Njëra gjyqtare s’u pajtua pjesërisht që Thaçi të mbetet në paraburgim, ky ishte propozimi i saj

Periskopi.com Lajme

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë njoftuar se paneli i Gjykatës së Apelit e ka hedhur poshtë apelin e Hashim Thaçit, duke e lënë të njëjtin në paraburgim, ndërsa bëhet e ditur se gjykatësja Nina Jørgensen ka pasur mendim pjesërisht mospajtues.

Lidhur me mendimin mospajtues të gjyqtares Jorgensen, thuhet se e njëjta nuk u pajtua me vendimin e shumicës në pikën 6, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në dritën e rrethanave specifike të këtij rasti dhe me qëllim të konsistencës me vendimet e mëparshme të nxjerra nga Kolegji i Gjykatës së Apelit lidhur me bashkë të akuzuarit e Thaçit, do ta kisha lejuar këtë bazë të ankesës dhe do ia kisha kthyer çështjen gjyqtarit të procedurës paraprake për të vlerësuar nëse shtetet e treta të identifikuara në vendimin e kundërshtuar që kishin treguar gatishmërinë e tyre të përgjithshme për të pranuar të akuzuarin, mund të zbatonin në mënyrë efektive kushtet e propozuara”, citohet të ketë thënë ajo.

Sipas saj, siç shpjegohet në arsyetimin e saj më poshtë, gjyqtari i procedurës paraprake nuk kishte informacion të mjaftueshëm përpara tij në lidhje me kushtet e propozuara të lirimit për t’i mundësuar atij të merrte një vendim të informuar për zbutjen e rreziqeve të identifikuara.

Gjykatësja Jorgensen theksoi se kthimi i çështjes tek gjyqtari i procedurës paraprake si zbuluesi kryesor i fakteve në këtë rast nuk përbën lirim me kusht.

“Sipas mendimit tim, gjyqtari i procedurës paraprake shpërdoroi diskrecionin e tij duke arritur në përfundimin se asnjë kusht shtesë, duke përfshirë ato të propozuara nga një prej Shteteve të Treta ose ndonjë kusht tjetër që mund të zbatohej në secilin prej Shteteve të Treta, nuk mund të trajtonte mjaftueshëm rreziqet që ai kishte identifikuar pa u pyetur më parë për ato garanci të Shtetit të Tretë dhe pa kërkuar informacion të mëtejshëm në dritën e mungesës së dukshme të plotësimit të garancive të dhëna”, ka thënë Jorgensen.

Ajo ka shtuar se është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se gjyqtari i procedurës paraprake vendosi të mos kërkojë pikëpamjet e Shteteve të Treta në lidhje me lirimin e përkohshëm të Thaçit në territoret e tyre përkatëse, pavarësisht kërkesës së Thaçit që ai ta bëjë këtë.

Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

“Ndër anëtarët e tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët ishin Azem SYLA, Lahi BRAHIMAJ, Fatmir LIMAJ, Sylejman SELIMI, Rrustem MUSTAFA, Shukri BUJA, Latif GASHI dhe Sabit GECI, si dhe disa udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ndër të cilët edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm; ministra dhe zëvendësministra të QPK-së; komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave; komandantë të brigadave dhe njësiteve; komandantë dhe anëtarë të shërbimeve policore dhe të zbulimit të UÇK-së dhe QPK-së; ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe zyrtarë të tjerë të QPK-së; si dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇK-së dhe QPK-së (së bashku me Hashim THAÇIN, Kadri VESELIN, Rexhep SELIMIN dhe Jakup KRASNIQIN, bashkërisht, ‘anëtarët e NKP-së’). Të gjithë këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kontribuan në arritjen e qëllimit të përbashkët. Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues./BetimipërDrejtësi