Nis zbatimi i marrëveshjes, PD cakton ministrat të dielën
24 orë pas zyrtarizimit të marrëveshjes mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, ka filluar të zbardhet rruga nëpër të cilën do të ecë zbatimi i saj, raporton Vizion+.
Së pari, Presidenti i Republikës Bujar Nishani duhet të dekretojë datën e re të zgjedhjeve të përgjithshme, por edhe të zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë e Kavajës.
Ndërkohe që mësohet se deri të dielën, Partia Demokratike do të ketë gati propozimet për zëvendëskryeministrin, 6 ministrat si dhe drejtorët që sipas marrëveshjes propozohen nga ajo.
Ky sqarim është dhënë nga vetë lideri i opozitës Lulzim Basha, i cili gjatë takimit me kryetarët e PD në rrethe, sqaroi se javën e ardhshme mbyllet edhe lista e kandidatëve për deputetë.
Lidhur me depozitimin e listës se kandidatëve për deputetë dhe regjistrimin e partive, mësohet se kodi elektoral nuk do të ndryshojë, pavarësisht se afatet janë djegur.
Burime pranë mazhorancës, bëjnë me dije se ligji zgjedhor nuk do te preket, dhe partitë e opozitës thjesht do të depozitojnë listën e kandidateve për deputetë në 26 maj, duke ia lënë vendimmarrjen Komisionit Qendror te Zgjedhjeve.
Java e ardhshme do te jete e ngjeshur për Parlamentin, i cili duhet te rimblidhet për të votuar jo vetëm ministrat e rinj dhe kreun e ri të Komisionit Qendror te Zgjedhjeve, por edhe ngritjen e komisioneve të vetingut.



