Nga 13 mijë Çekut i bëhen 28 mijë veteranë: Thotë se nuk është befasuar
Numri i veteranëve të UÇK-së që kanë aplikuar për pensione ka arritur mbi 28 mijë.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çeku ka thënë sot se nuk ka nevojë për riverifikim të listave. Ai shton se numri nuk e ka befasuar fare, sepse për të një numër i përafërt ishte i pritur.
“Nuk duhet riverifikim të listave, komandantët e kanë vlerësuar dhe kanë deklaruar se janë ata numra dhe ashtu duhet mbesin. Unë nuk e kam pritur një numër të tillë, mund të ketë raste që kanë keqpërdorur por ato duhet hetohen dhe si raste të mbyllura, jo listat komplet”, thotë Çeku për lajmi.net
Mirëpo, Agim Çeku që në kohën e luftës ishte Shef i Shtabit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1999 ia kishte dorëzuar KFOR-it një listë me numrin e ushtarëve të UÇK-së, ka raportuar Telegrafi.
Në atë listë që Çeku ia kishte dorëzuar KFOR-it, siç kishte raportuar vjet edhe Koha Ditore, thuhet se Shtabi i Përgjithshëm kishte 39 pjesëtarë; Zona Operative e Drenicës – 2.611; ajo e Pashtrikut – 1.715; Zona e Dukagjinit kishte gjithsej 1.537 pjesëtarë; ajo e Shalës – 1.253; e Llapit – 4.523; e Nerodimes kishte 1.253; e Karadakut kishte veç 347 pjesëtarë. Batalioni 1/60 kishte 110, derisa Qendra Shkollore kishte 30 pjesëtarë. Brigada 200 e Logjistikës kishte 40. Pra, në total dalin të jenë 13,458 anëtarë.
Një lexues i Telegrafit, luftëtar i UÇK-së, pati thënë se kjo listë është përpiluar në qershor 1999 dhe se të shoqatat e dala nga lufta, si dhe komandantët, e dinë se listat e fundit janë të manipuluara. /Periskopi/




