Nga begu në berg

Nga begu në berg

Zbulime të mëdha, “tronditëse”, pritet të shpallen këtë vit jubilar të 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut – sikurse njëlloj pritet që shumë nga këto zbulime (për mua, të gjitha) të jenë fryrje, rrena, falsifikime, mistifikime, ose thjesht rimarrje.

Lexoja këto ditë, te shqiptarja.com, për “një shërbim të çmuar që i ka bërë historisë… kërkuesi i apasionuar Aurenc Bebja” dhe pikërisht:

Fatlumi [Bebja] zbuloi para do kohe se në vitin 1912, në Romë, shtëpia botuese “Bontempelli e Invernizzi” ka botuar një libër të Vico Martegazza të titulluar “L’Albania.” Në faqen 17 të librit botohet foto e një medaljeje të krijuar nga skulptori dhe medalisti Heinrich Kautsch.[1]

Tani, një kërkim i shpejtë në Google, më ndihmon të gjej se libri në fjalë mund të shfletohet lirisht, në formatin PDF, i vënë në dispozicion nga Antica Biblioteca Rossanese. Këtu ta ketë bërë edhe zbulimin fatlum Bebja?

Gjithsesi, medalja në fjalë rezulton të jetë përdorur për një seri pullash shqiptare të dhjetorit 2013, dhuratë nga qeveria italiane dhe të krijuara e të shtypura në Torino, sikurse shkruan Bajram Peçi tek e njëjta dossier, në shqiptarja.com.

Këto pulla u modifikuan në 7 mars 1914, për të përshëndetur mbërritjen e Princ Wied-it në Shqipëri (informacioni këtu).

Krahasimi i thjeshtë i medaljes së Kautsch-it me imazhin në serinë e pullave postare nxjerr në dritë të dhëna kurioze:

Çuditërisht, medalja e shkruan më saktë emrin e Skënderbeut: GHERG KASTRIOTI – SKANDERBEGU, duke e identifikuar si MBRETI I SHCIPERISE; ndërsa pulla postare emrit i shton një -i: GJERGJI KASTRIOTI, emrin tjetër e jep në formën SKANDËRBERGU, sërish gabim; dhe titullin e ndryshon nga MBRETI I SHCIPERISE në MBRETI I SHQIPËTARËVET.

Medalja jep edhe vitet e lindjes, përkatësisht të vdekjes së Skënderbeut (1404-1467), besoj në bazë të së dhënave të kohës; ironikisht, ajo është krijuar në një kohë kur Shqipëria ende nuk ekzistonte as si mbretëri as si shtet i pavarur; ndërsa pulla e postës, e lëshuar në kohën kur Shqipëria e pavarur ekzistonte, parapëlqen të flasë për “mbret të shqiptarëve.”

Megjithatë, gabimi më i ëmbël, nëse mund të shprehem kështu, që shoh te pulla e postës ka të bëjë me atë R-në që i shtohet emrit, për ta kaluar nga Skanderbeg në Skanderberg (ë-në e shtuar po e skartoj si typo). Kush ka jetuar në Europë dhe veçanërisht në Itali, do ta ketë ndeshur shpesh këtë Scanderberg, të shqiptuar nga Tjetri; dhe jo sepse rrokja fundore -beg ka ndonjë vështirësi shqiptimi, dhe as ngaqë të huajt e lidhin doemos me një titull osman, por ngaqë kjo -berg automatikisht i jep heroit një dinjitet europian safí, madje teutonik, gjithë duke e shndërruar edhe në një ajs-berg që i del përpara Titanikut osman.

Forma Scanderberg ndeshet rëndom në kulturën dhe artin europian – përfshi këtu edhe një opera të shekullit të XVIII nga dy kompozitorë francezë. Te vëllimi Bibliotheca Biographica: A synopsis of Universal Biography, Ancient and Modern (1760), autori Thomas Floyd shpjegon se SCANDERBERG, në gjuhën turke, ka kuptimin “a valiant man” (burrë trim).

Edhe shkrimtarja frënge Marie-Catherine Desjardins (1640-1683), e njohur me emrin Madame de Villedieu, në romanin e saj Mémoires du Sérail sous Amurat second (1670), e përfshin Skënderbeun mes personazheve që jetonin në sarajet e Muratit II.[2] Princ dhe një nga protégé-të e Sulltanit, Skënderbeu bie çmendurisht në dashuri me Servilie-n, skllaven favorite në harem. Kur Murati II ia vret me pabesi katër vëllezërit dhe ka ndërmend ta heqë qafe edhe Skënderbeun, Servilia ndërhyn për t’ia shpëtuar jetën. Pas kësaj, Skënderbeu thotë:

Falë ndikimit që pati  mbi të [Muratin II] ajo arriti të sigurojë për mua drejtën që të edukohem në Serraglio; dhe më dha emrin Scanderberg.[3]

Megjithë okurrencat e shumta në letërsinë orientaliste, emri Scanderberg thjesht për nga forma e (ri)sjell Skënderbeun në Europë, edhe pse duke ia ruajtur njëfarë ekzotizmi. Në çdo rast, kalimi nga Scanderbeg e Barletit te forma e modifikuar ka nevojë për hulumtime filologjike, që të ndriçohet më mirë – sa kohë që edhe arbëreshët e Italisë e përdorin rëndom: gjeta restorantin  Scanderberg në Frasnitë por edhe një Tenuta Scanderberg në Felline, Salento dhe një të tretë në Falconara Albanese; çfarë më thotë se një pasaktësi nuk mund të mbijetojë kështu, pa bashkëpunimin (bashkëfajësinë) e përdoruesve.

E nisur si një variant “korrektues” i emrit Skënderbeg që do të ketë tingëlluar i huaj për europianët, Scanderberg kthehet në origjinën e vet imagjinare, për t’u shfaqur në një simbol aq formalisht shtetëror, sa ç’është pulla e postës – duke shënjuar, njëkohësisht, përmbylljen e një lëvizjeje rrethore që e pat projektuar dikur emrin në Europë për ta orientalizuar, dhe tani e kthente sërish në Shqipërinë shtet të sapo-krijuar (“Shqipënia e lirë”) në formë të oksidentalizuar. Europa e romantizoi Skënderbeun edhe ngaqë u tërhoq nga mbitonet orientale dhe ekzotike të personazhit; Shqipëria e ribëri të vetin, por – pa dashur – në formë të oksidentalizuar.[4]

Morali i kësaj përralle: historia e Skënderbeut dhe tradita e rrëfimit skënderbejan janë shoqëruar, në rrjedhë të shekujve, me gabime, keqkuptime, shtrembërime, mashtrime, abuzime dhe falsifikime të panumërta – në vend që t’i bëjmë këto gabime tonat dhe t’i mbrojmë si pjesë e trashëgimisë “kulturore” të heroit tonë kombëtar, do të bënim ndoshta më mirë që t’i shqyrtonim e t’i hulumtonim si të tilla – në falsitetin dhe patologjinë e tyre – për të kuptuar më mirë mënyrën si është përcjellë trashëgimia në fjalë, brez pas brezi dhe shekull pas shekulli.

 

Shpërndaje në: