Nga Raketa Hapësinore e Kërkimfalja serbe e tekderi te Miss Gjyshja: Premtimet më spektakolare të VV

Nga Raketa Hapësinore e Kërkimfalja serbe e tekderi te Miss Gjyshja: Premtimet më spektakolare të VV

Vetëvendosje shquhet si një parti që koncentrohet rreth liderit të saj, Albin Kurtit, dhe që nuk bën premtime serioze nëpër zgjedhje qendrore e lokale. Sidoqoftë, shpërthime të vogla sporadike në formë premtimesh bëhen, me raste.

Së fundi, bujë bëri deputeti dhe kandidati për kryetar të Ferizajt, Valon Ramadani, i cili premtoi organizimin në formë profesionale të një konkursi të titulluar “Miss Gjyshja”.

Ai madje, u krekos para opinionit publik për një ide të tillë edhe pse duket se idenë e ka marrë në një serial të bazuar te krijuesi i filmit serik të suksesshëm “Squid Game”.

Sidoqoftë, ky është larg të qenit një nga premtimet më spektakolare të Vetëvendosjes.

Raketa Hapësinore

Ishte Jahja Kokaj që e zuri në befasi popullin kur tha se gjatë qeverisjes së Albin Kurtit, do të ndërtonte një raketë hapësinore.

Realizimi i këtij premtimi do ta bënte Kosovën vetëm shtetin e dymbëdhjetë në botë që shkon në hapësirë.

Por, opinioni ishte përgjithësisht skeptik për seriozitetin dhe mundësitë e realizimit të saj.

Farat e kumbullave

Në zgjedhjet e kaluara për kryetar të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, kishte premtuar “ngrohtore me fara të kumbullave”.

Qytetarët e Mitrovicës në atë kohë i besuan këtij premtimi dhe e votuan Bahtirin. Nuk e dimë si qëndron puna kësaj here, por Bahtiri në një emision u sigurua që “ta harronte programin në makinë” duke mos i dhënë premtimet e tij.

Fabrikë të grave

Edhe Arsim Rexhepi, kandidati për kryetar të Vushtrrisë nga Vetëvendosje, e bëri një premtim mjaft interesant: fabrikë të grave.

“Ndërsa kryevepër e këtij programi do të jetë edhe fabrika e grave,” u shpreh z. Rexhepi, përcjell Periskopi.

Besojmë që z. Rexhepi e ka pasur fjalën për një fabrikë e cila ndoshta do të punësonte vetëm gra, ose kështu diçka.

Kërkimfalja nga Serbia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me qindra herë e ka përsëritur e ripërsëritur e riripërsëritur se nuk do të negociojë me Serbinë pa kërkuar falje kjo e fundit për krimet e bëra në Kosovë. Madje, me raste përmendte edhe dëmshpërblimet e luftës.

Por, ashtu siç edhe pritej, nuk ndodhi kështu dhe ky përfundoi thjesht si një premtim qesharak elektoral.

Kurti ka edhe dhjetëra, në mos qindra, qëndrime e premtime të shkelura.

Shpërndaje në: