Neymari presidentit të PSG’së: Dua të shkoj në Barcelonë

Neymari presidentit të PSG’së: Dua të shkoj në Barcelonë

Neymari i ka dërguar mesazh presidentit të Paris Saint-Germainit, Nasser Al-Khelaifit, për t’ia kërkuar largimin nga klubi francez. Braziliani i ka thënë Al-Khelaifit se dëshiron të kthehet në Barcelonë.

Neymar Junior është i vendosur se dëshiron të largohet nga Paris Saint-Germainit. Dëshira e tij për t’u larguar është si pasojë e pendimit të tij për largimin nga Barcelona, shkruan Mundo Deportivo.

Vetë Al-Khelaifi e kishte “kërcënuar” Neymarin në intervistat e fundit, me deklarata si: “Askush nuk e detyroi Neymarin të vijë këtu” dhe “Dua që lojtarët të jenë gati ta mbrojnë nderin e kësaj fanelle”.

Por, Neymari nuk dëshiron ta mbrojë nderin e fanellës së klubit francez. Në vend të kësaj, ai dëshiron të kthehet në Barcelonë, nga ku e kishte detyruar largimin jo shumë kohë më parë.

Barcelona kishte tentuar ta mbante atë në skuadër, mirëpo ai i kishte kërkuar PSG-së t’ia paguajë klauzolën për shkëputjen e kontratës me katalonasit, 222 milionë euro, në gusht të vitit 2017, kur edhe iu bashkua klubit francez.

Megjithatë, Neymari është penduar për këtë veprim të tij dhe ai dëshiron të kthehet sërish në Barcelonë, përkundër që për të ka shprehur interesim edhe Real Madridi gjatë këtij afati kalimtar të verës.

PSG-ja është e gatshme ta shesë Neymarin vetëm nëse i bëhet ofertë e majmë dhe i ofrohen edhe lojtarë të tjerë në vend të Neymarit. Për dallim nga braziliani, kampioni i Ligue 1 nuk do ta lejojë shitjen e Kylian Mbappes.

Arsyeja pse PSG-ja është e gatshme ta shesë Neymarin nëse i vjen një ofertë mjaftueshëm e mirë për këtë gjë është sepse trajneri Thomas Tuchel është i zhgënjyer me problemet e vazhdueshme që braziliani i ka shkaktuar në skuadër.

Shpërndaje në: