“Nëse lotaria e Serbisë mundet me funksionu në Mitrovicën veriore, pse ne s’mundemi”

“Nëse lotaria e Serbisë mundet me funksionu në Mitrovicën veriore, pse ne s’mundemi”

Punëtorët e Lotarisë së Kosovës, të mërkurën kanë protestuar pranë Qeverisë së Kosovës lidhur me ndryshimi i Ligjit për Lotarinë e Kosovës si dhe mosmarrja e pagave për 60 punëtorë.

E shqetësim i veçantë në këtë protestë ishte lejimi i Lotarisë në Pjesën Veriore të Kosovës për çka punëtori i Lotarisë së Kosovës në pjesën Jugore të Mitrovicës, Miran Ademi, pyeti se si është e mundur që të ndodh një gjë e tillë.

Ai tha se pas 36 vitesh punë në Lotarinë e Kosovës, tani është i papunë dhe ka kërkuar që ai dhe të gjithë kolegët e tij të kthehen në punë.

“Punoj qe 36 vite. Kërkesat i kemi të njëjta. Qe 3 vite e diçka ne jemi të pezulluar prej punës të ardhura kurrfarë nuk kemi. Nëse lotaria e Serbisë mundet me funksionu në Mitrovicë për çfarë arsye ne nuk mundemi me funksiono. Ata të gjitha lojërat e fatit i kanë. Ne kërkojmë të miratohet ligji i Kosovës i lotarisë për neve në qeveri”, tha ai.

Ai tha se vetë personalisht nuk ka luajtur asnjëherë në Veri të vendit. “Jo as që kam kaluar najherë andej, e kam një vëlla të zhdukur edhe nuk kaloj”.

“Na jemi punëtorë të qeverisë, aksionar në Lotari të Kosovës, kurse Qeveria na kanë lënë mbas dore. 55% e punëtorëve janë femra që punojnë në Lotarinë e Kosovës, janë nëna motra, kanë fëmijë e kredi, të gjithë kemi”.

“Edhe në tiketat që mi ka dhënë njëri shkruan ora data çmimi. Po nëse fiton një shqiptar i Kosovës ai ta lyp letërnjoftimin e Serbisë me t’i dhënë të hollat. Duhet mi dhënë dikujt pare për mi tërhiq ato. Atje punojnë edhe lloti edhe të gjitha lojërat”.

Miran Ademi nga Lotaria e Mitrovicës prezantoi tiketat e lotarisë serbe në Mitrovicën e Veriut.

Shpërndaje në: