Një muaj paraburgim për veprën e kryer në vitin 2005

Periskopi.com Lajme

Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit I. S., nën akuzat për veprën penale vrasje në tentativë të kryer në vitin 2005.

I akuzuari është shmangur organeve të ndjekjes, ashtu që fillimisht është pezulluar procedura ndaj tij, për shkak të mos prezencës së tij dhe njëkohësisht është bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit të datës 12.08.2005.

Ndaj të njëjtit është konfirmuar aktakuza më datë 09.11.2009, derisa ka qenë në mbajtje të dënimit për një vepër tjetër penale, e që nga atëherë është shmangur ftesave të gjykatës.

Edhe pse shqyrtimi gjyqësor është caktuar më datë 12.05.2012, në mungesë të tij ai është shtyrë, ashtu që më 25.03.2015 është lëshuar urdhër për sjellje me dhunë, ndërsa më datë 10.09.2015 është bërë kërkesë për lëshimin e letër rreshtimit ndërkombëtar.

Më datë 12.08.2020, i akuzuari është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe është sjellë para gjykatësit, me ç’rast është mbajtur seanca për shqyrtim gjyqësor, i akuzuari nuk e pranuar fajësinë dhe në mungesë të dëmtuarit dhe dëshmitarëve seanca është shtyrë për datë 07.09.2020.

I akuzuari është shtetas i Republikës së Maqedonisë, me vendbanim në fshatin Letnicë, Komuna e Vitisë.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

Shpërndaje në: