Njëherë nuk e raportoi hiç, Policia konfirmon vjedhjen e veturës së Liburn Aliut

Periskopi.com Lajme

Policia e Kosovës është deklaruar lidhur me raportimet se vetura zyrtare e ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, është vjedhur derisa ishte e parkuar në parkingun e MMPHI-së në Prishtinë.

Policia ka thënë se sot rreth orës 04:30, “në Pikën e Kalimit Kufitar- Qafë Morinë, në dalje ka shkuar automjeti i markës Audi ngjyrë e zezë”.

“Veturat në dalje kontrollohen nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë. Gjatë kontrollit ata kanë pasur dyshime dhe kanë kërkuar bashkëpunim nga zyrtarë policorë të PK-së. Gjatë verifikimeve është vërejtur se vetura është vjedhur”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

Policia njofton se vetura është vozitur nga një person, i cili nuk kishte dokumente, por është prezantuar si B.S. i moshës 43-vjeçare.

“Rasti është duke u trajtuar nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë. Kurse, në Stacionin Policor ‘Qendra Prishtinë në ora 08:50 nga B.C., si ankues, është iniciuar rasti ‘Vjedhje’. Vlen të ceket se vetura kishte qenë e parkuar në parkingun e MMPHI-së në Prishtinë”, thanë nga Policia.