Nga Prokuroria tregojnë nëse i dyshuari për sulm seksual ndaj alpinistes ka të kaluar kriminale

Nga Prokuroria tregojnë nëse i dyshuari për sulm seksual ndaj alpinistes ka të kaluar kriminale

Alpinistja Mrika Nikçi është sulmuar seksualisht në qendër të Pejës, gjatë kësaj jave. Momentin e sulmit, ajo e ka publikuar në profilin e saj në Facebook. I dyshuar për rastin është Flori Beqiri.

Për rastin është deklaruar edhe Prokuroria Themelore e Pejës. Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi tha se rasti ka ndodhur më 27 shtator dhe pas sigurimit të videoincizimeve është arritur të identifikohet personi, i cili më pas është arrestuar.

“Rasti ka ndodhur më datën 27 shtator, ndërkaq pasi është raportuar rasti kanë qenë të angazhuar dy prokuror të shtetit dhe njësitë relevante policore, me ç’rast pas sigurimit të videoincizimeve është arritur të identifikohet personi më pas është arrestuar dhe është dërguar në ndalim 48 orësh, besoj që nesër prokurori i shteti do të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit dhe gjyqtari i procedurës paraprake duhet të mbajë seancën brenda 48 orëve”, tha Nikçi.

Ai u shpreh se me aq sa ka informacione, i dyshuari nuk ka të kaluar kriminale.

“Zonja Mrika ka pasur një guxim të jashtëzakonshëm që e ka publikuar këtë video. Publikimi ka ndodhur pas arrestimit, pra disa orë pas arrestimit të tij. Ajo çfarë është parë është shokuese dhe besoj që prokurori i shtetit së bashku me njësitet relevante policore do të bëjë veprimet hetimore që të ndriçohet kjo çështje penale më plotëni dhe në koordinim edhe me gjykatën besoj që do të caktohet edhe masa e paraburgimit. Aq sa kam unë informata, i dyshuari nuk ka të kaluar kriminale, mirëpo ky veprim ka qenë shokues, për shkak se është e papranueshme sjellja dhe mënyra se si është kryer kjo vepër penale”, tha Nikçi në Klan Kosova.

Për rastin njoftoi vetë Nikçi, e cila tha se i dyshuari është anëtar i një familje të njohur në Pejë.

“Shokë e shoqe, po ju njoftoj për një rast i cili me ka tmerruar plotësisht! Me datë 27. 09.2022, në ora 20.50, në qendër të qytetit te Pejës isha viktimë e sulmit seksual, veprim vandal i cili është kryer me paramendim nga personi F.B, anëtarë i një familje të njohur në qytetin e Pejës”, ka shkruar ajo.

Ajo ka thënë se është në gjendje të rëndë emocionale.

“Si pasojë e kësaj situate, për momentin jam në gjendje të rëndë emocionale dhe nuk mund të deklarohem në tërësi. Pas vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës do të ju njoftoj për rrjedhën e situatës dhe sulmuesin e paskrupullt. Në videon e bashkangjitur, e gjykoni vetë këtë gjest të shëmtuar, viktimë e të cilit ka mundur të jetë çdo familjarë i juaji”, ka shkruar ajo.

Shpërndaje në: