Nis takimi i Besnik Bislimit me Petkoviqin në Bruksel

Periskopi.com Lajme

Në Bruksel ka nisur takimi ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të bllokut evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Këtij takimi i paraprin dy takime të ndara të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë me Lajçakun dhe ekipin e tij, që u zhvilluan më 7 shtator.

Takimi i 8 shtatorit po mbahet pavarësisht se palët një ditë më herët thanë se nuk kanë arritur pajtim as për rendin e ditës së takimit trepalësh.

Më 7 shtator, delegacioni i Kosovës, i udhëhequr nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ka diskutuar me BE-në për temën e të pagjeturve, energjetikës, targave të veturave dhe për vizitat zyrtare, pasi Prishtina zyrtare ia ndaloi hyrjen shefit të delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Petkoviqit i është ndaluar hyrja për shkak të “deklaratave provokuese” që ka bërë ai gjatë tri vizitave të fundit.

Megjithatë, nga MPJD-ja nuk kanë sqaruar se për cilat deklarata bëhet fjalë.

Kosova, sipas zëvendëskryeministrit Bislmi, nuk dëshiron që të diskutohet sërish për marrëveshjet e arritura më herët në kuadër të dialogut, por do vetëm të diskutohet për zbatimin e tyre.

Për disa marrëveshje të arritura më herët, siç është ajo për tragat e veturave, të cilës së shpejti i skadon afati kalimtar, siç ka paralajmëruar Besnik Bislimi, Kosova do të përdorë parimin e reciprocitetit.

Delegacioni i Serbisë, ndërkaq, ka insistuar që të diskutohet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për Marrëveshjen për drejtësi, atë të vizitave zyrtare dhe për çështjen e të zhdukurve. Sipas burimeve diplomatike, Beogradi zyrtar po insiston që të mos diskutohet për Marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve, por së pari të diskutohet për formimin e Asociacionit.

Sipas paralajmërimeve të mëhershme të delegacionit të Kosovës, në takimin trepalësh pritet të diskutohet për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Por, edhe rreth kësaj teme është paraqitur pengesë fakti që në delegacionin e Serbisë bën pjesë Velko Odalloviq dhe pala kosovare ka thënë nuk dëshiron që të takohet me të.

Edhe më herët, Qeveria e Kosovës ka thënë se Odalloviq ka qenë personi kryesor i regjimit të Slobodan Millosheviqit në Kosovë dhe ai duhet të merret në pyetje për personat e zhdukur dhe jo të jetë pjesë e një komisioni për të zhdukurit.

Takimet e këtij raundi bisedimesh në Bruksel janë të rëndësishme për organizimin e një takimi në nivelin e lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimi Kurti-Vuçiq pritet të ndodhë në fund të shtatorit.

Takimi i fundit në nivelin e lartë është zhvilluar më 19 korrik, por ai nuk ka prodhuar ndonjë rezultat konkret.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, ka nisur më 2011. Ky proces thuhet se ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve.