Një shkelje tjetër e Donika Gërvalles, burrë e grua i dërgon në mision konsullor në Gjermani (Dokument)

Një shkelje tjetër e Donika Gërvalles, burrë e grua i dërgon në mision konsullor në Gjermani (Dokument)

Me dy vendime në më pak se dy javë, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, i ka sistemuar burrë e grua në dy konsullata në Gjermani, që janë në distancë nga njëra-tjetra rreth 200 kilometra, raporton koha.

Në dokumentet që ka siguruar Periskopi me  vendimin e datës 8 nëntor Hamdi Bërbatovci që deri tash ka shërbyer si auditor i brendshëm në Ministrinë e Jashtme dhe të Diasporës, është caktuar Shef i konsullatës në Shtutgart. Paraprakisht, MPJD-ja është përkujdesur që atij t’i jepet grada këshilltar, e cila për nga renditja që përcakton ligji, i bie të jenë kapërcyer tri grada, të cilat kalojnë nëpërmjet Komisionit përkatës të MPJ-së. Burrë e grua kanë nisur punën në misionet përkatëse nga 1 dhjetori.

Ndërkaq me një vendim të datës 17 nëntor, bashkëshortja e tij Dardanë Çitaku, me gradën zëvendëskonsulle, është caktuar të shërbejë në Konsullatën e Përgjithshme në Frankfurt.

“Znj. Dardanë Çitaku, me gradën konsullore zëvendëskonsulle, caktohet të shërbejë në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Frankfurt/Republika Federale e Gjermanisë, me mandat katërvjeçar. Znj. Çitaku, fillon realizimin e detyrave dhe obligimeve të saj në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Frankfurt/Republika Federale e Gjermanisë, nga data 01/12/2023”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga ministrja Gërvalla.

Më poshtë gjeni dy vendimet që posedon Periskopi

Burime të ndryshme në MPJ, i kanë thënë “Kohës” se në rastin e Bërbatovcit nuk janë respektuar procedurat e gradimit, të cilat aplikohen për anëtarët e tjerë të shërbimit të jashtëm. Një diplomat para se të mbërrijë te grada këshilltar, e para që do të duhej t’i jepej është atashe, pastaj Sekretar i Tretë, sekretar i dytë, sekretarë i parë dhe pastaj Këshilltar.

Këtë mënyrë të gradimit e përcakton neni 26 i Ligjit për Shërbimin e jashtëm, sipas të cilit, elementet kryesore për dhënien e një gradë janë koha e shërbimit, kualifikimi dhe vlerësimi i rezultateve të punës.

“1. Avancimi i nëpunësve të shërbimit të jashtëm bëhet duke u mbështetur në sistemin e gradimit. Elementet kryesore në dhënien e një grade për anëtarin e shërbimit të jashtëm janë koha e shërbimit, kualifikimi dhe vlerësimi i rezultateve të punës. 2. Përveç gradës ambasador, gradat jepen nga Komisioni i Gradave dhe i Disiplinës, mbi bazën e të dhënave që ndodhen në dosjen personale të çdo punonjësi dhe në bazë të vlerësimeve të bëra, sipas kritereve dhe rregullave të përcaktuara në Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm”, thotë neni 28 i ligjit.

Derisa Bërbatovci nuk ka ofruar sqarime lidhur me emërimin, në MPJD e kanë arsyetuar me atë se Ligji nuk parasheh kufizime se cila është grada e parë diplomatike. Por nuk kanë dhënë sqarime se cili ka qenë vlerësimi i rezultateve të punës për kapërcimin e gradave në rastin e Bërbatovcit, i cili u bë pjesë e MPJ-së tek pas fuzionimit të Ministrisë së Diasporës.

“Në bazë të Ligjit në fuqi për Shërbimin e Jashtëm, gjegjësisht Nenit 28, parashihet që avancimi në karrierë bëhet në bazë të sistemit të gradimit dhe se elementet kryesorë në dhënien e një grade për anëtarin e Shërbimit të Jashtëm janë koha e shërbimit, kualifikimi dhe vlerësimi i rezultateve të punës”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së. “Duke pasur parasysh se ky Ligj është miratuar në vitin 2009, në kohën kur është themeluar Shërbimi i Jashtëm për herë të parë, këto dispozita ligjore nuk kanë paraparë kufizime se cila është grada e parë diplomatike që mund të jepet dhe kjo është përcaktuar si kompetencë e Komisionit për Grada dhe Disiplinë, i cili duke pasur parasysh këto kritere ligjore, respektivisht kualifikimin, përvojën dhe pozitën vendos se cila është grada adekuate dhe në përputhje me këto kritere. Në rastin konkret janë respektuar të gjitha procedurat dhe kriteret që parashihen me Ligjin në fuqi”.

Sipas ligjit për shërbimin e jashtëm, periudha minimale për kalimin nga një gradë në një tjetër përcaktohet me Rregulloren përkatëse.

E rregullorja e plotësuar për shërbimin e jashtëm të vitit 2009, përcakton se anëtarët e shërbimit të jashtëm kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për gradim ose emërim në pozita të reja, pasi të kenë shërbyer një vit në pozita në shërbimin e jashtëm.

“1.1. Anëtarët e Shërbimit të Jashtëm të cilët kanë Grada Diplomatike a Konsullore, pasi të kenë shërbyer 1 (një) vit në pozita në Shërbimin e Jashtëm, kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për Gradim ose emërim në pozita të reja, ndërsa anëtarët e Ministrisë të cilët nuk kanë Grada Diplomatike a Konsullore, e fitojnë këtë të drejtë pasi të kenë shërbyer 1 (një) vit në Ministri”, shkruan në rregullore.

Aty më tej përcaktohet se, Komisioni takohet një herë në vjeshtë dhe një herë në pranverë çdo vit, “dhe çdo herë tjetër sipas nevojës, për të vërtetuar caktimin e gradave dhe për të shqyrtuar ndonjë rast të shkeljeve”. Komisioni përbëhet nga shtatë anëtarë. Pjesë e Komisionit ka qenë edhe drejtori i përgjithshëm në MPJD, pozitë kjo që u shua pas riorganizimit të MPJD. Ky dikaster, nuk ka treguar se kush merr pjesë me të drejtë vote në vend të drejtorit në Komisionin për Grada dhe si ka shkuar vendimmarrja në rastin e Bërbatovcit. Emërimi i Bërbatovcit ishte kontestuar edhe kur ishte caktuar auditor i brendshëm nga ana e Ministres Gërvalla. Sipas Sindikatës që funksionon në kuadër të MPJD-së, angazhimi ishte bërë pa u rregulluar baza ligjore për fuzionim dhe në konflikt interesi, pasi në njësinë audituese punonte edhe familjarja e tij.

“Angazhimi i Auditorit të Brendshëm- z. Hamdi Bërbatovci përveç se është bërë, ende pa u rregulluar baza ligjore për fuzionim, paraqet konflikt interesi kur në njësinë audituese gjendet familjarja e tij që me këtë rast sipas etikës profesionale nuk është e paanshme me punën dhe angazhimet e fushës së auditimit”, shkruan në reagimin e Shoqatës, me të cilin ishte njoftuar edhe kryeministri dhe Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme.

MPJD-ja nuk është përgjigjur as për rrethanën se Bërbatovci e Çitaku janë bashkëshortë.

Gërvalla është kritikuar për qasje selektive sa i përket procesit të emërimeve dhe gradimeve në MPJD. Përpjekje për ta ndalur procesin ka bërë Shoqata Sindikale e MPJ-së gjë që dëshmohet nëpërmjet shkresave të shumta. Po ashtu anëtarët e shoqatës nuk kanë qenë përfshirë në procesin e gradimit.

Shkeljet janë denoncuar në Agjencinë Kundër Korrupsion, derisa me to ishte njoftuar edhe kryeministri dhe Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme. Sipas kësaj shoqate, ngutia e Komisionit për Grada dhe Disiplinë për të shqyrtuar dosjet e vetëm disa diplomatëve dhe nënshkrimi i gradave të tyre nga ana e ministres së Punëve të Jashtme vetëm për ta, pa u përfunduar i gjithë procesi i punës së Komisionit, “ka krijuar bindjen se kemi të bëjmë me një proces të montuar, të dirigjuar dhe me konflikt të interesit”. Në njërën prej ankesave të shoqatës shkruan se janë rekomanduar personat pa analizë të dosjeve nëse i plotësojnë kriteret e punësimit të ligjshëm dhe marrjen e gradave në mënyrë të ligjshme.

 

Shpërndaje në: