Nga çkapja në kapje: Kurti rehaton në Ujësjellës anëtarin e Vetëvendosjes

Nga çkapja në kapje: Kurti rehaton në Ujësjellës anëtarin e Vetëvendosjes

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e radhës ka emëruar anëtarët në bordet e katër ndërmarrjeve publike, shkruan Periskopi.

Qeveria votoi edhe për Bordin e Kompanisë së Ujësjellësit Hidroregjioni Jugor, kryesues, Feim Fetoshi dhe anëtare Mirlinda Morina, Naim Ukaj dhe Arben Hajrizi.

Periskopi ka gjetur se kryesuesi i Bordit, Feim Fetoshi është një inxhinier që ka aderuar në Lëvizjen Vetëvendosje para tri viteve.

Gjatë karrierës së tij ka pasur goxha kthesa politike.

Aderimin e tij e kishte prezantuar lideri i LVV-së, Albin Kurti.

“Feimi është Inxhinier i Teknologjisë dhe Bioteknologjisë me studime të përfunduara në Universitetin e Prishtinës dhe në Zvicër. Me një praktikë profesionale në EZH të Zürichut dhe koncernin Pharmacia të Freiburgut, ai ka kontribuar në Simpoziumin e parë të vertarisë dhe vreshtarisë së Kosovës”, kishte shkruar Kurti.

Feim Fetoshi për disa vite ishte kryetar i Degës së AAK-së në Rahovec dhe asambleist i këtij subjekti në Kuvendin e Komunës së Rahovecit. Pastaj, ai kishte aderuar në PDK për t’u bërë fillimisht drejtor i Shërbimeve Publike dhe më vonë drejtor i Bujqësisë në kohën e qeverisjes së Idriz Vehapit. Në zgjedhjet lokale në Rahovec, ai është parë në përkrahje të kandidatit të LDK-së, Ibrahim Kryeziu, ndërkaq në zgjedhjet e fundit parlamentare të viti 2019, Fetoshi ka përkrahur Lëvizjen Vetëvendosje, në tubimet e së cilës ka marrë pjesë aktivisht.

K.R.U “Hidroregjioni Jugor” Sh.A, daton së ekzistuari që nga viti 1962 i njohur atëbotë si ndërmarrje shoqërore me emrin “Cvileni” gjer në vitin 1999 kur transferohet në ndërmarrje publike nën ombrellën menaxhuese të shtyllës së IV-të të UNMIK-ut. Në vitin 2005 ndërmarrja regjionalizohet duke inkorporuar në menaxhim përveç Prizrenit edhe njësitë tjera komunale, Suharekën, Malishevën dhe Dragashin. Me Vendimin nr. 70229324 të nxjerrur nga Agjensioni Kosovar i Mirëbesimit fiton statusin e Korporatës Regjionale për tu avansuar si Shoqëri Aksionare me datën 01.06.2007 me participim nga 5 ministritë qeveritare, MEF-i, MTI-ja, MEM-i, MTPT-ja dhe MAPH-ja. Aktualisht K.R.U “Hidroregjioni Jugor” Sh.A ushtron veprimtarinë sipas Ligjit mbi ndërmarrjet publike nr 03/L-087 aprovuar nga Kuvendi i Kosovës dhe dekretuar nga Presidenti me datën 15.06.2008. /Periskopi/

 

Shpërndaje në: