Nga një deputete rrebele në ambasadore

Nga një deputete rrebele në ambasadore

 

Ish-anëtarja e Vetëvendosjes, tash deputete e LDK-së, Alma Lama ishte një ndër deputetet “rrebele” që kundërshtonte ashpër ardhjen e Hashim Thaçit në fron si president i shtetit. Megjithatë, ditën e votimit ajo ishte në sallën plenare të Kuvendit dhe votoi si një deputete e përgjegjshme, siç do ta quante kryeministri Mustafa. Disa muaj më pas, Lama caktohet si ambasadore e ardhshme e Kosovës në Itali. U përfol se deputetëve të LDK-së atë ditë iu ndanë shpërblime të ndryshme për votën pro-Thaçit. U dhanë terminale e vende pune të afërmëve të deputetëve në fjalë, ndërsa sot po u dhurohen edhe poste diplomatike.

Për këtë vendim të Qeverisë së Kosovës njoftoi sot shefi i Qeverisë, Isa Mustafa. Me rastin e caktimit si ambasadore, kryeministri i thuri elozhe deputetes që deri më tash nuk njihej si shumë e dëgjueshme dhe shpesh dilte kundër vendimeve që sjellte partia. Si duket gjërat kanë ndryshuar dhe Mustafa e Lama kanë gjetur gjuhën e përbashkët.

“Në Itali do të kemi një ambasadore të shkëlqyeshme. Një intelektuale, deputete që ka njohuri të thella për vendin e saj, njohëse të thellë të ekonomisë dhe kulturës italiane, të Vatikanit dhe Maltës. Asgjë më shumë, veç se do të vazhdojmë të mburremi me ambasadoren e ardhshme, Alma Lama”, thuhet në statusin lavdërues të kryeministrit Mustafa të postuar sot në Facebook

Në vitin 2013 Lama kishte dhënë dorëheqje nga partia ku angazhohej politikisht. Ajo e akuzoi Vetëvendosjen se po flirtonte me rrymat ekstremiste islamike, akuza të cilat nuk janë vërtetuar ende. Disa thonë se Vetëvendosje nuk është aspak profitabile në sferën personale përkundër angazhimit maksimal.

“Radikalizmi po i ngulfat edhe vlerat më të mira që i kanë shumica e vajzave dhe djemtë e Vetëvendosjes”, shkruante Lama në një letër publike pas dorëheqjes.

Caktimi i një deputete “rrebele” si ambasadore u mediatizua me shpejtësi. Lama u akuzua për shitje të votës së saj me rastin e zgjedhjes së Hashim Thaçit president për një pozitë si kjo e ambasadorit.

Ndër të parat që reagoi ishte kolegia e saj e dikurshme nga Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.

“Deputetë që shiten e blihen! Mandej po pyesin se a do të lejojmë që marrëveshja për demarkacionin të lihet në votim! Si me leju kur këta deputetë me ambicie të sëmura e shesin edhe krejt Kosovën për një vend pune a terminal doganor!”, ka shkruar në Facebook Haxhiu.

Edhe opinionistja dhe gazetarja Arbana Xharra ishte e ashpër ndaj Lamës. Madje ajo iu drejtua Lamës edhe me emër, duke e pyetur nëse ndjente turp për kalkulimet e saj.

“Alma Lama a po të vjen turp ta shesësh votën për një pozitë??? Deri këtu paska ra pazari??? Ku mbeti gjithë ajo zhurmë e moral politik që me vite na ke shitur. Më befasoi lajmi kur lexova se ti ke rënë në këtë nivel, e aq shumë kur tash po kujtoj gjithë atë përpjekje ghjoja për të mirën e këtij vendi. Të gjitha kauzat tuaja, paskan qenë për një post diplomatik”, ka shkruar Xharra në Facebook.

Akuzave të shumta iu kundërpërgjigj Lama në Facebook. Me “Kukuvajkat nuk paskan të ndalur…”, nis reagimin e saj deputetja.

Reagimi i plotë i Lamës:

Kukuvajkat nuk paskan te ndalur…

Ne vend qe te merren me punet e tyre per te cilat jane votuar dhe paguhen, merren me baltosje te te tjereve.
Ne vend qe te denojne njerezit qe kryejne krime apo vepra penale, merren me baltosjen e njerezve te paster.
Ne vend qe te mbajne pergjegjesi per deshtimet e tyre dhe mashtrimin qe ua bejne qytetarve, merren me intriga e shpifje.

Ne fakt eshte kultivimi i kesaj gjuhe jodinjitoze, qe i ben te terhiqen njerezit dinjitoze, dhe t’iu hapin rruge maskarenjve.

E rendesishme eshte se une do te vazhdoj te punoj per Kosoven, kudo qe te jem, brenda apo jashte saj. Kjo eshte e sigurte.

Qente le te lehin, karvani le te ece perpara, thote populli.

p.s. po me dhimbset shume koha qe e kam humbur me disa njerez qe i kam konsideruar miq dhe me vlera.

Lama vazhdoi postimet e saj të njëpasnjëshme në Facebook duke injoruar çdo akuzë dhe dyshim ndaj saj me një dozë arrogance. Por, mbështetja dhe respekti që gëzonte nga njerëzit duket se u venit pas marrjes së postit. Kush e di, ndoshta edhe ia ka vlejtur. /Periskopi/

Shpërndaje në: