Një huqje e madhe e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufcës  

Një huqje e madhe e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufcës   

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetueses për tokat e Manastirit të Deçanit, sipas Glauk Konjufcës, duhet të rishikohet edhe njëherë. Së pari nga AKI (Agjencia Kosovare e Inteligjencës), e pastaj të shteret mundësia juridike nëpër gjykata. Por, ku do ta gjejë Glauk Konjufca gjykatën e cila vlerëson vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës?

Glauk Konjufcës, si Kryetar i Kuvendit të Kosovës, duket se i mungojnë njohuritë bazike ligjore se si funksionon hierarkia juridike në një shtet që zbaton të drejtën dhe ligjin.

Së paku, këtë përshtypje la në një paraqitje televizive.

Konjufca, para disa ditësh ishte mysafir në TV Dukagjini, dhe mes të tjerash u pyet nga panelistët lidhur me mos zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetues të Kosovës për tokat e Manastirit të Deçanit.

“Çfarë do të bëni me presionin e madh ndërkombëtarë ndaj jush që të zbatohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për tokat rreth Manastirit të Deçanit?”, ishte pyetja e gazetarëve.

Në përgjigjet e tij, që pasqyrojnë pasiguri e mungesë njohurish se si do të veprohet më këtë vendim të Kushtetueses, Konjufca foli si nëpër mjegull.

Kryetari i Kuvendit, shpërfaq injorancën e tij, le të besojmë të qëllimshme, duke mos e ditur peshën e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Konjufca supozon se aktgjykimi i Kushtetueses para së të zbatohet duhet të rishikohet edhe njëherë, “së pari nga AKI (Agjencia Kosovare e Inteligjencës), pastaj të shteret mundësia juridike nëpër gjykata”.

Nuk përjashtohet që kjo të jetë pjesë e ndonjë strategjie të partisë së cilës i përket Konjufca, VV’së, që të gjinden forma për të zhagitur zbatimin e vendimit të Kushtetueses.

Por, cila gjykatë në Kosovë mund ta vlerësoj a kontestojë ligjshmërinë e vendimeve të Kushtetueses, kur kjo e fundit është autoriteti i fundit dhe suprem për interpretimin e zbatimin të ligjit? Që të jemi edhe më të qartë, në sistemin juridik të Kosovës nuk ekziston një gjykatë tjetër mbi gjykatën Kushtetuese.

Paprekshmërinë e vendimeve të saj, për të cila duket se Konjufca e luan toshën, e garanton Kushtetuta e Kosovës.

Në Kapitullin e VIII’të, neni 112 i Kushtetutës, thuhet qartë se “Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën”.

Më poshtë e keni të transkriptuar pjesën nga intervista e Konjufcës ku ai përgjigjet rreth vendimit të Kushtetueses për Deçanin:

Gazetari: Çfare do të bëni me presionin e madh ndërkombëtarë ndaj jush që të zbatohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për tokat rreth Manastirit të Deçanit?”

 Konjufca: Shumë është problem i madh, është e vërtet. Unë mendoj që nëse vërtetohet në dy dimensione që ka qenë vendim i pandikuar prej këtyre dy dimensioneve që po du me i spjegu, unë mendoj që shteti dhe qeveria e Kosovës nuk ka qare pa e zbatu

Ka instanca plot që munden me e vertetu. Une mendoj që prej AKI’së, e deri tek instancat e gjykatave në të cilat nuk është shterrë mundësia juridike qashtu qysh parashihet me kushtetutë të Kosovës, unë mendoj që nëse vertetohet definitivisht që nuk ka pas ndikime, edhe të jashtme, edhe prej Serbisë në vendim të Gkykatës Kushtetuese, e para, edhe dyta nëse nuk ka kurrfarë shkelje procedruale në principin të cilin kushtetua jonë e mbronë,  ëëë, në mënyrë ekspilcite e mbron shterrjen e mjeteve juridike, unë mendoj që qeveria nuk ka çare pa e zbatu

 Gazetari: Cila është ajo instancë mbi Gjykatën Kushtetuese?

 Konjufca: Tash në kuptimin e gjyqësisë dhe rregullimit institucional të Kosovës, ajo është e qartë, se ëëëhh, le t’themi superioriti, epërsia e gjykatës Kushtetuese e kështu me radhë, mirëpo nëse ka indikacione të tjera anësore për të cilat mundet me pas fakte dhe dëshmi, e pastaj kjo e merr një rrugë tjetër, e cila po ashtu a shkon prej institucioneve të sigurisë e prap përfundon në drejtësi dhe argumentohet që ka pasur defekte të mëdhaja, edhe unë mendoj që është në interesin e gjithkujt me pas transparence bre.

Nuk po mundem me kanë bash i qartë se nuk po mundem krejt informacionet me i nda me juve.

 Cili është kontesti lidhur me tokën e Manastirit të Deçanit?

Në vitin 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim në favor të Manastirit të Deçanit, gjegjësisht ka përcaktuar se 24 hektarë tokë i takojnë atij manastiri. Gjykata konstatonte që ka pasur shkelje të nenit 31 të Kushtetutë së Kosovës, që ndërlidhet me nenin 6 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Mirëpo, pushteti lokal në Deçan refuzon ta zbatojë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese për shkak se, siç pretendon, ajo pronë është e kompanive shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se asnjëherë nuk ka qenë e manastirit.

Autoritetet lokale në Deçan besojnë, gjithashtu, se Gjykata Kushtetuese legalizoi vendimin e Sllobodan Millosheviqit nga viti 1997, kur vendosi t’i dhurojë këtë pronë manastirit.

Në anën tjetër, në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, që i jep të drejtë pretendimeve të Manastirit, thuhet se ato toka ishin shpronësuar nga Manastiri i Deçanit më një vendim të “Keshilli Ekzekutiv Popullor i Rrethit per Kosove e Metohi”, me seli ne Prizren, fill pas Luftës së Dytë Botërore, më 1946.

Mos zbatimi i këtij vendimi Kosovën e ka futur në përplasje edhe me bashkësinë ndërkombëtare.

Shtetet e QUINT’it, Francë, Gjermani, Itali, Mbretëri e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një letër të përbashkët muaj më parë kanë shprehur shqetësimin për mos zbatimin në plotësi të regjistrimit të tokës së Manastirit të Deçanit, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 2016’ës

Sipas tyre, moszbatimi i këtij vendimi dhe vendimeve të tjera të gjykatës minon zotimin e Qeverisë për zbatimin e sundimit të ligjit dhe respektin e saj për gjyqësor të pavarur./Periskopi

 

 

Shpërndaje në: