Njëri sot më pyeti: A mban lidhje me Hashim Thaçin?

Periskopi.com Letra

Shkruan: Haki Morina 

Edhe në të kaluarën më kanë pyetur se a mbanë lidhje me këtë, apo me atë politikan, me këtë apo atë personalitet të lartë dhe me ndikim të madh, siç janë Presidenti aktual Ilir Meta, ish-kryeministri Pandeli Majko, ish-kryetari i Parlamentit të Kosovës Kadri Veseli, ish kryeministri Fatos Nano, Ali Ahmeti, Rexhep Selimi etj etj. Ka pasur edhe nga ata që nuk më kanë pyetur, por kanë qenë të bindur që unë mbajë lidhje, duke u bazuar në historinë e të kaluarën time, e cila më ka njohur me ato personalitete politike.

Unë s’kam mbajtur me asnjërin asnjë lidhje personale pasi ata janë bërë “të mëdhenjtë”. Nuk kam mbajtur asnjë lidhje, edhe kur kam mbetur i vetmuar në mbrojtje të tyre.

Kjo ka ndodhur sepse unë kurrë s’kam vrapuar pas individëve, sado të fuqishëm që të kenë qenë, por kam vrapuar pas idesë.

Kur këto personalitete kanë mbajtur qëndrime të drejta, i kam mbrojtur. I kam mbrojtur, dhe kurrë s’kam kërkuar prej tyre kthim të borgjit.

S’kam kërkuar kthim të borgjit personal, sepse nuk i kam mbrojtur ata, por duke mbrojtur ata, kam mbrojtur idenë time, kam mbrojtur konceptin tim për shtetin, për popullin dhe të ardhmen e tij.

Natyrisht që unë edhe i kam kritikuar. Jam nga të parët që i kam kritikuar. Dhe nuk i kam kritikuar nga pozita partiake, sepse nga ato pozita i kanë kritikuar dreqi dhe i biri. I ka kritikuar edhe Serbia.

Sigurisht që unë do të dëshiroja t’i vizitoja tani që janë në burg. Por nuk do t’i vizitoja për të shitur mend, e për tu bërë sikur jam dikushi. Por do t’i vizitoja, sepse ata tani kanë nevojë për kurajo, për interesim ndaj tyre. Fatkeqësisht nuk e bëj dot këtë gjë, sepse unë nuk kam investuar asnjëherë në jetë për interesa të mija, por për interesa të atdheut. E kur vepron kështu, e ke problem të marrësh rrugë të gjata, të cilat kërkojnë shpenzime.

Por nuk i vizitoj edhe për një arsye. Nuk i vizitoj sepse Hashim Thaçi me shokë tani më së paku kanë nevojë për vizita. Ata kanë nevojë për mbrojtjen politike të tyre. Ata kanë nevojë që secili nga ne të punojmë në interes të Kosovës dhe të ardhmes së saj.

Këtë gjë e kam bërë dhe vazhdoj ta bëj me ato forca që kam në dispozicion.

E unë s’kam forcë tjetër, përveç mendjes dhe zemrës sime.