Një Turqi pa Erdoganin: Votuesit e rinj turq përballë dilemës

Një Turqi pa Erdoganin: Votuesit e rinj turq përballë dilemës

Gjashtë milionë votues pritet që për herë të parë të vendosin nëse pushteti i presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan, do të zgjatet për të hyrë në dekadën e tretë ose do të zgjedhin diçka që nuk e kanë njohur kurrë – Turqinë e udhëhequr nga një lider tjetër.

Më pak se 12 muaj para, ndoshta, zgjedhjeve më të mëdha në historinë moderne të vendit, një shumicë e madhe e të rinjve turq thonë se duan ndryshim, por mbesin disi skeptikë që opozita mund të përmirësojë gjendjen me punësim, shkollat dhe liritë, siç janë liria e shprehjes.

Me rreth 12% të të gjithë votuesve në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vendosura për qershorin e vitit 2023, të rinjtë do të jenë vendimtarë në atë që pritet të jetë një garë e ngushtë për Erdoganin dhe partinë e tij në pushtet, thonë sondazhet.

Intervistat me disa të rinj turq të moshës prej 18 deri 23-vjeçare, nga Stambolli metropolitan deri të Anadolli qëndror, tregojnë që drejtësia, imigrimi, punësimi i bazuar në meritë dhe politikat e ekonomisë transparente janë preokupimet më të rëndësishme për ta.

“Unë nuk jam tërësisht e lehtësuar me vendimin tim, por unë mendoj se do të zgjedhë më të mirën nga më e keqja (dhe do të përkrah opozitën)”, tha Damla 19-vjeçare, një studente e historisë në Stamboll që refuzoi të tregonte mbiemrin e saj.

Kriza ekonomike dhe inflacioni në rritje kanë ngritur kostot e jetesës së saj, edhe pse ajo jeton me familjen dhe nuk del aq shumë me miqtë.

“Ndjehem sikur nuk po jetoj, vetëm jam duke tentuar të mbijetoj”, tha Damla. “Nëse partia AK humbë këto zgjedhje, qeveria e re duhet ende të ndjejë presionin e njerëzve drejt tyre”.

Rezultatet e anketave po ndryshojnë, por ato parashohin se Erdogan do të humbte ngushtë dhe partia e tij, AK, do të humbte shumicën e saj në parlament.

Megjithatë, një koalicion joformal opozitar nuk ka shpallur një kanditat për president, duke lënë disa votues të rinj të pabindur dhe autoritari Erdogan ka një sërë fitoresh të gjata qysh kur erdhi në pushtet në vitin 2003.

Presidenti e dërgoi një shoqëri tradicionalisht sekulare në një drejtim islamik, transformoi Turqinë një fuqi ushtarake rajonale dhe përdori gjykatat për të shtypur pakënaqësinë.

Ai tani përballet me një garë të vështirë zgjedhore, kryesisht për shkak të politikave të tij të pazakonta ekonomike, përfshirë uljen e shkallës së interesit që e çoi lirën në nivelet më të ulëta në histori dhe inflacionin në nivelin më të lartë në 24 vite – 78.62% në qershor.

 

Motivi

 

E ashtuquajtura “Gjenerata Z” përbën rreth 13 milionë nga 62.4 milionë turq që pritet të votojnë vitin e ardhshëm, sipas të dhënave nga zyra e statistikave. Gjashtë milionë do të kenë të drejtën e votës për herë të parë.

Murat Gezici, kreu i kompanisë për sondazhe Gezici, tha se votuesit e rinj janë përgjithësisht të pakënaqur me qeverinë, por jo të lidhur me një ideologji specifike dhe nuk i besojnë tërësisht opozitës.

Anketa e kompanisë së tij tregon se votuesit e Gjeneratës Z të moshës prej 18 deri 25-vjeçare  kundërshtojnë fuqishëm shtypjen ndaj stilit të jetesës, shprehjes së lirë dhe mediave. “80% e kësaj gjenerate nuk do të votojnë për partinë AK”, tha ai.

Jusufi, 18-vjeçar dhe votues për herë të parë, tha se shumica e ekonomive botërore janë goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit dhe lufta në Ukrainë.

“Unë mendoj se personi që po udhëheq tani vendin tonë është lideri më i mirë dhe më i duhur… Unë do të votoj për partinë AK sepse ata bëjnë plane për të bërë njerëzit më të rehatshëm”, tha ai.

“Ekonomia mund të mos jetë në gjendje të mirë, por kjo situatë është në të gjitha vendet”.

Papunësia për të rinjtë turq qëndroi në 20% në prill, treguan të dhënat zyrtare, në krahasim me një mesatare prej 10.87% nga OECD.

 

“Të rinjtë duan ndryshim”, tha Mhemet Ali Kulat, kryesues i kompanisë hulumtuese MAK, që tregon se 70% e të rinjëve të moshës 18 deri 29-vjeçare mbështesin opozitën.

Ai tha se votuesit e rinj janë të prirur për të krahasuar perspektivën e tyre ekonomike me moshatarët e huaj, teksa votuesit e vjetër i kushtojnë më shumë vëmendje investimeve në infrastrukturë si rrugë dhe spitale.

Helin, 21-vjeçare, tha se kushtet e jetesës janë përkeqësuar për shkak të politikave të qeverisë, prandaj ajo do të votojë për opozitën. Megjithatë, ajo brengoset se propozimet e tyre nuk do të adresojnë në mënyrë efektive problemet në politikën e tanishme të migracionit dhe as të drejtave të minoriteteve.

“Unë besoj se një ndryshim në pushtet do të zgjidhte së paku çështjet urgjente”, tha ajo nëpërmjet telefonit nga Ankarja. /Reuters/Periskopi/

Shpërndaje në: