Nëse s’do të kishte korrupsion e nepotizëm – njerëzit do të iknin edhe më zi nga Kosova

Nëse s’do të kishte korrupsion e nepotizëm – njerëzit do të iknin edhe më zi nga Kosova

Çka po i shtyn njerëzit të ikin nga Kosova? 

E para dhe më e rëndësishmja është nevoja për çintegrim nga muti i madh e i përbashkët që e ka prodhuar në përditshmëri shoqëria jonë. E papërgatitur të jetonte në liri, të mësohej me zgjedhjet që bënte, ajo e bëri mut çdo ditë. Dhe tash, ky mut po ia zë frymën.

I riu kosovar është i gërditur nga banaliteti i shpërndarë papërpjestueshëm në çdo skutë të vendit. Nga kryepersonazhet që i ka krijuar përmes zgjedhjeve të tij. Mutin nuk na e sollën ndërkombëtarët, atë e gjetën mes nesh. E lirinë na e sollën, sepse s’ishte kurrkund në këtë trup shoqëror të mësuar me robëri.

Është e trishtë të dëgjosh vazhdimisht llafe për politikën e për politikanë nga njerëz të rëndomtë. Për Thaçin, Haradinajn, Kurtin, Veselin e ku di unë. Sikur përnjëmend këta të kishin në duar fatin e tyre. Në një masë edhe e kanë, por jo aq sa e mendojnë.

Kosova është vend i vogël sa troha. Vend margjinal. Edhe nëse do të kishte rritje ekonomike prej 10 për qind në vit, njerëzit do të donin të iknin. Është çështje kulture. Dhe parakushti që i çon njerëzit drejt ikjes është po i njëjti me atë që i çon drejt korrupsionit: zhgënjimi me veten. Të thuash paturpësisht “këtu s’ka asgjë”.

Nëse gërditemi aq shumë nga nepotizmi, atëherë, a duam me të vërtetë meritokraci?

Përgjigjja është JO. Meritokracia kërkohet nga njerëz të kualifikuar e që diskriminohen nga pushteti. Jo nga njerëz të pakualifikuar, me diplomë të pamerituar e me zhgënjimin që i derdhet në mënyrë të shkujdesur.

T’i këqyrim punët që zaptohen nga pushteti. Ato futen brenda hapësirës së madhe fiksionale të punës – ku nuk ka llogaridhënie por thjesht privilegj. Nga administrata publike nuk pritet efektshmëri e madhe. Në përgjithësi nga institucionet publike nuk kërkohet efektshmëri. As nga drejtorët, e lëre më nga punëtorët e tjerë. Prandaj, ky është një parakusht për nepotizëm. Mes një të pakualifikuari anonim dhe një të pakualifikuari të njohur ose të nënshtrueshëm, zgjedhet ky i fundit. Kjo është një ekonomi që do ta ndërmerrte çdo parti politike. Çdo pushtet. Ndërkohë, aty ku lypet efektshmëria, në sektorin privat – shprehet përditë mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar.

Prandaj, të shtrojmë pyetjen kryesore: Pse njerëzit nuk e marrin një zanat? Sepse, që t’i kthehem fillimit, kanë lejuar që t’iu futen si kryepersonazhe të jetës së tyre, politikanët nga të cilët neveriten. Po këta njerëz, po ashtu të pakualifikuar, iu kanë ndjellur shpresën se me një hapësirë të madhe dedikuar fatit/rastit, secili do të ketë mundësi të jetë drejtor i ndonjë institucioni, zëvendësministër, ministër apo edhe kryeministër e president. Kur vetë kreu i shtetit është analfabet funksional që në vend të ‘kryetar’ për veten e shkruan ‘kryetarë’ dhe që e ngatërron ‘kontekstin’ me ‘kontestin’ atëherë natyrisht që përvidhen shpresa të mëdha nga një fat joshës për punë të fituar pameritueshëm.

Shumica e njerëzve në Kosovë nuk janë të zhgënjyer me klasën politike në përgjithësi, apo me dukuritë si klientelizmi e nepotizmi, por me fatin/rastin. Sepse, po të kishte tamam meritokraci, atëherë fati nuk do t’iu cokaste kurrë në derë një pjese të madhe të tyre. Bile as për punë krejt të rëndomta, që edhe ashtu nuk i kryejnë mirë.

Është pikërisht kjo pakualifikueshmëri e përgjithshme shoqërore që përbën parakushtin themelor të korrupsionit e nepotizmit. Të hapësirës së madhe që ka fati në tregun tonë të punës.

Të gjithë e dimë se njerëz me rroga dy herë mbi mesataren mësyjnë largimin nga vendi, po ashtu. Çka thotë kjo? Se janë tepër të lidhur me televizorët e tyre. Se edhe ata, si pjesa tjetër e vendit, janë të zhgënjyer me fatin që nuk e bëri ministër a kryeministër a kushedi. Pra, nëse flasim për tregun e punës, ka një fantazmë që bredh pareshtur mbi kryet tanë: është rasti/fati. Nga fati i mirë që kanë pasur të njohur a të afërm tanë krijohet zhgënjimi për fatin tonë të keq.

Njerëzit duan të ikin nga vetja e tyre, në rend të parë. Është shumë e zorshme të jesh i përulur në Kosovë. Të pranosh një rrogë prej 300 apo 400 eurosh. Dhe sidomos, kur namin e bën analfabetizmi i frikshëm i kryepersonazheve të jetëve tona – që përditshëm gërdisin.

Mirëpo, ky alamet problemi nuk është specifik për Kosovën. Këtu njeriu përqeshet nëse me përulje pranon të punojë si mbledhës bërlloku, pastrues, punëtor ndërtimtarie, kamarier etj. Puna është çvirtytizuar për t’u zëvendësuar me ‘zhdërvjelltësinë’.

Kosova nuk do të përmirësohet asnjëherë sepse është vend tepër i vogël pa kapacitete ekonomike për t’i mbajtur në punë mbi 1 milion vetë që s’janë të zotë të punojnë. Përkundrazi, ta themi troç, nëse Kosova përnjëmend përmirëson tregun e punës [të paktën në sektorin publik] atëherë punët do të bëhen edhe më të paqasshme për shoqërinë, dhe hapësira e fatit do të rrudhet mosvet.

Shpërndaje në: