Një 28 nëntor pa ish-krerët e UÇK-së, institucionet shtetërore “frikësohen” edhe t’i përmendin në 23 vjetorin e daljes publike të tyre

Një 28 nëntor pa ish-krerët e UÇK-së, institucionet shtetërore “frikësohen” edhe t’i përmendin në 23 vjetorin e daljes publike të tyre

Sot në të gjitha trojet shqiptare shënohet 28 nëntori, një datë kjo e cila ndër vite ka shënuar pikëprerje të rëndësishme historike për mbarë popullin shqiptar. Përveç festës së Flamurit Kombëtar, 28 nëntori është edhe ditëlindja e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe përvjetori i daljes së parë publike të UÇK-së.

E ky përvjetor i 23-të i daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e gjen vendin pa ish-krerët e saj dhe pa njërin ndër tre protagonistët e daljes së parë publike, shkruan lajmi.net.

Hashim Thaçi, ish-drejtuesi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, ish-komandant i Shërbimit të Kundërzbulimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi ish-zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dy krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës dhe ish-pjestarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati e gjithashtu edhe ish-luftëtari i UÇK-së, Sali Mustafa gjenden në Hagë ku po mbahen në paraburgim dhe do të përballen me drejtësinë e Gjykatës Speciale atje.

Por, mungesa e tyre siç duket nuk është vërejtur nga krerët e institucioneve të Kosovës, pasi në telegramet e tyre të urimeve, paraqitjet e tyre para mediave dhe urimet personale nuk i kanë përmendur në asnjë moment.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka dërguar një telegram urimi tek kryeministri i Shqipërisë Edi Rama me ç’rast i ka uruar ditën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, por as aty e as në publikimet e tij të tjera në Facebook, ai nuk ka përmendur askund ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët janë në Hagë.

Kryeministri Hoti ka vizituar edhe shtatoren e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe atë të ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, por në asnjërin nga këto dy postime të tij në Facebook nuk janë përmendur krerët e UÇK-së ose veç UÇK-ja.

Ai ka vizituar gjithashtu edhe kompleksin memorial të familjes Jashari në Prekaz, por, Hoti edhe aty ka qëndruar indiferent ndaj mungesës së ish-krerëve të UÇK-së.

As u.d e presidentës së Kosovës, që mbanë gjithashtu edhe pozitën e Kryetarës së Kuvendit të Kosovës nuk ka ndarë kohë për t’i përmendur ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ajo nëpërmjet një telegrami urimi ka uruar presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta për pavarësinë e Shqipërisë, por nuk ka gjetur momentin për të përmendur mungesën e ish-krerëve të UÇK-së.

E nga figurat e rëndësishme politike në Kosovë, ishte Albin Kurti ai i cili përmendi ish-komandantin e UÇK-së, Rexhep Selimin dhe të tjerët krerë të UÇK-së tërthorazi.

Ai gjatë vizitës së tij në Prekaz u shpreh: “Sot në Prekaz ishim me Shqipen, pa Rexhën, e cili me 28 nëntor bëri shpalljen publike të UÇK-së. Padrejtësia ndaj atyre që e shpallën UÇK-në, nuk do të na dobësoj, sepse patjetër do të ngadhënjejmë”.

Thirrje për unitet politik që të mbrohet e vërteta historike e Kosovës dhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka bërë edhe ish-komandanti i UÇK-së, Fatmir Limaj.

“Sot, më shumë se kurrë na duhet bashkim e unitet në luftën tonë në shtetndërtim dhe për të vërtetën tonë historike, e cila po na luhatet e kërcënohet nga ata të cilët dje na kanë kërcënuar qenien tonë, lirinë tonë dhe sot bëjnë përpjekje për të kërcënuar të vërtetën tonë, historinë tonë, themelet e shtetit tonë, që janë të ndërtuara mbi shkronja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorëve të UÇK-së, burrave dhe grave, veteranëve, invalidëve dhe gjithë atyre njerëzve të cilët nuk kursyen asgjë për të dhënë për lirinë e Kosovës.”, tha Limaj ndër të tjera.

E mësim të mirë, krerëve të institucioneve të Kosovës iu ka dhënë sot, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ai në një urim të tijin ka thënë se këtë festë ua uron presidentit Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarëve të tij.

“Dëshiroj t’u uroj të gjithë shqiptarëve kudo që janë, këtë ditë të bekuar të flamurit tonë kombëtar, të Pavarësisë së Shqipërisë dhe njëkohësisht në këtë ditë që është edhe dita e lindjes së komandantit legjendar të Luftës Çlirimtare të Kosovës , dëshiroj t’i uroj festën e Pavarësisë dhe Ditën e Flamurit, Presidentit Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarëve të tij që sot nuk gjenden në shtëpi”, u shpreh kryeministri i Shqipërisë.

E më i kujdesshëm në këtë pikë ishte u.d të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Ai në urimin e tij për këtë 28 nëntor është shprehur se udhëheqësit kryesorë të luftës për lirinë e Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi e Salih Mustafa po mbahen të mbyllur padrejtësisht.

“Ky nëntor është i rëndë për çdo qytetar në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni Veriore e kudo që gjenden në botë. Ky 108 vjetor, na gjeti pa udhëheqësit kryesorë të luftës për lirinë e Kosovës. Pa presidentin Hashim Thaçi, kryetarin Kadri Veseli, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Sali Mustafën. Në këtë 28 Nëntor, ata po akuzohen e po mbahen të mbyllur padrejtësisht, sepse lufta e tyre, lufta e UÇK-së ishte e pastër dhe asgjë e askush nuk mund ta njollosë atë. Kjo ngjarje ka lënduar çdo shqiptar dhe prandaj ftoj secilin që hidhërimin ta shndërrojmë në forcë dhe lëndimin në vullnet për ta bërë Kosovën dhe PDK-në më të fortë, më stabile dhe të zhvilluar!”, thuhet në urimin e Hoxhajt.

Ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gjykata Speciale ka përgatitur një varg të akuzave për të cilat të gjithë të përmendur janë deklaruar të pafajshëm, ndërsa mbrojtja ka deklaruar se ato janë qesharake dhe jashtë juridiksionit dhe premisave juridike mbi të cilat janë ngritur Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Dita e 28 nëntorit ka edhe gjatë kohë për të përfunduar dhe mbase liderët institucionalë do të gjejnë kohë të kujtojnë se në 23 vjetorin e daljes publike, ish-krerët e UÇK-së gjenden larg vendit të tyre për lirinë dhe ekzistencën e të cilit sot po mbahen në Hagë.

Shpërndaje në: