Një vështrim heretik: Apologji gënjeshtrës

Ardian Gola Op-Ed

E vërteta shuan kurreshtje, gënjeshtra plotëson nevojë. E vërteta rrënon, gënjeshtra ndërton. E vërteta trazon, gënjeshtra qetëson. E vërteta është shpresëmohuese, gënjeshtra është shpresëdhënëse. E vërteta është tendosëse, gënjeshtra është shtendosëse. E vërteta terrorizon, gënjeshtra relakson.

E vërteta kërkohet, askush s’ta jep. Gënjeshtra ofrohet, të gjithe ta japin. E vërteta të bën të lirë, por ajo nuk të jep rehati. Gënjeshtra të mashtron, por të ofron rehati. Më shume se lirinë, njeriu e do rehatinë. Ai kurrë nuk do ta këmbente rehatinë për liri. Atij i mjafton të jetë i gënjyer që po jeton në liri.

Të vërtetën e kërkojmë, por në thelb nuk e duam sepse na i prishë iluzionet dhe na e merr sigurinë me tharbësine e saj. Gënjeshtrën nuk e kërkojmë, por lehtësisht e përvetësojmë sepse na krijon iluzione dhe na ofron siguri me ëmbëlsinë e saj.

POR, paradoksalisht, gënjeshtra dëshpërimisht ka nevojë për të vërtetën. Ngase gënjeshtra s’mund të funksionojë ndryshe përpos si e vërtetë. Që të besohet, ajo duhet të ofrohet vetëm si e vërtetë. Ajo duhet të flas si e vërtetë, të tingëllojë si e vërtetë, të duket si e vërtetë, të shfaqet si e vërtetë. E vërteta është marketingu i gënjeshtrës. Është forma dhe amballazhi i saj. Kjo është për shkak të natyrës kontradiktore të njeriut. Ai është kurreshtar për të vërtetën, por ka nevojë për gënjeshtrën. E pra? Duket se askujt s’i duhet e vërteta më shume se sa gënjeshtrës. Ajo e fillon dhe e mbaron rolin e saj, si shërbëtore e gënjeshtrës.

Civilizime t’tana dhe sisteme t’fuqishme politike ndërtohen mbi gënjeshtrën. Mirëpo jo mbi çfarëdo gënjeshtër, por vetëm mbi atë, e cila e ka pasur fuqinë të imponohet si e vërtetë. Sa për shembull, tynehere në emrin e Zotit, e tash në emër të Demokracisë. Tynehere besohej që po sundonte Zoti, deri sa u kuptua që në fakt sundonte një grup njerëzish në emër të Tij. Tash besohet se përmes votës sundon populli, deri sa të kuptohet se në fakt sundon një grup njerëzish në emër të tij. E vërteta, se një grup njerëzish ishin sovrani, kishte nevojë për gënjeshtrën, se Zoti ishte sovrani. Dhe kjo gënjeshtër, për aq sa përligjej si e vërtetë, e mundësonte rendin social.

Ne, modernët, kemi arritur të kuptojmë se Zoti në fakt ka qenë gënjeshtra që ka maskuar të vërtetën (e sundimit të pakicës). Por ne, modernët, jemi të aftë të kuptojmë gënjeshtrat e të tjerëve në të kaluarën, por nuk jemi të aftë të kuptojmë gënjeshtrat tona në të tashmen.

Në këtë kuptim, filozofia pashmangshëm ka funksion shkatërrimtar, ngase ajo e synon të vërtetën. Duke e synuar të vërtetën ajo e sulmon rendin social. Çdo rend social. Ngase rendet sociale nuk janë asgjë më shumë se gënjeshtra të organizuara. Për këtë arsye, filozofët e vërtetë janë opozitarë në rastin më të keq, e disidentë në rastin më të mirë.

E vërteta kërkohet, prandaj pakica janë filozofë. Gënjeshtra ofrohet, prandaj shumica janë turmë.

Ja edhe një shembull të fundit! Provoni të ndërtoni relacion shoqëror përmes të vërtetës, duke qenë i sinqertë krejtësisht në atë çfarë mendoni momentalisht ose në hollësi për shokun, të afërmin, partnerin etj. dhe do ta shihni se ku do të përfundoni! Askund tjetër përpos se në marrëdhënie të rrënuar. Ky shembull tregon, njëkohësisht, se e vërteta nuk ka vlerë dhe rëndësi në vetvete. Vlera dhe pesha e saj është situacionale dhe kontekstuale. Madje, më e rëndësishme se vetë e vërteta është konteksti kur thuhet ajo. Megjithatë, kjo është një mesele tjetër.

Rrallë herë është e mundshme të jetohet me të vërtetën. Ky është një lluks për pakicën. Por pakica nuk e përbën shoqërinë. Prandaj, qysh ka thonë i moçmi: e padishmja na mbanë. Me fjale tjera, gënjeshtra na mbanë. Por vetem per aq sa jemi të pavetëdijshëm që nuk është e vërtetë.

Andaj, mos e synoni të vërtetën nese nuk mund të përballeni ose të jetoni me të! Mjaftohuni, sikurse shumica, me iluzionet e bukura që ua injekton dhe kultivon gënjeshtra e organizuar, që quhet kulturë.

Unë, megjithatë, jam për të vërtetën, por duhet ta pranojmë, se pa gënjeshtrën jeta do të ishte shume më e vobektë.

 

Shpërndaje në: