Nga Amerika: Qysh komunikoi Kurti paradite e qysh pasdite me opozitën në Kosovë

Nga Amerika: Qysh komunikoi Kurti paradite e qysh pasdite me opozitën në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke qëndruar për momentin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atje ku mbrëmë u nënshkrua marrëveshja 236.7 milionë dollarësh mes Kosovës dhe MCC-së. Menjëherë pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, kryeministri Kurti, edhe nga SHBA gjeti kohë ta thumbojë opozitën, duke e ditur se kjo marrëveshje do të ratifikohej sot në Kuvendin e Kosovës, shkruan Periskopi.

“Unë dhe ministrja Rizvanolli ne nuk jemi të bashkuar vetëm në interesa, por edhe në vlera. Unë duhet ta pranoj që jam pak i mërzitur që ministrja Rizvanolli dhe unë do të mungojmë në një prej rasteve të ralla kur opozita na përkrah neve. Jam serioz, jam shumë i sigurt që edhe ata do të mërziten”, ka thënë ai.

Sikur të ‘pendohej’ për fjalët e tij, Kurti nga po i njëjti vend që thumboi mbrëmë opozitën, sot i falenderoi ata për ratifikimin e marrëveshjes.

“Nuk ka pozitë e opozitë për progresin e Kosovës dhe ndihmën e ShBA-ve. Ende pa u bërë 2/3 e një dite të vetme pas nënshkrimit të marrëveshjes në Washington DC, Kuvendi i Kosovës i kaloi 2/3 e deputetëve duke e ratifikuar atë sot. I falënderoj të gjithë dhe secilin nga 89 deputetët që me votën e tyre PËR ratifikuan grantin mbi 200 milionësh të MCC-së për energji e zhvillim. Mbështetja unanime e legjislativit për Programin Kompakt konfirmon ndikimin universal të saj: do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Republikës“, shkroi Kurti.

Megjithatë, ndaj thumbimit që i bëri Kryeministri, as opozita nuk e kurseu atë.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti tha se nuk ka nevojë të jenë të mërzitur sepse Kurti e ka vendin në Kuvend, ku edhe duhet të japë llogari.

‘’ Jo more, pse me qenë i mërzitur. Ai është në Amerikë, derisa të vjen ka kohë me çlodhë edhe me ardhë në Kuvend. Vendi ku ai duhet me dhënë llogari për të gjitha.’’, tha Haliti për Periskopin.

Sipas Halitit, Kurti e Osmani s’kanë pasë nevojë hiç të shkojnë atje për këtë ceremoni, sepse ka mjaftuar prezenca e ministres së Ekonomisë, Artanë Rizvanolli.

‘’Ai nuk është kritiku asnjëherë për marrëveshjen. Ka pasë deklarata që po i prishë raportet Kosovë-Amerikë, këto kanë qenë permanente dhe nuk kisha me thanë se dikush prej deputetëve që është mërzitë pse është nënshkru marrëveshja me MCC’në. Sa i pëket marrëveshje me MCC’në, edhe mos me paasë shku këta, veç ministrja ka mujt me shku edhe me u kthy. Ka qenë një process i gjatë i negocimit dhe nuk është hera e parë që MCC jep fonde në interest ë zhvillimit të Kosovës. Amerika me siguti që i kanë planifiku edhe fondet për ndihma, jo vetëm për Kosovën. Se kanë veç Kosovën si çështje.’’, tha Haliti.

E deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha i tha Periskopit se kurrë mos me e pa kryeministër Kurtin, nuk e merr malli.

‘’ Jo valla. Unë mos me e pa kurrë, s’më merr malli për të. Nuk është temë kjo punë, a mërzitem a s’mërzitem, kot.’’, theksoi Berisha i AAK’së.

Për çudi, në këtë rast, pa fjalë mbeti deputeti i LDK’së, Driton Selmanaj. Një sms i tij për Periskopin ishte kështu:

‘’ Vërtetë s’kam përgjigje për fjalët e këtij kryeministri.’’, ka thënë shkurt Selmanaj.

Ndaj deklaratave të Kurtit nga SHBA, ka reaguar edhe ish-këshilltari i Kadri Veselit, Shkëlzen Dragaj, ku ka thënë se “Albini nuk ka aspak nevojë me u ndje i pikëlluar për opozitën kur në Kuvend votohet ratifikimi i marreveshjes me MCC. Ai duhet me u pikëllu për veten e tij, për vitet e humbura të Kosovës që nga viti 2014, pikërisht për fajin e tij.

“Te pikëllohet për veten e tij që e kishte gabim kur shau gjithçka dhe gjithçka tash po e bën njëjtë. Të pikëllohet shumë kur e kujton ditën kur e portretizoi Amerikën si një shtet ku harta e Kosovës përcaktohet me thika. Të pikëllohet për veten e tij që tha gjatë e dhunshëm se nuk shkon në dialog me Serbinë pa kërkimfalje e 100 të tjera, dhe më pas darkoi i buzëqeshur me Vuçiqin. Që e shau marrëveshjen për targa – më pas të njëjtën e aprovoi, e shau atë për energjinë dhe të njëjtën e aprovoi. Për gënjeshtrn për çmimet, për reciprocitetin në mallra me Serbinë, dhe shumë e shumë të tjera. Për të gjitha ato që bëri, e qe sa gati nuk e çuan Kosovën në konflikt të brendshëm pa asnje arsye nacionale – vetëm për pushtetin e tij. Të ndjehet i pikelluar për militantët e tij, besimin e të cilëve po e tradhëton çdo ditë, një besim i ndërtuar mbi mashtrime. Kjo opozitë që është, ka 20 vjet që është me Amerikën. Ai nuk ka nevojë fare të ndjehet i pikëlluar për kundërshtarët e tij. Veç për veten, që tek tash po e kupton rëndësinë e Amerikës për Kosovën”, shkroi Dragaj.

Në anën tjetër, ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se marrëveshja me MCC-në nuk është meritë e Qeverisë Kurti, por se hise të meritave ka edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga dhe se punë ka kryer edhe Qeveria Mustafa.

“Do t’i them disa të vërteta për kronologjinë e kësaj marrëveshje. Duhet thënë se Qeveria Kurti ka më së paku merita për këtë marrëveshje. Por, pavarësisht kësaj, është Qeveria Kurti që e ka vonuar, së paku dy vjet, realizimin e kësaj marrëveshje. Kjo marrëveshje ka filluar qysh në Qeverinë Mustafa. Edhe Presidentja Jahjaga ka merita të veçanta për inicimin e kësaj marrëveshje. Në Qeverinë Mustafa atëherë kemi punuar gjatë në plotësimin e një liste të gjatë të kushteve për t’u kualifikuar”, tha Hoti në Kuvend.

Ai po ashtu tha se studime të para fizibilitetit kanë mbaruar në gusht të vitit 2020.

“Bazuar në kërkesën e MCC atëherë 24 shtator 2020 qeveria e atëhershme ka dërguar letër në MCC ku ka dhënë qëndrimin e saj sa i përket zhvillimeve Kosova e Re dhe për projektet për programin kompakt”.

Marrëveshja me vlerë prej 236.7 milionë eurosh me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit(MCC) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për projektin Kompakt për energji u nënshkrua nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ndërsa ajo nga ShBA ishte kryeshefja ekzekutive e MCC-së, Alice Albright. /PERISKOPI/

 

 

Shpërndaje në: