Një 35 vjeçare shtatzënë dhunohet seksualisht në një motel në Prizren

Një 35 vjeçare shtatzënë dhunohet seksualisht në një motel në Prizren

Një grua nga komuna e Prizrenit ka raportuar në Polici se gjatë muajit mars të këtij viti është dhunuar seksualisht nga një burrë. Gjatë kohës sa i dyshuari kreu krimin e rëndë, pa dëshirën e saj, ajo ishte në muajin e katërt të shtatzënisë.

35 vjeçarja nga Prizreni, më 3 maj ka shkuar në Polici për ta lajmëruar rastin bashkë me burrin e saj.

Gazeta Express që ka raportuar në mënyrë tendencioze për rastin ka mësuar se ajo ka “deklaruar se derisa ishte duke pushuar në motel [e moteli nuk është vetëm për të bërë seks, siç mund të kenë menduar shumica prej jush], i ka hyrë në dhomë një person i moshës 44 vjeçare, i cili ka kryer marrëdhënie seksuale me të, pa dëshirën e saj.

Ajo që duhet kuptuar është se një pjesë e madhe e të mbijetuarave të dhunës seksuale nuk mund të rrëfejnë menjëherë për rastin për shkak të traumës së pësuar.

Burime të gazetës brenda policisë bëjnë të ditur se në kohën kur ka ndodhur ky rast, 35-vjeçarja ka qenë në muajin e katërt të shtatzënisë, ndërkaq bashkëshortit nuk i ka treguar deri më 2 maj.

“Lidhur me rastin është konsultuar me prokurorin kujdestar i krimeve të rënda dhe me urdhër të tij hapet procedurë hetimore për veprën penale Dhunim, ndërsa i dyshuari të intervistohet në lidhje me këtë rast. Rasti është nën hetime”, ka bërë të ditur ky burim.

Ndryshe, për këtë rast ka njoftuar edhe policia përmes raportit 24 orësh.

“Prizren Mars-2021. Viktima femër kosovare me 03.05.2021 ka raportuar se në kohën e cekur (nuk dihet data e saktë) i dyshuari mashkull kosovar, ka kryer marrëdhënie seksuale me të kundër dëshirës së saj. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin”, ka bërë të ditur policia.

Shpërndaje në: