bizneseve, prandaj kemi kërkuar nga qeveria e Kosovës që të merren masa për sanimin e kësaj gjendje dhe evitimin e ndërprerjeve të mëtejshme të energjisë elektrike. Energjia elektrike ka ndikim të drejtpërdrejtë sidomos te industritë apo te ndërmarrjet prodhuese, sepse e pengon prodhimin”.

Berisha, në Sytë 7 në Klan Kosova, tha se kriza energjetike jep imazh tepër negativ ndaj investitorëve të huaj dhe ndikon në raportin e bizneseve kosovare me partnerët e jashtëm.

“Ky është një imazh jashtëzakonisht i keq ndaj investitorëve të jashtëm për shkak se asnjë investitor nuk është i interesuar që ta investojë kapitalin e tij në një vend apo rajon ku ka mungesë të infrastrukturës, sidomos asaj energjetike, prandaj kjo ndikon drejtpërdrejt në mosinteresimin e investitorëve të jashtëm”.

“Mungesa e energjisë elektrike ndikon negativisht te partnerët e jashtëm të bizneseve, meqë prodhuesit kosovarë çdo ditë e më tepër po integrohen në tregun ndërkombëtar. Nëse ka ndërprerje të energjisë elektrike atëherë përmbushja e obligimeve ndaj partnerëve nuk mund të përmbushen. Askush nuk ka mundësi objektive që të presë dikë me ditë ose javë të tëra për dërgesën e produkteve”.

Shpërndaje në: