Ngritet aktakuzë ndaj një polici për falsifikim të dokumenteve

Periskopi.com Lajme

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër Komandantit të Nënstacionit Policor në Zhur, Z.S. për veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se ai ka ndryshuar gjobën ndaj një qytetareje e cila i ka shkelur rregullat e trafikut.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri Z.S., si person zyrtar – Komandant i Nënstacionit Policor në Zhur, në dokumentin zyrtar – Fletëparaqitjen për Kundërvajtje, të datës 27.03.2021, të lëshuar kundër kundërvajtëses M.E., nga zyrtari policor V.F., dhe D.K., sipas së cilës fletëparaqitje ajo kishte bërë kundërvajtje nga neni 72.1 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor (Ligji nr.05/L-088) dhe për të cilën kundërvajtje të njëjtës i është shqiptuar gjoba në shumë prej 200 euro, masa mbrojtëse – marrja e patent shoferit për tre (3) muaj dhe shqiptimi i një (1) pike negative, e i cili në këtë fletëparaqitje shënon të dhëna të rreme, në atë mënyrë që me datë 29.03.2021, ndërhyn në fletëparaqitje duke shënuar se kundërvajtësja ka kryer kundërvajtje nga neni 78.1, tek pjesa e gjobës ia bënë gjoben 50 euro, anulon masën mbrojtëse dhe pikën negative duke fshirë me laps-kimik, fshin edhe tek vendi ku shkruan “Dokumenti i konfiskuar”, ku ka qenë i shënuar numri i patent shoferit të kundërvajtëses, vë nenshkrimin e tij tek “Nënshkrimi i mbikëqyrësit” dhe shënon numrin e ID-së së tij, me të cilin nënshkrim vërteton këtë dokument zyrtar që përmban të dhëna të rreme”, thuhet në njoftim.