Nga punësimet e militantëve e deri te shkelja e Kushtetutës nga Nagavci: Ngjarjet që shënuan javën

Nga punësimet e militantëve e deri te shkelja e Kushtetutës nga Nagavci: Ngjarjet që shënuan javën

Javë dinamike, e skandaleve dhe e zhgënjimeve nga Qeveria Kurti. Kështu u përmbyllën pesë ditët e punës, të kësaj jave që po e lëmë pas. Punësimet e militantëve të Vetëvendosjes në KEK, zhgënjimi i ndërkombëtarëve me përzgjedhjen e emrit të Kryeprokurorit të Shtetit të Kosovës, protesta masive e sindikalistëve ndaj Qeverisë, për mos-miratimin e Ligjit të Pagave dhe shkelja e Kushtetutës nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci…

Gjithçka nisi të hënën e 4 prillit kur në media doli në pah skandali i punësimeve të militantëve të Vetëvendosjes. Në mesin e 128 kandidatëve, dhjetëra prej tyre kishin lidhje me partinë në pushtet. Pati reagime të ashpra në publik, aq më tepër kur kryeministri Albin Kurti vet sa ishte në opozitë thoshte: Kushërinjtë janë për te shpija e për në dasma, jo për në Qeveri. E në fund doli se ‘kushërinjtë janë për dasma, e militantët e VV’së për në KEK’ .

Kjo temë natyrisht u diskutua çdo ditë, e zor që do të shuhet edhe për një kohë të ardhshme.

Kah mesi i javës, lindën kritika për përzgjedhjen e emrit të Kryeprokurorit të Shtetit. Bashkimi Evropian, Amerika e vendet e tjera të QUNTIT nuk po e duan Blerim Isufajn në krye, të cilin e përzgjodhi Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK). Pra ndërkombëtarët u shprehën të zhgënjyer. Në këtë mes, nga opozita pati kritika ndaj Qeverisë Kurti, se po tentojnë të fusin hundët edhe tek zgjedhja e Kryeprokurorit.

Kah  e premtja shpërtheu protesta masive e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (SPK). Po kërkojnë miratim sa më të shpejtë të Ligjit të Pagave. Nisja e tyre u bë nga Biblioteka Kombëtare e Prishtinës e deri tek objekti i Qeverisë, ku u ndalën e thanë disa fjalë, ndonëse nuk kishte kush t’i dëgjonte sepse kryeministri Albin Kurti gjendej në Greqi. Kryesindikalisti Rrahman Jasharaj paralajmëroi popullin se grevat do të nisin më 30 prill, ndërkohë që fajtor të vetëm për krejt trazirat e la pikërisht Kurtin.

E premtja nuk mbaroi me kaq. Kah pasditja doli lajmi se ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka shkelur Kushtetutën e Kosovës, duke anuluar procesin e reformës në arsim në qytetin e Kamenicës. Pra kryetari i atëhershëm. Qëndron Kastrati e fitoi rastin në Gjykatë. Menjëherë u kërkua dorëheqja e ministres Nagavci, e cila përveç që nuk ka vepruar ende diçka , bëri një reagim kinse kjo ka të drejtë, e jo Kushtetuesja.

Krahas zhvillimeve në Ukrainë, atje ku bombardimet ruse po vazhdojnë, kryeministri Albin Kurti po qëndron në Greqi, të cilëve u kërkoi njohjen, ndonëse ministre Gërvalla dikur thoshte ‘s’e lusim Greqinë për njohje’.Të dy, sot u panë në takim me ministrin grek.

E kur jemi tek çështjet rajonale e njohjet, si duket Serbia e ka marrë me seriozitet lobimin për imazhin e tyre ndërkombëtarisht. Ambasadori serb, Marko Gjuriq i shkoi në takim presidentit amerikan, Joe Biden. Menjëherë popullit tonë i ra në mend se si zyrtarëve tanë të lartë shtetërorë, Albin Kurtit e Vjosa Osmanit ende nuk ju shkeli këmba në Shtëpinë e Bardhë. /PERISKOPI/

Shpërndaje në: