Nga Veriu: Nis largimi i barrikadave në pikat kufitare

Nga Veriu: Nis largimi i barrikadave në pikat kufitare

Kanë filluar të largohen bllokadat nga pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, ku ishin të vendosura që nga mbrëmja e së dielës, nga serbët lokalë të komunave veriore serbe.

Ky veprim vjen pasi Qeveria e Kosovës, ka marrë vendim që të shtyhen masat për reciprocitet me Serbinë për cështjen e targave dhe letërnjoftimeve.

Kërkesën për shtyrjen e vendimit e ka bërë ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.

RIKUJTOJMË: Për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe, serbët lokalë në Kosovë më 31 korrik vendosën barrikada në rrugët që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak.

Qeveria tha se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë dhe atë për ndryshimin e targave serbe, kur të hiqen bllokadat.

Vendimi për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje, po zbatohet në katër pikat e tjera kufitare me Serbinë, të cilat janë të hapura.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti në veri të Kosovës. /foto kryesore e lajmit: REL/ 

 

Shpërndaje në: