Nga bamirësia në përgjegjësi

Nga bamirësia në përgjegjësi

Gjenealogjia e bamirësisë është me bazë hyjnore. Të gjitha religjionet abrahamike bamirësinë, ose ndihmën, e kanë pjesë inherente të tyre.

Ishte Krishti ai i cili në emër të Zotit, pra si biri i Tij, kërkonte që njerëzve t’u ndihmonte, t’i nxirrte në dritë, nga rruga e errët që po marshonin. Ai u bënte mirë njerëzve dhe në këmbim ua kërkonte besimin te Zoti, pra, kërkesa e tij ishte imateriale. Besimi ishte gjëja më e vlefshme që njeriu mund ta ketë për Zotin dhe pikërisht këtë kërkonte ai. Mirëpo, në kuadër të këtij ligjërimi, Krishti ishte i interesuar që duke i falur besimin Zotit, njerëzit të hiqnin dorë nga të mirat materiale, sepse këto të mira njeriun e nxjerrin nga rruga e drejtë. Megjithatë, vetë kërkesa kishte një paradoks, sepse përderisa ligjërohej se Zoti kishte krijuar gjithçka dhe çdo gjë, ai përveç gjërave materiale kishte krijuar edhe kurreshtjen dhe dëshirën e njeriut që t’i posedojë ato. Ata që ndoqën rrugën e Krishtit, apo, thënë më përgjithësisht, ata që ndoqën rrugën që kërkonin religjionet monoteiste, u bënë besimtarë, por për asnjë çast nuk hoqën dorë nga të mirat materiale, mirëpo, filluan t’i interpretojnë ndryshe duke i ndarë në ato që janë të lejueshme dhe ato që janë të ndaluara. Këtu lindë ideologjia (sic!). Pra, ideologjia rrënjët i ka në religjion, e më konkretisht te bamirësia. Edhe skllavëria është bërë dhe është mirëmbajtur në emër të po kësaj bamirësie.

Me lindjen e shtetit, e sidomos me ndarjen e shtetit nga Kisha, do të fillojë një narracion tjetër mbi organizimin shoqëror. Njeriu për veprimet e tij tani nuk do t’i përgjigjet Kishës si zgjatim i Zotit në tokë, sepse tani është shteti ai i cili do të kërkojë llogari për veprimet e secilit, e sa i përket besimit kjo do t’i takojë privatësisë së secilit veç e veç. Mbase, edhe ideologjitë politike rrënjët e tyre i kanë në ligjërimin religjioz. Në emër të një të mire universale, marksizmi kërkonte që njeriu/individi të njëjtësohet me masën. Edhe Marx-i njëjtë sikurse Krishti, kërkonte që njerëzit të heqin dorë nga materialja, sepse ajo na stërkeqë, mirëpo, ndryshon destinacioni, sepse përderisa Krishti kërkonte që njeriu duke hequr dorë nga të mirat materiale dhe duke i falur besimin e tij Zotit, në botën e përtejme do ta fitojë parajsën, kurse Marx-i, ndryshe nga Krishti, një parajsë të tillë njerëzve ua premton në këtë botë: komunizmin. Për të dy këto ligjërime, parajsa është krye-bamirësia, apo krye-ëndrra kadarejane. Si në rastin e religjionit, si në rastin e ideologjive politike, kemi të bëjmë me lindjen e totalitarizmit. Të dy këto raste e suspendojnë individumin njerëzor, duke e krijuar masën e njerëzve që mendojnë njësoj. E, pikërisht këtu lind e keqja që ndryshe quhet Tjetri. Tjetri përfaqëson të keqen, atë që nuk i bindet masës, atë që ka ikur nga rruga e Zotit dhe si i tillë duhet suprimuar nga mundësia e pjesëmarrjes deri në asgjësim. Prandaj, kështu krijohet koncepti i lirisë universale ku Tjetri, si e keqja më e madhe, është eliminuar dhe bota do të hyjë në çastin e lumturisë së amshueshme.

Në të vërtetë, siç edhe do të vërejmë ndërkohë, këto ideologji (religjioze dhe politike) nuk do të mund ta eliminojnë asnjëherë Tjetrin. Tjetri do të vetë-themelohet dhe, si i tillë, do të gjejë shprehje vetëm në formatin e një shoqërie liberale. Shteti liberal tanimë si referencë apo kryereferencë do ta ketë individin dhe për ligjërim do ta ketë mirëqenien e tij. Koncepti i bamirësisë do të zëvendësohet me mirëqenien e individit duke krijuar mundësi që secili të mund ta realizojë veten brenda konditave liberale. Secilit t’i mundësohet shansi, kjo është maksima e shtetit liberal. Individualizmi do të krijohet përmes vetë kërkesës së individit, i cili botën dhe çdo gjë që e rrethon do ta interpretojë në kuadër të botëkuptimeve të tij pa pasë nevojën e ndërhyrjeve nga jashtë. Pra, shteti liberal duke ia ditur gjenealogjinë bamirësisë, si dhe qëllimin që bart me vete si attachment ajo, nuk i dha përkrahje, por përkundrazi e anashkaloi si mundësi, sepse siç vërejmë bamirësia nuk është asgjë tjetër veçse një mirëmbajtëse e sistemit, ni status quo. Prandaj, edhe ne si shoqëri kosovare sa më shpejt që të çlirohemi nga koncepti i bamirësisë, aq më shpejt do të mund të kalojmë në një format ku do t’i hapim rrugë shprehjeve normale, ku do të mund të krijohet individi si qenie vetë-vendimmarrëse dhe, po ashtu, do të mundësohet koncepti i përgjegjësisë para ligjit si një nga fundamentet e shtetit liberal.

 

Shpërndaje në: